KOMENT – Gabimi katastrofik i Putinit në Ukrainë

Nga David Ignatius (”The Washington Post”) Thuhet se Napoleoni ka paralajmëruar gjatë një beteje në vitin 1805 se ”kur armiku është duke bër...

Nga David Ignatius (”The Washington Post”)


Thuhet se Napoleoni ka paralajmëruar gjatë një beteje në vitin 1805 se ”kur armiku është duke bërë një lëvizje të gabuar, atëhere duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos ta ndërpresim”. Kjo fjali e Napoleonit është sjellë edhe në formën ”kurrë mos e ndërprit armikun tënd kur ai është duke gabuar”. Cilado qoftë forma e saktë e këtij paralajmërimi, ky këshillim përbën një fillesë të dobishme për të menduar rreth situatës së krijuar në Ukrainë.
Vladimir Putini ka bërë gabim duke pushtuar Krimenë pasi ka përshkallëzuar një krizë për Rusinë, krizë që është përgatitur prej muajsh të tërë. Do të ishte mirë nëse presidenti Obama nuk do ta lejonte Putinin të bënte këtë gabim. Por, lëvizja e Putinit në Krime duket se buron nga një vlerësim shumë i gabuar mbi mundësinë e korrigjimit të këtij procesi që çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Sa më shumë të futet Rusia në këtë strategji revanshiste, aq më të rënda do të jenë pasojat për të.
Nostalgjia e Putinit për të kaluarën u duk edhe në Lojërat Olimpike të Soçit. Ashtu siç shkroi edhe David Remnick javën e kaluar te ”New Yorker”-i, Putini e konsideron shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një ”gabim tragjik” dhe kjo olimpiadë celebroi vizionin e tij për një rikthim të fuqishëm të Rusisë. Ky qëndrim e çoi Putinin, ashtu siç e tha edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ”në aktin e pacipë të agresionit” dhe në ”shkeljen e detyrimeve ndërkombëtare”.
Kerry i kërkoi Putinit ta ”zhbënte këtë akt pushtimi”. Lideri rus do t’ia kursente vetes këtë brengë nëse do të ndiqte këshillën e Kerryt, por kjo duket e pamundur. Gabimi i tij në Sevastopol mund të çojë në gabime të tjera gjetiu, edhe pse Putini mund të mënjanojë veprime të pamatura. Por, sa më shumë Putini do të kërkojë të verë në dukje fuqizimin rus, ai vetëm sa do të tregojë dobësinë e saj.
Ndoshta në mënyrë të paevitueshme, duke parë monomaninë politike të Uashingtonit, tema kryesore e fundjavës së kaluar nuk ishte aq sulmi kriminal i Putinit kundër Krimesë sesa nxitja që mund t’i ketë dhënë Obama duke mos treguar mjaftueshëm muskujt. Ka shume kritika të vlefshme për t’iu bërë politikës së jashtme të Obamës, veçanërisht në Siri, por nocioni se sulmi i Putinit ishte një lloj dështimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pervers.
Për dy muaj, administrata Obama nxiti Bashkimin Evropian që ta merrte më seriozisht krizën ukrainase. Njoftimet amerikane thoshin se Putini tregohej i paduruar me presidentin prorus ukrainas, Viktor Janukovviç dhe kërkonte nga ai që të ishte më i ashpër me protestuesit në sheshin ”Pavarësia” në Kiev. Neveria e Putinit ndaj Janukoviçit ka qenë e dukshme që kur ky i fundit la Kievin, një javë më parë.
Ajo që Putini ka keqkuptuar më shumë është se qendra e gravitetit për ish-Bashkimin Sovjetik ka rrëshqitur drejt Perëndimit. Vendet satelite sovjetike si Polonia dhe Republika Çeke janë anëtarë të BE-së dhe me nivel të mirë jetese. Kombet që përbënin dikur Jugosllavinë u mbijetuan luftërave të tyre të përgjakshme dhe një pjesë e tyre u ringritën si demokraci të konsiderueshme. Ukraina mendohej t’i bashkohej kësaj lëvizjeje drejt Bashkimit Evropian nëntorin e kaluar, por Janukoviçi papritur ndërpreu bisedimet tregtare dhe financiare me BE-në dhe pranoi një kredi prej 15 miliardë dollarësh nga Putini për të qëndruar nën influencën ruse. Në përpjekjet e mijëra ukrainasve të guximshëm, të cilët u përballën me të ftohtin dhe dhunën e policisë, dorëzimi i Janukoviçit ndaj Moskës dukej si një përpjekje për të rikthyer historinë.
Mundësitë për Putinin janë gati të kundërta me vizionet e tij atavike të ribashkimit. Vetëm duke u afruar me Perëndimin, më saktë me Evropën, Rusia mund të dalë nga kurthi i saj demografik dhe politik.
Vit pas viti, sistemi politik i Rusisë po shndërrohet në një despotizëm të korruptuar oriental, me Moskën më pranë Almatit sesa Berlinit. Alternativa për Ukrainën është që të tërheqë Rusinë me vete drejt Perëndimit.
Si ish-këshilltar i sigurisë kombëtare, Zbigniew Brzezinski shpjegon në një libër të botuar në vitin 2008 se “nëse Ukraina lëviz drejt Perëndimit, fillimisht në BE dhe më pas në NATO, mundësia që Rusia të drejtohet nga Evropa është më e madhe… Në këtë rast rusët do të thonë se ”e ardhmja jonë do të jetë më e sigurt, kontrolli ynë kundrejt territoreve në Lindjen e Largët do të jetë më i sigurt… nëse do të ketë një lloj komuniteti atlantik që shtrihet nga Lisbona deri në Vladivostok”.
Rusia e Putinit mund të bëjë ende shumë gabime, për shembull mund të dërgojë trupa në thellësi të territoreve të Ukrainës dhe kështu krijon kushtet për një luftë civile. Këto janë nga ato lloj përllogaritjesh të gabuara që sjellin pasoja katastrofike dhe Obama duhet të jetë mjaftueshëm i zgjuar që të frenojë agresionin rus, por pa specifikuar qartë se cili do të jetë roli i SHBA-së në këtë.

Amerikanët dhe evropianët duhet të bien dakort se kjo ka të bëjë me shkeljen ligjit ndërkombëtar nga ana e Putinit. Unë do të isha i lumtur nëse do të ndërprisnim gabimin e Rusisë, por Putin ende vazhdon të këmbëngulë në kryerjen e gjësë së gabuar./ ATSH

Related

Shtypi i huaj 8448362969045293572

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item