Jemi një shoqëri që jeton virtualisht dhe nuk komunikojmë vërtetësisht me njëri-tjetrin

Publicisti Fatos Lubonja dhe artistët Dejan Atanackoviç e Ardian Isufi kanë hapur ekspozitën “Dialogu shoqëror dhe politikat kulturore në ko...

  • Publicisti Fatos Lubonja dhe artistët Dejan Atanackoviç e Ardian Isufi kanë hapur ekspozitën “Dialogu shoqëror dhe politikat kulturore në kontekstin postkomunist” në ambientet e galerisë “Zenit”

Valeria Dedaj



“Dialogu shoqëror dhe politikat kulturore në kontekstin postkomunist” është tema e ekspozitës që publicisti Fatos Lubonja dhe artistët Dejan Atanackoviç me Ardian Isufin kanë hapur në galerinë “Zenit”. Lubonja vjen për herë të tretë para publikut me instalacionin “Përpjekje-Burgu i Burrelit 1988-Tiranë 1994”. Janë fotokopjet e dorëshkrimit “Ploja e mbrame” që janë shkuar në fletë cigareje, fjalori Micro Rober ku mbahej i fshehur dorëshkrimi, libri “Ploja e mbrame”, që sheh dritën e botimit në vitin 1994 dhe një lupë që qëndron mbi të.
 Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Lubonja tregon për rëndësinë që ka kontakti i drejtpërdrejtë i publikut me veprën, për dialogun e zhvilluar gjatë inaugurimit të kësaj ekspozite, por edhe nevojën që kanë njerëzit të mos i kenë idetë e ngurtësuara. “Njohja edhe monopoli i njohjes legjitimon pushtetin, por, shpeshherë pushteti abuzon. Prandaj pikërisht për këtë, ne duhet që njohjen ta kemi të hapur, jo të mbyllur, të mitizuar dhe të ngurtësuar”, - tregon ndër të tjera ai.

 Zoti Lubonja, është hera e tretë që ekspozoni disa nga dorëshkrimet në letër cigareje të librit, “Ploja e mbrame” për publikun. Por kësaj here keni zgjedhur që pjesë të këtij instalacioni të jetë edhe dialogu me publikun. Sipas jush, pas dialogut që kishit me ta, mendoni se ata ju kanë  kuptuar... 

E quaj të rëndësishëm komunikimin direkt me publikun, sepse komunikimi nëpërmjet filtrit të medias, shpeshherë e largon dhe e manipulon publikun nga e vërteta e autorit. E para, komunikimi direkt është shumë i rëndësishëm. E dyta, sepse kështu bota është më reale kur bisedat bëhen jashtë kamerave. Kamera tjetërson përherë. Dialogu është i rëndësishëm për këtë shoqëri që po ndërtojmë. Madje, poeti francez Pol Valery është edhe kundra ekspozimit të veprave nëpër galeri. Ai mendon se, edhe atje tjetërsohen, prandaj publiku duhet që t’i shikojë atje ku punohen nga piktori, pra çdo vepër ka intimitetin e saj. 
Shoqëria shqiptare duke u bërë shumë virtuale dhe mediatike, ka humbur kontaktin e drejtpërdrejtë. Për mua kjo ishte shumë e rëndësishme sepse vepra ishte aty dhe ne shiheshim sy më sy me publikun. Jo nëpërmjet kamerës dhe gazetës, por njerëzit patën mundësi që të komunikonin drejtpërdrejtë me autorin dhe me veprën. Kjo është një gjë me vlerë edhe për më tepër se kaq, është me vlerë edhe për kontaktet njerëzore, sepse jemi bërë shoqëri shumë mediatike. Jemi bërë një shoqëri që jeton virtualisht, që nuk komunikojmë vërtetësisht me njëri-tjetrin, kjo ka rëndësi për mua.

 Përse edhe kësaj here keni zgjedhur instalacionin përballë letërsisë, për të prezantuar krijimet tuaja? 

  Nganjëherë është e vështirë që të shprehesh, sepse disa mjete mendon se i zotëron më mirë dhe disa të tjera, nuk i shikon si të tilla. Sigurisht që, kam njohje rreth historisë së artit, sepse kam punuar mbi të. Por nga ana tjetër, me kalimin e viteve, instalacioni apo shumë krijime në art, vijnë edhe nga pamundësia për ta shprehur ndryshe mendimin tënd. Kështu zgjedh një formë që të ndihmon për të shprehur diçka, ndonjëherë bën edhe një krijim.
 Autorë të ndryshëm kanë bërë krijime, kanë ndryshuar format, sepse e kanë pasur të pamundur të përdornin ngjyrat, penelin etj. Kjo i bën ata që të kërkojnë një formë tjetër, kur kanë një ndjeshmëri ndaj vizuales. Unë e kam pasur këtë ndjeshmëri dhe me gjithë kompleksitetin e gjuhëve që ka zhvilluar arti në shekullin XX, më është dukur më afër mundësive të mia, arti konceptual. 

Librin “Ploja e mbrame” e konsideroni si “dekonstruktim” të miteve të pushtetit në përgjithësi? 

“Ploja e mbrame” merret midis të tjerave me problemin e mitit dhe të njohjes së pushtetit. Kur njohja dhe miti përdoren në emër të pushtetit është dekonstruktim. Pra në këtë rast, Edipi mendon se, ka zgjidhur enigmën dhe ka monopolin e njohjes. Prandaj duhet të sundojë dyshimi që kemi mbi mitet, për rrezikun që paraqet keqpërdorimi i miteve mbi pushtetin.

 Pra, ju mendoni se të gjitha qeveritë që vijnë do të vazhdojnë që të abuzojnë me pushtetin?

Padyshim. Abuzimet janë të pafundme, me mitin e Evropës. Përdorin Evropën për të sunduar, përdorin demonizimin nga ana e dikujt tjetër, për të sunduar. Kjo është pjesë e pushtetit. Njohja dhe monopoli i njohjes, legjitimon pushtetin, por shpeshherë pushteti abuzon. Prandaj pikërisht për këtë ne duhet që njohjen ta kemi të hapur, jo të mbyllur, të mitizuar dhe të ngurtësuar. 

“Ploja e mbrame” ndikon te publiku për të zhvilluar kulturën e dyshimit? 

Unë mendoj se po, edhe pse gjuha është shumë komplekse. Një nga elementët e “Plojës së mbrame” është pikërisht pretendimi se, është gjetur zgjedhja nëpërmjet së keqes, nëpërmjet një ideologjie, që në thelb është komunizmi, që pretendon se mund të zgjidhë të keqen njerëzore. Fundi dihet se cili është, është një gjuhë metaforike, që nëse e lexon nëpër rreshta, do të gjesh keqpërdorim edhe të kristianizmit nga pushteti. Pra, keqpërdorimi që bën i pushtetshmi të pushtetshmit, me mitin dhe me njohjen e tyre. Pra, sipas librit tim e keqja rivjen në formë ciklike. Ne do të jetojmë me të keqen, por asnjëherë nuk do ta zgjidhim dot, sepse e keqja është pjesë e jona.

 Çfarë të përbashkëtash ka midis punës suaj dhe të dy artistëve të tjerë? 

Ka të përbashkët të kaluarën. Këto instalacione merren me të kaluarën dhe me përjetimet personale të secilit. Ardian Isufi edhe Dejan Atanackoviç janë nisur nga përvoja personale. Pra, është një përjetim i qasjeve të së kaluarës nëpërmjet artit. Arti është i inspiruar nga përjetime personale.

 Vazhdoni ta mendoni si të vonuar, por edhe të nevojshëm krijimin e një Muzeu Historik në Spaç? 

Është padyshim shumë i nevojshëm krijimi i një Muzeu Historik në Spaç. Madje duhet të krijohet një vend në formë monumenti, në formë pelegrinazhi, jo që shikohet, për që përshkohet dhe jetohet. Ka monumente ku spektatori nuk shikon një monument, por që ecën nëpër të. Kjo ide do të ishte më idealja për në Spaç.   

 Libri 

 Ngjarjet që ka në brendësi libri "Ploja e mbrame" lidhen me mitin e Edipit...

 Unë kam marrë momentin kryesor, kur Edipi mëson se ka vrarë të atin dhe ka shkuar me të ëmën, e më pas qorrohet... 

Si është Edipi juaj?

 Kam ndalur në momentin kryesor tek “Edipi Mbret” dhe e kam transformuar, kam krijuar një Edip tjetër, i cili është e kundërta e atij që njohim. Ai kur mëson të vërtetën, në vend që të bëjë aktin që bëri Edipi, vazhdon që të sulmojë dhe të zhdukë dëshmitarët, që e dinë se ai është shkaku që lidhet me komunizmin. Kur e mësuan komunistët, se ata ishin shkaktarët që kishin gabuar në zgjedhjen që i kishin dhënë të keqes njerëzore në sistemin e tyre, në vend që të pendoheshin dhe të tërhiqeshin, vazhduan që të sundojnë, duke e thelluar edhe më tutje. Ky është Edipi im, ai ngelet vetëm. Ashtu sikurse është ëndrra finale e diktatorit që të ngelet vetëm, por kjo ka të bëjë edhe me dramën ekzistenciale, që baballarët tanë në vend që të bënin këtë akt, zhdukën të vërtetët. 

“Gazeta kishte një shkrim për “mua”, si pionier shembullor i Enverit” 

Ardian Isufi i rikthehet së kaluarës nëpërmjet një artefakti; atë që ishte dhe “Zëri i Popullit”. Artisti ka rrëmuar në arkivin e familjes, të ruajtur me shumë kujdes nga i ati dhe ka gjetur një gazetë “Zëri i Popullit” të vitit 1978. “Gazeta kishte një shkrim për “mua” dhe disa të tjerë si pionierë shembullorë të Enverit, me autor Besnik Mustafajn.” Instalacioni i Isufajt paraqet tri kopje të prera të së njëjtës gazetë me titull “Na llogarisni edhe ne”, që është dhe lajtmotivi kryesor i një kënge që përshkruhet në artikull. Në tërësi të tria bashkë ngjajnë si ato tabelat e emulacionit të kohës së diktatorit E. Hoxha, ku dhe autori është pjesë e ngjarjes. Në gazetën e parë autori ka rrethuar me laps disa pjesë, ku patetizmi i kohës së diktaturës është shumë i dukshëm, gjithashtu dhe emrin e tij brenda shkrimit.
 “Teksti është shumë patetik parë nga këndvështrimi i sotëm dhe kupton sa e deformuar ishte ajo kohë në vendin tonë”, – thotë Isufaj në    shpjegimin që i bën punës së tij. Në gazetën e dytë, kopje e origjinalit, ai ka vizatuar mbi të me laps disa sekuenca nga gjimnastika e mëngjesit që në kohën e Enverit ishte një ngjarje shumë sinjifikative, sepse turma ngjante si robotë të komanduar dhe për pasojë, të bindur. Pjesë e këtij instalacioni është dhe një “Hibrid” siç e quan autori, një vepër në formën e kallirit të misrit, që në pamje të parë nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë në sensin estetik me kopjen e gazetës “Zëri i Popullit. “Objekti prezanton lojën me imazhin e paraqitur me zëvendësimin e kokrrave të misrit në objektin kalli me dhëmbë, që vjen si një trashendencë e qëndrimit artistik mbi përmbajtjen dhe interpretimin e imazhit në veprën “Kjo është një pipë” të surrealistit Rene Magritte. Loja pamore reflekton dilemën humane të kafshimit, uzurpimit dhe ironizon individin duke tjetërsuar rolet dhe funksionet ku kalliri kthehet në një qenie hibride kanosëse”,- shpjegon Isufi.  

Atanackoviç prezanton historinë popullsisë gjermane në Jugosllavi 

 Artisti serb, Dajan Atanackoviç prezantohet në art multimedial. “Mësime gjermane” e ka titulluar ai rrëfimin e tij që vjen si një histori personale, por që në fakt është historia e represionit të gjatë të popullsisë gjermane në Jugosllavi dhe në vende të tjera të Evropës Lindore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. “Me pretekst shpërblimet e luftës dhe dënimin e kolaboracionistëve, popullatave urbane dhe rurale gjermanike, në këto vise që nga shekulli i 18-të me kontribute në kulturën, sistemin e vlerave deri dhe gatimin dhe zakonet e sllavëve të jugut, iu mohuan të drejtat e tyre civile dhe u shpronësuan nga pasuria e tundshme dhe e patundshme. 
Në varësi të takatit dhe fizikut, burra dhe gra u shfrytëzuan në kampet e punës ose iu    braktisën sëmundjes dhe urisë. Shumë prej tyre u degdisën në gulagët e Bashkimit Sovjetik, të tjerët u çuan në kampet e punës së detyruar nëpër të gjithë Jugosllavinë. Ata që etiketoheshin si “të paaftë në punë” i degdisnin në kampet e rrënuara gjermanike, rrethuar me tela gjembash. Vrasjet sistematike dhe spastrimi i gjermanëve nga Banati në Vojvodinë dhe në përgjithësi në Jugosllavinë e periudhës nga 1945-1948 janë neglizhuar tërësisht dhe kanë mbetur të panjohura për publikun e gjerë”,- shkruan autori, i cili përmes rrëfimit të historisë së familjes së tij fton publikun për të reflektuar mbi kohën dhe shoqërinë tonë, mbi frikërat e saj krejt mizerabël ndaj së shkuarës dhe identitetet që sendërtohen mbi kujtesa të ndërshtypura.     


Related

Intervista 4010055716972957428

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item