HISTORI / Nata e fundit e Romanovëve"

Masakra e Jekaterinburgut është konsideruar nga shumë historianë si preludi i masakrave të shekullit 20 Në sfondin shumë të errët të një fot...


Masakra e Jekaterinburgut është konsideruar nga shumë historianë si preludi i masakrave të shekullit 20

Në sfondin shumë të errët të një fotografie të vjetër të zbehur tashmë nga koha, shfaqen fytyrat fisnike dhe ëndërrimtare të katër adoleshenteve shumë të bukura, të veshura në mënyrë elegante me veshje të bardha, me perla si dhe gurë të cmuar të vendosur në flokët e gjatë. Asnjëra nuk buzqesh, e megjithatë sytë e tyre janë plot me shpresa dhe shkëlqejnë me një dritë të pazakontë, që manifeston pafajësisht ankthet e trye për atë që do të vinte. Ajo foto mban fytyrat e grandukeshave Ollga, Tatjana, Maria dhe Anastasia Romanov, bija të Nikollës II, Cari i fundit i Rusisë. Ishte viti 1912, dhe ato nuk kishin si të dinin të ardhmen që i priste. Jetonin të qeta, në luksin e një oborri që ishte  bota e tyre dhe krejt të pavetëdijshme për faktin që ajo botë e mrekullueshme shumë shpejt do të errësohej.

Në fillimet e 1917, shpirtërat në Rusi kishin nisur të trazoheshin. Pjesëmarrja e Rusisë në Luftën e Parë Botërore kishte shkaktuar një frakturë të pariparueshme ndërmjet autoriteteve dhe njerëzve; lufta po e dërrmonte popullin dhe kish shkaktuar humbjen e të paktën 1 650 000 vetëve. Proletariati, duke vënë në shfrytëzim solidarietin e klasave organizoi menjëherë një lëvizje revolucionare, e cila kish në bazë dogmat e socializmit. Nikolla II dhe familja e tij u shndërruan në të burgosur të sovjetëve dhe u dërguan në rezidencën e mrekullueshme verore të Tsarskoe Selo, pranë Pjetërgradit. Në këtë situatë, burgosja e Romanovëve vazhdoi për pesë muaj në një klimë të qetë. Në vijim të ditëve të para të korrikut, kur nisën të ndihen trazirat në qytet, familja perandorake, së bashku me 35 vetë që ishin pjesë e oborrit u transferuan në drejtim të qytetit aziatik Tobolk. Kushtet e burgosjes vazhduan të jenë të mira dhe rojet e qeverisë provizore ishin vazhdimisht të sjellshëm me romanovët. Por në tetor, qeveria provizore u mund dhe pushteti ra tashmë në duar të sovjetëve me shumicë bolshevike…

***

Në stacionin e Jekaterinburgut atë mëngjes kishte shumë njerëz që prisnin familjen mbretërore. Ishin të irrituar; disa anarkistë kërkonin me zë të lartë ekzekutimin e menjëhershëm të Carit, duke shtuar se sovjetët kishin humbur tashmë shumë kohë dhe se duhej t’ia kishin dhënë dënimin që meritonte. Në do rast, Jekaterinburgu do të ishte për Carin dhe familjen e tij, stacioni i fundit drejt vdekjes.

Ajo cfarë ndodhi gjatë gjashtëdhjetë e tetë ditëve burgim mund të rindërtohet përmes ditarëve të Nikollës, letrave të Careshës Aleksandra, kujtimeve të rojeve, si dhe telegrameve me anë të të cilëve Moska informohej vazhdimisht mbi gjendjen e të burgosurve, si dhe dokumentat e urdhërave mbi regjimin që duhej vendosur dhe mbajtur brenda Dom Iptiev, shtëpia e Ipatievit. Familja mbretërore u kufizua në katin e  parë të shtëpisë, ku kishte disa dhoma në dispozicion.

Në ditët e para të korrikut ndodhi një episod i cuditshëm: rezultoi që komisari i shtëpisë, Avded, bashkë me asistentin e tij Moshkin ishte kapur duke vjedhur sende personale të familjes mbretërore dhe për këtë, u arrestuan menjëherë. E gjithë truproja u shkarkua dhe u zëvendësua me një skuadër burrash që i përkiste CEKA-s (Komisioni i jashtëzakonshëm për luftën ndaj kundër-revolucionarëve dhe sabotazhit, e njohur më mirë si Policia e fshehtë, e krijuar në 7 dhjetor 1917). Cfarë tempizmi! Avded u zëvendësua pikërisht në momentin kur Moska ishte e vendosur që të kishte njerëz të besuar brenda shtëpisë!

Komisari i ri i shtëpisë u emërua Jakov Jurovski. Njerëzit e tij ishin shumë krenarë për misionin që kishin marrë dhe madje i atribuonin një peshë politike: mbajtja në burgim e Carit ishte e domosdoshme për shpëtimin e revolucionit. Aspektet më simbolikë dhe shprehës të burgimit në Jekaterinburg, të cilët u manifestuan edhe natën e vrasjes së Romanovëve, fituan shumë domethënie edhe për faktin që këta njerëz ndienin gjithnjë e më shumë përgjegjësinë, që duhej ta trajtonin ish Carin si një të burgosur politik.

Që nga ky moment, disiplina dhe siguria u bënë prioritetet kryesorë në Dom Ipatiev. Madje, Nikolla II e konsideroi një shenjë të mirë zëvendësimin e rojeve dhe fakti që Jurovski i ktheu mbrapsht sendet që i ishin vjedhur, vetëm sa konfirmoi këtë bindje të tijën.

Megjithatë, sapo mori komandën e shtëpisë, Jurovski rriti menjëherë numrin e rojeve dhe vendosi rregulla të hekurta. Gjithcka është e dokumentuar në dosjet mbi rregullat e Dom Ipatievit, të firmosura nga vetë Jurovski. Pikësëpari, detyrimi për të mos folur me të burgosurit për këto rregulla dhe për të folur me ta vetëm pas marrjes së autorizimit prej komandantit. Në asnjë rast nuk lejohej që të flitej me ta për politikë dhe të shfaqeshin shenja mosrespekti ndaj tyre. Nuk pranoheshin vizitorë; nëse ndokush hynte brenda, ai duhej të kishte lejen me emër nga kreu i Sovjetëve të Uraleve, që në ndërkohë ish bërë Belobodorovi, në vend të Goloshekinit. Mysafirët duhej të flisnin vetëm rusisht. Edhe korrespondenca ishte reduktuar në minimum dhe kontrollohej nga komandanti. Madje ishte redaktuar edhe një listë e të afërmve të shtëpisë, me emrat dhe profesionet e tyre. Masat e sigurisë ishin diktuar nga nevoja praktike, por njëkohësisht pasqyronin edhe idelaet e rendit dhe disiplinës që frymëzonin bolshevikët, dhe mbi të gjitha aktivistët e CEKA-s në ato vite.

Pavarësisht rregullave rigoroze në shtëpi, dihet me siguri që katër letra mundën të bien në duart e familjes mbretërore. Ideja e organizimit të një arratie nga Iptievi me sa duket ish kthyer në obsesionin e shumë monarkistëve në Jekaterinburg, por qyteti ishte i pushtuar nga mbi dhjetë mijë roje të kuqe dhe spiunë, në cdo qoshe dhe në cdo shtëpi. Arratisja ishte marrëzi. Por, ka gjasa që këto letra “të depërtuara” mund të kenë qenë fryt i një komploti të CEKA-s, për të diskretituar Romanovët si dhe për të siguruar prova false për arratinë.

Korrespondenca u ndërpre në fund të qershorit dhe krejt papritur, mbikëqyrja u intensifikua. Ndërkohë, lufta civile po shkundte vendin, regjimi nuk ishte aspak i qëndrueshëm, mbi të gjitha pas firmës së Brest-Litovskit dhe ofensiva e legjionit cekosllovak kërcënonte kontrollin e bolshevikëve në Urale. Qeveria ndodhej përpara një krize shumë të rëndë politike dhe ushtarake.

Jekaterinburgu ishte shndërruar në objektiv të forcave kundër-revolucionare dhe bolshevikët ndienin që shumë shpejt do të binte, duke dorëzuar Carin në duart e kundërshtarëve. Kjo mundësi e fundit ishte shndërruar në makth për Komitetin Qendror. Në ditët e para të korrikut të vitit 1918, Armata cekosllovake kishte mbërritur disa qindra kilometra larg Jekaterinburgut, plani i evakuimit të Uraleve kish nisur të zbatohej, qytetin e kish mbërthyer kaosi. Moska duhej të clirohej nga Romanovët!

Teoritë e ndryshme që ia atribuojnë autorësinë e vendimit sa njërës palë, sa një pale tjetër, konsiderohen vetëm dicka më shumë se spekulime tërheqëse. Në dritën e dokumentave të bërë të disponueshëm pas glaznostit, mund të pohohet se vendimi për të ekzekutuar familjen mbretërore erdhi pikërisht nga Moska, dhe pikërisht Moska kishte kërkuar transferimin e përgjegjësisë për të burgosurit nga Sovjetët e Uraleve, tek CEKA.

Shumë telegrame ishin shkëmbyer në fillimin e verës së atij viti mes Moskës dhe Jekaterinburgut, dhe nga këta bien qartë në sy presionet që palët i bënin njëra-tjetrës, dhe që në fund cuan në zgjidhjen përfundimtare. E megjithatë, tingëllon krejt i pakuptueshëm motivi për ekzekutimin edhe të familjes së Carit.

Arsyeja e vrasjes së Carit dhe birit të tij, Carevicit si trashëgimtar direkt i fronit mund të justifikohen me motive të qartë politikë, por vrasja e nëntë personave të tjerë duket krejt e paarsyeshme. Masakra e Jekaterinburgut është konsideruar nga shumë historianë si preludi i masakrave të shekullit të njëzetë.

Në 16 korrik, një telegram i dërguar nga Kremlini pohonte se nuk ishte më e mundur të pritej, se duhej njoftuar opinioni i Moskës pa asnjë vonesë dhe ftoheshin Lenini dhe Sverdlovi që të viheshin në kontakt me Jekaterinburgun, për t’u marë personalisht me këto probleme.

Ndërkohë, Jekaterinburgu ishte i shkretuar, trupat antibolshevike kishin rrethuar qytetin dhe të shtënat dëgjoheshin në largësi.

Në 17 korrik, ndërkohë që për të burgosurit ajo ditë po ecte ashtu si gjithë të tjerat, Jurovski kishte thirrur krahun e tij të djathtë, Medvedevin për t’i komunikuar vendimin e marrë tashmë. Natën, Jurovski zgjoi doktor Botkinin dhe i kërkoi që të lajmërojë familjen se situata në Jekaterinburg ishte në rrezik dhe për këtë arsye, ata duhej të visheshin menjëherë dhe të kalonin natën në bodrume. Në podval, strehimi nëntokësor i Dom Ipatievit ishte vendosur një skuadër pushkatimi, e përbërë nga 11 ushtarë, përfshirë Jurovskin.

Në dy të natës zbritën në bodrum Nikolla me Aleksein në krahë, Aleksandra me të bijat, shërbyesja Ana Demidova, doktor Botkini, shërbyesi Aleksej Trupi dhe kuzhinieri, Ivan Haritonovi. Aty, ndërkohë që të burgosurit e dëgjonin gjithë ankth, Jurovski u lexoi dënimin me vdekje: “Duke marrë në konsideratë faktin që të afërmit tuaj vazhdojnë ofensivën kundër Rusisë Sovjetike, Komiteti Ekzekutiv i Uraleve ka vendosur t’ju ekzekutojë”. Nisën të shtënat. Pas njëzetë minutash zjarr pa pushim, disa prej viktimave ishin cuditërisht ende të gjalla. Rojet i kish kapur frika, ata nuk vrisnin dot Aleksein që zvarritej në dysheme i gjakosur, tre princesha lëviznin papushim, ushtarët i shponin me bajoneta, por ato nuk po vdisnin. Më vonë, do të zbulohej se ato kishin fshehur në korsetë e tyre florinj dhe gurë të cmuar. Kështu që, plumbat nuk mund të përshkonin trupat. E gjithë skuadra e pushkatimit kish mbetur e shtangur nga vështirësia e paparashikuar në vrasjen e personave të paarmatosur. Burrat ishin të gjithë të shushatur. Rrethanat shfaqeshin në sytë e tyre si shumë misterioze, të pabesueshme, të mbushura me ogurë të këqinj dhe rojet u tronditën. Ngarkesa emocionale e kasaphanës që sapo kishin shkaktuar i kish goditur.

Vetëm në tre të mëngjesit, pasi u siguruan për vdekjen e të gjithë të burgosurve, burrat vendosën kufomat në një furgon “Fiat” dhe u nisën drejt pyllit të Koptjakit, afërsisht 20 kilometra larg Jekaterinburgut. I detyruar të veprojë me shpejtësi dhe pa urdhëra të saktë, Jurovski mendoi të heqë qafe kufomat duke i hedhur në një minierë të vjetër, por më parë duke u hedhur acid sulfurik për t’i bërë të paidentifikushëm. Më pas, pasi i varrosën trupat, burrat e Jurovskit shpërthyen disa granatat për të mbyllur gropën. Kufomat u dëmtuan deri në atë pikë sa për të kompromentuar cdo lloj analize për identifikimin e trye në të ardhmen.

Megjithatë, vdekja e Romanovëve, ndonëse e kryer në fshehtësi maksimale, kish prodhuar zëra që kishin nisur të shpërndaheshin në Jekaterinburg dhe që po trazonin jo pak Jurovskin; ja përse u vendos që të ndërrohet vendi i varrimit dhe të digjeshin dy prej kufomave. Po përse Jurovski vendosi të digjeshin ata trupa? Një mister i madh ka mbështjellë faktet e asaj nate dhe shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje. Një prej tyre është drejtpërdrejtë e lidhur me një ndodhi në Evropë, pak kohë më vonë. Në 17 shkurt të vitit 1920, nëntëmbëdhjetë muaj pas masakrës së Jekaterinburgut, një vajzë e re u hodh nga një urë, në kanalin Landvehr në Berlin. E shpëtuar nga një mrekulli, ajo u dërgua në spitalin Frojlain Unbekant. E panjohura deklaroi se ishte Princesha Romanov.

Historia e kësaj gruaje, e cila më pas mori emrin Ana Anderson, është vetëm një prej episodeve më tërheqës të misterit që lidhet me Romanovët dhe që ka lënë botën pezull, mes dyshimeve. Vetëm shumë vite më vonë, përmes krahasimit të ADN-së së saj me atë të Dukës së Edinburgut, një pasardhës i Romanovëve nga ana e të ëmës, erdhi siguria që Ana Anderson nuk i përkiste familjes së vrarë në Jekaterinburg.

Duke iu rikthyer ekzekutimit, në 17 korrik 1918, të nesërmen e ekzekutimit të kryer në bodrumet e Dom Ipatievit, një telegram që i dërgohej Svetlovit dhe Leninit i informonte këta të fundit se për shkak të mbërritjes së të Bardhëve në qytet, “Nikolla Romanov u ekzekutua dhe familja u evakuua në një vend të sigurtë”. Vetëm disa orë më vonë, po këtyre të dyve u mbërriti lajmi që “familja kish pësuar fatin e Carit dhe që zyrtarisht duhej të rezultonte e vdekur gjatë evakuimit”. Lajmi i vdekjes së Carit u shpërnda nga Moska, nëpër të gjithë Rusinë dy ditë më vonë, në 18 korrik, bashkë me shpjegimin për ekzekutimin e Nikolla Romanovit, duke specifikuar që familja e tij ndodhej e fshehur në një vend të sigurtë dhe se vendimi për ekzekutimin e Carit ishte marrë nga Sovjetët e Uraleve.

Këto zëra u pasuan nga një mbështetje totale e shtypit dhe e opinionit publik për këtë vepër të bolshevikëve. Pavarësisht gjithë këtyre, në 25 korrik, Jekaterinburgu ra në duart e të Bardhëve. Pararoja e tyre, me të hyrë në qytet u drejtua menjëherë drejt Dom Ipatievit, me shpresën për të gjetur Carin. Do të gjenin aty vetëm disa sende të përgjakura të familjes…

Mbetet pa përgjigje një pyetje e fundit: Kush kishte përgjegjësinë finale për masakrën? Ja cfarë ka shkruajtur Trocki në “Ditarin” e tij: “Erdha në Moskë nga fronti pasi Jekaterinburgu kish rënë. Në një bashkëbisedim me Sverdlovin, e pyeta: Ku është Cari tani? – Për të, mori fund. – Po ku është familja? – Edhe familja, njësoj si ai. Të gjithë?-e pyeta i befasuar. – Të gjithë, u përgjigj Sverdlovi. – Kush e mori vendimin? – E vendosëm ne, këtu. Lenini kërkoi që të mos linim pas asnjë simbol të gjallë, sidomos jo në gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshim”.

Ironikisht, tre ekzekutuesit më të zellshëm nga shtëpia Ipatjev u lejuan të jetojnë si qytetarë të respektuar sovjetikë, ndërkohë që pothuajse cdokush prej liderëve bolshevikë në Sovjetët Uralë që dhanë urdhërin për ekzekutimin, u ekzekutuan ose u zhdukën gjatë spastrimit të madh të Stalinit në vitet tridhjetë. Gjurmët janë të frikshme./bota.al

Related

Histori 7371904061400925546

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item