HISTORI MITESH / 40 “gënjeshtra” që kanë prodhuar kohërat

1. Piramidat u ndërtuan nga skllevërit Eshtë një prej klisheve më të qëndrueshme mbi Egjiptin e lashtë: turma skllevërish që nën goditjet e ...


1. Piramidat u ndërtuan nga skllevërit
Eshtë një prej klisheve më të qëndrueshme mbi Egjiptin e lashtë: turma skllevërish që nën goditjet e kamzhikëve shtyjnë blloqet e rëndë të piramidave. Por në fakt varret e faraonëve janë ndërtuar prej punëtorëve me pagesë. Konfirmimi vjen prej gërmimeve arkleologjikë në banesat e Gizës, që kanë sjellë në dritë varret e punëtorëve që 4500 vite më parë merrnin pjesë në ndërtimin e piramidave të Keopsit dhe Shefrenit: ishin egjiptianë dhe jo skllevër (që në Egjipt ishin vetëm të burgosur të huaj lufte).
Projektet e mëdhenj me interes kombëtar, piramida por edhe diga, i besoheshin popullsisë lokale, që angazhohej në një punë të detyruar gjatë kohës së plotave të Nilit, kur fushat nuk ishin të kultivueshme. Puna për ndërtimin e banesës së fundit të faraonit ofronte një pagë shumë të mirë. Familjet më të pasura dërgonin përditë 21 vica dhe 23 deshë në kantiere, në këmbim të lehtësive fiskale.
Megjithatë, mund të ndodhte që shpërblimet apo pagat të vinin me vonesë. Në këtë rast, punëtorët egjiptianë “shtriheshin” sipas shprehjes egjiptiane, apo më mirë, futeshin në grevë. Sipas dëshmive që kanë mbërritur deri në ditët tona kjo gjë ndodhte disa herë: një prej përshkrimeve më të rëndësishëm gjendet në një papirus që ruhet në Muzeun Egjiptian të Torinos, që flet për protesta të ndodhura në vitin 29 të mbretërimit të Ramses III. Bëhet fjalë për një epokë pas ndërtimit të piramidave, gjatë të cilës, megjithatë, punëtorët që merreshin me varret monumentalë (për shembull në Luginëne  Mbretit) kishin në dispozicion fshatra ku të jetonin rehatisht, me shumë shkolla.
Atëherë, si lindi besimi që janë ndërtuar nga skllevër? Faji ishte i historianëve grekë, që nuk arrinin të imagjinonin ndërtimin e konstruksioneve aq të mëdhenj pa praninë e masave të mëdha të skllevërve. Por edhe i Biblës, ku thuhet që skllavëria ishte shumë e përhapur në Egjipt.
2. Katakombet ishin vende kulti
Eshtë një besim fals, ashtu si dhe ai sipas të cilit ishin vendstrehime për të krishterët e parë gjatë persekutimeve, duke u bërë kështu kishat e para. Në të vërtetë ishin varreza, nekropole normalë si ata që përdoreshin edhe nga paganët. Ata të të krishterëve të Romës ishin për më tepër përgjatë Via Appia, dhe me zhvillimin e komunitetit u bënë më të mëdhenj dhe kompleksë, duke arritur thellësi deri 30 metra në shtufë. Por të vetmet rite që kryheshin ishin ata të varrimit të të vdekurve.
3. Qentë shënbernard mbanin faqore me konjak
Që qentë shënbernard shpëtonin viktimat e orteqeve me një gllënjkë alkool kjo është një shpikje e tetëqindës:  imazhi i qenit me një faqore konjak të varur në qafë ka lindur në fakt nga fantazia e piktorit natyralist anglez Edvin Landseer. Në vitin 1831 Landseer krijoi veprën e tij “Qentë roje të alpeve që rigjallërojnë një udhëtar në vështirësi”. Në pikturë, njëri prej dy qenve shënbernardë (emrin e marrin nga vendi ku kryhet stërvitja e tyre në Zvicër) mban të varur në qafë një faqore konjak. Ajo ikonografi bëri xhiron e botës. Në të vërtetë, këta qenë roje që në fillesë janë njohur si qentë e Alpeve apo qentë e Barryt dhe që përdoreshin për transport, nuk kanë mbajtur asnjëherë me vete alkool (që megjithatë nuk thuhet asnjëherë në këta raste).
4. Në Mesjetë digjeshin shtrigat
Të dhënat e mbledhura nga historianët flasin qartë: gjuetia e shtrigave, apo më saktë persekutimi i grave që dyshoheshin se kryenin hedhje falli dhe që përpiqeshin të hynin në kontakt me djallin, filloi vetëm në fundin e Mesjetës, rreth vitit 1430, dhe e arriti kulmin në vitet 500-600 në kulmin e Rilindjes, gjatë konflikteve fetarë mes katolikëve dhe protestantëve. Pikërisht në atë kohë u gjykuan për shtrigani 3 milionë persona (80 % gra), nga të cilat 40 mijë u dënuan me vdekje.
Gjatë “shekujve të errësirës”, Inkuizicioni ishte i pandalshëm mbi të gjitha ndaj heretikëve, që shpesh herë përfundonin në turrën e druve nëse nuk hiqnin dorë me betim, pa shfaqur ndonjë interes të vecantë për akuzat për shtrigani. Dhe disa papë në mesjetë u përpoqën madje të mbronin gratë e akuzuara se provokonin furtuna dhe sëmundje.
Nga fundi i Katërqindës të ashtuquajturat “shtriga”, apo më mirë gra të cilave u visheshin fuqi mbinatyrore, përfunduan në shënjestër. Nga momenti kur këto fuqi i përkisnin vetëm Zotit, kush dinte t’i vinte në veprim – thoshte Kisha – nuk mund t’i kish përftuar nga askush tjetër përvec Djallit. Akuza e aleancës me Satanain bëri që në atë pikë shtrigat të krahasoheshin me heretikët (mes të cilëve ata që aderonin në reformën e Luterit). Malleus maleficarum, teksti i shkruajtur në vitin 1486 nga dy domenikanë gjermanë e që u bë më vonë manual referimi për inkuizitorët hapej me frazën: “Të thuash që shtrigat ekzistojnë është katolike, ta mohosh është herezi”. Por nuk ishte vetëm Inkuizicioni që u hodh kundër grave. Përkundrazi, gjykatat protestante dhanë një kontribut shumë të madh në këtë kërdi që u bë. Në turrën e druve përfundonin gra që akuzoheshin për keqbërje me bazë praktikat e magjisë si dhe për adhurimin e demonit për ditë të shtune. Një thashethem ky lindur ndoshta nga rite paganë të keqinterpretuar prej të dërguarve të Papës. Gjuetia vazhdoi edhe pas Rilindjes, mes Gjashtëqindës dhe Shtatëqindës, dhe djegia e fundit e një shtrige ndodhi në Bavari, në Gjermani në vitin 1756, në kulmin e Iluminizmit.
5. Në vitin Njëmijë pritej fundi i botës
Që njerëzit në prag të Vitit Njëmijë ishin të terrorizuar për shkak të fundit të afërt të botës shpallur nga Apokalipsi është një legjendë e lindur mes pesëqindës dhe tetëqindës. Dhe profecia e famshme “Një mijë dhe jo më” atribuar Jezu Krishtit, është një interpretim i mëvonshëm i fjalëve enigmatike të Apokalipsit: “Pas një mijë vitesh Satanai do të tretet”. Burimet e kohës nuk përmendin asnjë lloj psikoze mes popullit (që duhet thënë gjithashtu se ndiqte kalendarë të ndryshëm).
6. Luftëtarët vikingë mbanin brirë në helmeta
Vikingët mbanin helmeta të pajisura me brirë, por jo në beteja: i mbanin nëpër ceremoni dhe nëpër festa, dhe në brirët e kafshëve ata pinin hidromel. Në fakt brirë mbi helmeta mbanin luftëtarët keltë. Ekuivoku lindi në të vërtetë në Gjashtëqindën, kur disa piktorë nisën të pikturojnë Gjermanë me veshje beteje me helmetat të dekoruara me brirë kafshësh. Ikonografia u mor më pas nga artistët e romanticizmit deri kur, në vitet njëzetë të shekullit tetëqind, piktori suedez Gustav Malstrom dekoroi edhe helmetat e vikingëve me brirë. Suksesi i helmetave me brirë u dekretua më pas nga cikli operistik i Richard Vagnerit “Unaza e Nibelungut” ku Valkiriet, hyjni luftëtare të mitologjisë nordike mbanin brirë kau të ngjitura në helmeta. Prej këtu lindën librat për fëmijë, kartonat dhe filmat.
7. Kryqi i thyer u shpik nga nazistët
Simbologjia e kryqit të thyer (në sanskrinishte svastika) e ka origjinën që në prehistori. Si simbol i ciklit të jetës dhe stinëve gjendet në objekte të Greqisë së lashtë, të qytetërimit indoiranian ashtu si edhe të atij gjermanik. Në Kinën e lashtë simbolizonte pikat kardinale. Në budizëm, që nga viti shtatëqind e këtej u shndërrua në një talisman, ndërkohë që në jainizëm (një fe indiane) katër anët e kryqit i korrespondojnë jetës së njeriut, asaj të perëndive, asaj të kafshëve dhe të të vdekurve. Përpara nazizmit, këtë simbol e përdorën në Gjermani lëvizjet që përqafonin ideologjinë nacionaliste gjermanike. Hitleri e mori në vitin 1920 si simbol tëpartisë nacionalsocialiste dhe më pas, duke i shtuar edhe shqiponjën e perandorisë, e shndërroi në simbolin e Rajhut të Tretë.
8. Kryqëzimi u shpik nga romakët
Lajmet e parë për dënimin në kryq i takojnë sumerëve. Grekët, në shekullin V para Krishtit kishin apotinpanismos (një dënim në shtyllë me thyerje të kockave) dhe në Romë ky lloj dënimi nisi të zbatohet vetëm në vitin 200 para Krishtit.
9. Xhokonda u vodh nga Napoleoni
Napoleoni grabiti shumë kryevepra italiane, por jo pikturën e Leonardos, e cila u dërgua në Francë nga vetë Leonardo, kur në vitin 1516 u transferua në oborrin e Francesco I.
10. Në Perëndimin e largët sfidoheshin në duele
Imazhi i dy pistolerëve që përballeshin përpara një saloon-i është një legjendë kinematografike. Të shtënat, në kufirin amerikan ishin të shumta por ekziston vetëm një rast i dokumentuar dueli: në 21 korrik 1865 në Springfield, Missouri pistoleri Bill Hickok vrau rivalin e tij në dashuri, Davis Tutt.
11. Kampet e përqëndrimit ishin një ide e nazistëve
Kampet ku mund të mbylleshin civilë mbi bazë etnike u ideuan nga anglezët gjatë Luftës së Dytë anglo-boere (1899-1902) në Afrikën e Jugut dhe jo nga nazistët. Britankët u vunë zjarrin të korrave dhe fshatrave të boerëve (kolonë me origjinë holandeze), dëbonin të moshuarit, gratë dhe fëmijët në kampe ku do të gjenin vdekjen më shumë se 40 mijë vetë. Britanikët, nga ana e tyre, sipas disa historianëve ishin frymëzuar prej spanjollëve, të cilët kishin mbyllur në kampe indigjenët e Kubës. Gjatë Luftës së Parë Botërore në Francë u ndërtuan kampe ku u mbyllën mijëra persona “fajtorë” se ishin gjermanë apo austriakë, dhe në vitet tridjetë Stalini nisi në BRSS internimet në masë. Por do të ishin nacionalistët turq, në vitet 1915-1916 që organizuan fushatën e parë sistematike: më shumë se 800 mijë armenë gjetën vdekjen në ata kampe përqëndrimi (shumë prej tyre në Siri). Një politikë genocidi e cila ishte burim frymëzimi edhe për Hitlerin. Nazistëve u mbetet parësia e kampeve të shfarosjes, qëllimi i të cilëve, përvec punës së detyruar, ishte vrasja e programuar në dhomat e gazit të hebrejve, romëve, homoseksualëve dhe personave me të meta mendore.
12. Feudalët gëzonin të drejtën e Ius Primae Noctis
“E drejta e natës së parë” ka hyrë në histori si e drejta e feudalit për të kaluar me bashkëshortet e shërbyesve të tij natën e parë të martesës. Në të vërtetë bëhej fjalë për një taksë (në para, jo në natyrë) që kërkohej nga zotëria në këmbim të miratimit të tij për martesën. Legjenda moderne në lidhje me epokën mesjetare u shfaq duke filluar nga Iluminizmi, i cili kishte një prirje për të denigruar Mesjetën si periudhë.
13. Filipidi lajmëroi fitoren e betejës së Maratonës
Sipërmarrjen e lajmëtarit Filipid i cili pas fitores së grekëve kundër persëve në maratonë rendi për të dhënë lajmin, duke vdekur menjëherë pas kësaj, e rrëfeu shkrimtari grek Luciano i Samosatës, pesë shekuj pas betejës. Historiani Herodoti, bashkëkohës i ngjarjeve duke rrëfyer për betejën fliste vetëm për një Filipid që rendte për t’u kërkuar ndihmë spartanëve.
14. Virgjëresha e Nurenbergut ishte një instrument torture
Një sirtar metalik me formë gruaje që, kur mbyllej shponte viktimën me thika shumë të mprehta. Mbetjet e trupit të copëtuar hidheshin, në Nyrenberg të Gjermanisë, në lumin që rridhte poshtë ndërtesës së gjykatës. Ndodhte në kulmin e Mesjetës, sipas filozofit gjerman Johann Siebenkees. Po të dëgjosh atë, instrumenti i vdekjes është përdorur për herë të parë në 14 gusht 1515 për të ndëshkuar një falsifikator. Por Virgjëresha e Nurenbergut ishte vetëm një frut i fantazisë së tij dhe të gjithë ekzemplarët që e paraqesin në muzetë e “torturës” janë ndërtuar nga tetëqinda e këtej.
15. Spanja ishte neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore
Pasi kishte peshuar nëse duhej të renditej në krah të Hitlerit, Spanja e Gjeneralit Franko në 1940 vendosi të mbajë zyrtarisht një pozicion jashtë luftimeve dhe që nga viti 1943, neutraliteti. Megjithatë, Franko, për t’i shlyer borxhin Hitlerit për mbështetjen që ky i kishte dhënë gjatë luftës civile spanjolle (1936-39) i ofroi atij disa vullnetarë, të cilët u përfshinë në Division Azul (“Divizioni blu”, nga ngjyra e këmishës). Divizionit, që komandohej nga Gjenerali Augustin Munoz Grandes, iu shtua më vonë Escuadrilla Azul, pilotë spanjollë që do të luftonin në drejtim të avionëve luftarakë gjermanë. Pasi luftoi në frontin rus, në vitin 1944 divizioni pjesërisht u asimilua në trupat gjermane, ndërsa një pjesë u riatdhesua e më vonë u shpërbë krejt.
16. Territori i Amerikës veriore nuk është bombarduar asnjëherë
Nuk është kështu: gjatë Luftës së Dytë Botërore, në 9 shtator 1942, në orën 6 të mëngjesit nga një nëndetëse japoneze në prani të brigjeve të Oregonit u ngjit një balonë e vogël e armatosur me dy bomba nga 30 kilogramë të cilat njëzetë minuta më vonë, u lëshuan pa shkaktuar shumë dëme, në qytezën e Brookings. Në vitet që pasuan japonezët do të provonin sërish të kapërcenin mbrojtjen amerikane me 9 mijë topa të zjarrtë. Një prej tyre goditi në shenjë pranë Bly, gjithmonë në Oregon, në 5 maj të vitit 1945 dhe një bombë 15 kilogramëshe shpërtheu duke shkaktuar vdekjen e Elsie Mitchell dhe pesë fëmijëve të saj.
17. Piratët e fshihnin nën tokë thesarin e tyre
Historitë me piratë janë të mbushura me harta thesari, me ishuj të humbur dhe me arka të mbushura me sende të cmuar e të fshehur nën tokë. Por në të vërtetë arkat e gjahtarëve të deteve që i kontrollonin këta të fundit në vitet 600 dhe 700 (epoka e artë e piraterisë) shpenzoheshin nga një bastisje në tjetrën dhe shumë pak thesarë shiheshin. Megjithatë, ka një përjashtim që në fakt konfirmon rregullin. Në vitin 1699 kapiteni Uilliam Kid, një pirat i famshëm skocez, fshehu nën  tokë frutin e grabitjeve të tij në Gardiners Island, pranë Nju Jorkut, atëherë një koloni angleze. I kushtoi karrierën: sendet e cmuar që u gjetën u shndërruan në një provë të pakundërshtueshme në procesin gjyqësor për akte piraterie që ishte ngritur kundër tij. Kid u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në vitin 1701.
18. Lëkurëkuqtë i hiqnin skalpin të bardhëve
Përkundrazi: ishin kolonët europianë, në fundin e viteve gjashtëqind, që përhapën në Amerikën Veriore këtë praktikë, gjurmët arkeologjike të të cilës janë të limituara në prehistori. Autoritetet koloniale ofronin deri në 100 stërlina për skalpin e një të riu indian (gjysmën për atë të një gruaje).
19. Hunda e Sfinksit u thye nga napoleonianët
Sigurisht nuk ishte faji i tyre: Napoleoni e pushtoi Egjiptin në vitin 1798 dhe ka pamje të Sfinksit pa hundë që i përkasin vitit 1737.
20. Spartanët i flaknin të sapolindurit me deformime
Arkeologjia ka treguar se eshtrat e gjetura në rrëzë të malit Taigeto, pranë Spartës, ishin ehstra të rriturish. Bëhej fjalë ndoshta për të dënuar me hedhje nga lartësia, një dënim për krime politike i parashikuar edhe në Athinënë shekullin IV para Krishtit. Nga ana tjetër, e vërtetë është që spartanët e vegjël, ashtu si edhe fëmijët e tjerë grekë, dërgoheshin në male për t’u forcuar.
21. Dante me profesion ishte poet
Dante Aligieri ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij shkrimeve, por profesioni i tij i vërtetë ishte një tjetër: ai i mjekut. E vërtetojnë rregjistrimi i rregullt, duke filuuar që nga viti 1295, në artin e mjekëve dhe të specialistëve dhe fakti që mbante shpesh herë veshur një rrobë të gjatë e të kuqe: bëhej fjalë për veshjen që demonstronte një profesion të një rangu të caktuar. Zgjedhja e tij kishte një qëllim preciz. Në Firence, një ligj detyronte këdo që dëshironte të mbante detyra publike që të rregjistrohej në një prej shoqatave kryesore të profesionistëve. Dhe Dante, për të bërë të mundur që të ushtronte pasionin e tij të madh për politikën, zgjodhi profesionin e mjekut.
Por a e bëri ndonjëherë mjekun Dante? Duket që po, nëse gjykon nga burimet historikë. Eshtë e sigurtë që mes viteve 1285 dhe 1287 frekuentoi Taddeo Alderottin, docent në Universitetin e Bolonjës dhe një figurë kryesore në ambientet mjekësorë të kohës. Por prova e vërtetë është familjariteti me termat mjekësorë që poeti demonstroi se e kishte në kryeveprën e tij Komedia Hyjnore, mbi të gjitha tek Ferri, që është njëkohësisht nëj udhëtim në botën e dhimbjes fizike dhe të sëmundjes.
Ja ndonjë shembull. Tek kënga XXIX, duke përshkruar dënimin të cilit i nënshtrohen falsifikatorët, ai sjell me një saktësi të madhe simptomat e zgjebes: të dënuarit, të mbushur me njolla dhe të mbërthyer nga një kruarje e madhe, nisin e kruajnë e gërvishtin njëri-tjetrin. Por ndoshta përshkrimi më i fortë është ai, në këngën XXVIII i trupit të copëtuar të Muhamedit, ku shfaqen shumë prej organeve të brendshëm, me një saktësi që vetëm një mjek është në gjendje t’i përshkruajë.
22. Uashington ishte presidenti i parë i SHBA
George Uashington ishte i pari i zgjedhur në bazë të Kushtetutës së sotme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kur ai e mori këtë post, në 30 prill 1789, Shtetet e Bashkuara ekzistonin prej 13 vitesh. Dhe në 1776, viti i firmosjes së Deklaratës së Pavarësisë, Kongresi i 13 kolonive kryesohej nga Peyton Randolf. Kongresi i Konfederatës i lindur në vitin 1781, pas humbjes së anglezëve (të cilët do ta njihnin shtetin e ri në vitin 1783) kryesohej në fillim nga John Hanson, i zgjedhur në bazë të neneve të konfederatës, teksti i parë legjislativ i SHBA. Pas të paktën tetë presidentëve të organizmave legjislativë, në mars të vitit 1789 hyri në fuqi Kushtetuta e sotme dhe Uashingtoni, gjeneral dhe hero i Luftës së Pavarësisë, u bë më në fund President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
23. Dashuria mes Abelardos dhe Eloisës ishte platonike
Historia e Abelardos (klerik dhe profesor i teologjisë i lindur në Bretanjë në vitin 1079) dhe Eloisës, që u bë e famshme për shkak të letërkëmbimit të zjarrtë dashuror që patën, filloi kur ajo ishte vetëm 17 vjec. Ai iu afrua duke u bërë mësuesi privat i saj, por shumë shpejt, sic shkruante vetë Abelardo, pati “më shumë puthje se sa shpjegime”. Nga marrëdhënia e tyre e fshehtë lindi madje edhe një djalë, i cili u quajt Astrolabio: u pasua nga një martesë e kryer në fshehtësi të plotë (për të mos dëmtuar karrierën e tij). Por prindërit e saj e pritën shumë keq këtë gjë dhe kërkuan tredhjen e Abelardos, ndërkohë që mbyllën në një manastir Eloisën dhe të birin.
24. Emri i pagëzimit i Mozartit ishte Amadeus
Kur lindi në Salsburg, në Austri, në 27 janar të vitit 1756 ai mori emrin Joannes Chrysostomus Volfgangus Theophilus Mozart. Po atëherë, përse sot e quajmë Volfgang Amadeus Mozart dhe ai vetë firmoste me këtë emër? Në familje quhej Volfgang, por shumë shpejt nisi të përdorë emrin e tij të latinizuar. Greku Theophilus (në letra ndonjëherë lexohet varianti gjerman Gottlieb) u shndërrua (për të ndjekur modën e kohës) në latinin Amadeus dhe nga viti 1777, në versionin frëngjisht Amade. Të gjithë emrat me të njëjtën domethënie, si në versionin italisht Amadeo “i dashur nga Perëndia”.
25. Lady Godiva dilte në xhiro mbi kalë krejtësisht lakuriq
Ndërkohë legjenda, e lindur në epokën mesjetare: Lady Godiva, e lindur në mesin e shekullit XI, ishte bashkëshortja e Leofric, kont i Mersias dhe zotëri i Conventryt në Britaninë e Madhe. Ai i ngarkonte të nënshtruarit e tij me taksa shumë të rënda ndërkohë që gruaja fisnike përpiqej që ta bindte që t’i reduktonte. Në fund Leofric pranoi, por vetëm me kushtin që bashkëshortja e tij të përshkonte lakuriq mbi kalë rrugët e Conventryt. Ajo nuk u tërhoq dhe e bëri këtë e mbuluar vetëm prej flokëve të saj të gjatë. Taksat u zhdukën përvec asaj mbi kuajt. Gjithcka (apo pothuajse) e shpikur, sipas historianëve. Thashethemnaja mendohet të jetë një jehonë e riteve shumë të përhapur në Britaninë e Madhe, si për shembull ai i pjellorisë, ku shoqërohej një vajzë krejt lakuriq e hipur mbi një gomar. Ndërkohë është e vërtetë që në Conventry, në kohën e Lady Godiva, taksoheshin vetëm kuajt.
26. Pas faljes, Galileo tha nën zë: “E megjithatë, lëviz”
Në vitin 1633 Galileo u dënua nga Gjykata e Inkuizicionit sepse këmbëngulte që Toka rrotullohej rreth Diellit (dhe jo e kundërta). Para se të nisej në Romë për procesin, shkencëtari i shkroi një letër të gjatë një mikut të tij Elia Diodati duke përshkruar librin në të cilin shpjegonte teoritë e tij (Dialog mbi dy sistemet më të mëdhenj të botës) “i neveritshëm dhe më i dëmshëm për Kishën e Shenjtë se sa shkrimet e Luterit dhe Calvinos”. Ishte pra shumë i vetëdijshëm mbi seriozitetin e situatës dhe rrezikun para të cilit e ekspozonin zbulimet e tij. Historia na tregon se Galileo nuk u dënua me vdekje sepse pranoi të heqë dorë, domethënë të mohonte zbulimet e tij shkencore dhe të rivendoste atë të vërtetë që donte Kisha. Megjithatë, rezulton e vështirë të besosh që – sic e thotë tradita – në një klimë armiqësie të tillë (që pak vite më herët kish sjellë djegien në turrën e druve të filozofit Giordano Bruno) Galileo do të guxonte të thoshte, ndonëse nën zë, “e megjithatë lëviz”, duke iu referuar Tokës. Dhe në fakt nuk ndodhi kështu: ky rindërtim i ngjarjeve u sajua në vitin 1757 nga gazetari Giuseppe Baretto, i cili shkruajti një antologji në mbrojtje të shkencëtarit. Ishte ai që e përshkroi Galileon si më të guximshëm nga sa kish qenë në të vërtetë.
27. Houdini vdiq gjatë njërit prej numrave të tij
Vdekja e iluzionistit të famshëm, Harry Houdini, në vitin 1926 nuk erdhi për shkak të rreziqeve që ai ndërmerrte gjatë numrave të tij. Në të vërtetë faji ka qenë i një studenti të apasionuar pas arteve marcialë i cili e sfidoi në një provë force, i cili e goditi me një grusht në stomak pa i dhënë kohë që të përgatiste muskujt e barkut. Një ditë më vonë, Houdini ndjeu dhimbje të forta, por vendosi që të dalë megjithatë në skenë. Pak ditë më vonë në Detroit, SHBA, me rënien e siparit ai zuri shtratin i sëmurë me temperaturë 40 gradë. Diagnoza: grushti në stomak kishte kontribuar për acarimin e një apandesiti edhe ashtu të acaruar. I operuar me urgjencë, Houdini ndërroi jetë në 31 tetor 1926, në moshën 56 vjec.
28. Jul Cezari erdhi në jetë me lindje cezariane
Fjala”cezariane” për të treguar mënyrën e lindjes ku i sapolinduri shkëputet në mënyrë kirurgjike nga barku i nënës, nuk buron nga lindja e Jul Cezarit në vitin 101 para Krishtit. Në fakt ajo vjen nga latinishtja caedere, domethënë “të presësh”. Në fakt e ka origjinën që nga shekulli VII para Krishtit lex caesarea, një ligj që përshkruante shkëputjen e fetusit tek të gjithë gratë që vdisnin në fund të shtatzanisë apo gjatë lindjes. Sipas burimeve të ndryshëm, të lashtë dhe të shekullit të 18, Cezari u quajt kështu sepse kish lindur në këtë mënyrë. Por edhe kjo është e pamundur sepse lindja cezariane përfshinte gjithmonë vdekjen e nënës. Në fakt nëna e Cezarit, Aurelia Cotta jetoi deri kur pa të birin të rritej.
29. Napoleoni quhej “kapurali i vogël” për shkak se ishte shtatshkurtër
Nuk ishte një gjigand, por sigurisht që nuk mund të quhej i shkurtër. Sipas burimeve, Napoleoni ishte i gjatë 1 metër e 69: një staturë për t’u respektuar për vitet në të cilët jetoi dhe gjithësesi mesatare për kohën. Eshtë i njohur fakti që gjatësia e popullaave vjen duke u rritur nga njëri brez në tjetrin falë përmirësimit të kushteve të ushqimit dhe atyre higjeno-sanitarë, deri kur arrin një nivel të qëndrueshëm (sic ka ndodhur për shumë popuj perëndimorë, por ende jo për disa ende në zhvillim e sipër). Atëherë, përse Napoleoni quhej le petit caporal, apo “kapurali i vogël”? Hipoteza e historianëve është që bëhej fjalë për një simpati që ushtarët ushqenin kundrejt tij pavarësisht moshës së re, dhe jo për shkak të gjatësisë.
30. Duke vdekur, Cezari tha: “Tu quoque, Brute, fili mi”
Me siguri që nuk ka thënë ato fjalë. Shkrimtari latin Svetonio (70-126) thotë se duke vdekur Cezari kishte thënë në greqisht “Kai su teknon” (Edhe ti, bir), sepse ajo ishte gjuha e elitës romake. Por ky version i fakteve vihet në dyshim nga vetë Svetonio, sipas të cilit Cezari, në atë ditë fatkeqe të marsit të vitit 44 para Krishtit, lëshoi vetëm një ofshamë dhe nuk tha asnjë fjalë. Fraza (që më vonë u përkthye në latinisht duke i shtuar edhe emrin e Brutit) pati megjithatë fat: përvec habisë së Cezarit tek shihte Marco Giunio Bruto, nxënësin e tij, mes vrasësve, është një shprehje e dramës universale të tradhëtisë.
31. De Coubertin ishte babai i Olimpiadës moderne
Babai i Olimpiadës moderne konsiderohet francezi Pierre de Coubertin (1863-1937), themelues i komitetit ndërkombëtar që organizoi edicionin e parë të lojërave në 1896 në Athinë. Por pothuajse një shekuj më herët, kur De Coubertin ende nuk kishte lindur, fryma e Olimpias kishte rilindur tashmë nëpërmjet botanistit britanik Uilliam Penny Brookes. Duke filluar nga viti 1850 ai organizoi përvit në kontenë e Shropshire një seri garash sportive që nga viti 1859 morën emrin Olimpiade. Kjo ngjarje u transferua edhe në Athinë. Mes të dyve nuk ka patur rivalitet. Dhe kur Brookes ndërroi jetë në 1895, de Coubertin vazhdoi pa asnjë konkurent lojërat e tij.
32. Einstein shkonte keq në shkollë
Ndryshe nga një legjendë shumë e përhapur (shumë e qëndrueshme sepse është paradoksale) që e përshkruan si një student shumë të keq, mbi të gjitha në matematikë, Albert Einstein (1879-1955) kishte një rendiment skolastik gjithmonë të mirë. Eshtë e vërtetë megjithatë që, në moshë të re, shkencëtari i ardhshëm ndihej si në siklet në bangat e shkollës për shkak të autoritarizmit në shkollat gjermane dhe që sjelljet e tij irritonin shpesh herë profesorët.
33. Buffalo Bill quhej kështu sepse vrau 5000 buaj në 18 muaj
U bë i famshëm për shkak të bëmave të tij në gjueti, he sipas burimeve, Uilliam Frederick Cody vrau 4180 kafshë në 18 muaj. Pra më pak se pesë mijë. Dhe nuk ishin as buaj (emri shkencor i tyre Bubalus). Bëhej fjalë në fakt për bizonë (Bison bison) dhe ngatërrimi lindi për shkak të një gabimi gjuhësor. Në fakt në anglisht, fjala buffalo përdorej për të treguar edhe bizonët. Nga ana tjetër, buajt, kafshë tipike afrikane dhe aziatike, nuk ekzistojnë në Amerikë, ku Buffalo Bill u mor si gjahtar për të siguruar ushqim për punëtorët që po ndërtonin linjat e para hekurudhore. Pikërisht atëherë u bë i famshëm dhe nga bëmat e gjuetisë mori edhe këtë emër.
34. Hitleri ishte gjerman…
Jo, ishte austriak. Lindi në Braunau am Inn, pranë Linzit – atëherë pjesë e perandorisë austrohungareze – në 20 prill 1889. Vetëm 24 vite më vonë u zhvendos në Mynih në Bavari, duke u larguar nga Viena ku qe transferuar pasi kish mbetur jetim. Në gushtin e vitit pasardhës Rajhu gjerman hyri në Luftën e Parë Botërore: ai u rregjistrua si vullnetar në Batalionin 16 të këmbësorisë bavareze, duke filluar më pas karrierën e tij politike.
35. … dhe ishte vegjetarian
Aspak. Eshtë e vërtetë që, për shkak të gjendjes shëndetësore të brishtë dhe hipokondrisë, ai përdori dieta të shumta, gjatë të cilave u privua nga alkooli dhe mishi, pa u bërë megjithatë asnjëherë tërësisht vegjetarian. Duket se ka qenë Ministri i tij i Propagandës, Joseph Goebbels që ka manipuluar këtë rrethanë për të shtyrë opinionin publik ta konsideronte Fuhrerin “më të mirë” dhe ta bënte të pranohej më mirë në shoqërinë e lartë, në nëj epokë kur vegjetarianizmi ishte shumë i përhapur mes intelektualëve dhe pasanikëve të gjysmës së Europës.
36. Neroni i binte lirës ndërkohë që Roma digjej
Historianët nuk i kanë besuar asnjëherë kësaj legjende. Atë e ka përhapur, dy shekuj pas zjarrit të madh që shkatërroi kryeqytetin, historiani Dione Cassio, duke sajuar që Neroni kishte hipur mbi kodrën Palatino dhe i kish rënë lirës si dhe kish kënduar këngën e zjarrvënies së Trojës. Për Neronin është thënë edhe që ka qenë ai përgjegjës për atë zjarrvënie (për t’i lënë vend Domus Aureas, apo sipas disa burimeve të tjerë për të favorizuar rinovimin urbanistik të qytetit). Këto gjëra i kanë thënë mbi të gjitha shkrimtarë armiqësorë ndaj politikës së tij, si Svetonio. Taciti ka thënë në fakt që Neroni, që ndodhej jashtë qytetit kur ndodhi zjarri, erdhi në Romë sapo mori lajmin, për të koordinuar ndihmën dhe për të frenuar dëmet.
37. Luftërat kartagjenase ishin 3
Në librat e historisë shkruhet se mes Romës dhe Kartagjenës, dueli për supremacinë në Mesdhe u ezaurua në tre luftëra, të quajtura kartagjenase. Vetëm se nuk ishin tre, por katër. Pas përplasjes së parë, që ndodhi për kontrollin e Sicilisë (264-241 para Krishtit) pati një luftë të rrufeshme pothuajse të harruar, që pati si teatër të vetin detet mes Sardenjës dhe Korsikës. Në vitin 241 para Krishtit Kartagjena ishte padrone e dy ishujve, por iu desh të përballet me revoltat e mercenarëve të saj në Afrikë, të nxitura prej romakëve. Roma, duke përfituar nga kjo situatë, në vitin 238 para Krishtit dërgoi disa prej legjioneve të vet për të pushtuar Sardenjën dhe Korsikën. Kartagjenasit u zunë në befasi dhe lëshuan pothuajse menjëherë, duke humbur kontrollin e dy ishujve që në vitin 227 para Krishtit u bënë provinca romake. Ishullorët rebelë patën edhe mbështetjen e kartagjenasve, por me luftën e dytë mes viteve 218 dhe 202 para Krishtit u sanksionua kontrolli romak mbi ta. Që solli edhe shkatërrimin e Kartagjenës me fundin e luftës së fundit (e katërta dhe jo e treta) në 149-146 para Krishtit.
38. Heronjtë e termopileve ishin 300
Sipas legjendës, mes 19 dhe 21 gushtit të vitit 480 para Krishtit në vendkalimin e Termopileve në Greqinë lindore, 300 spartanë arritën të ndalin (apo me thënë të vërtetën, vetëm të ngadalësojnë) marshimin e pushtuesve persë. Në të vërtetë, ushtarët grekë të dërguar në termopile ishin afro 7 mijë. Eshtë e vërtetë që, sipas burimeve të kohës, njerëzit e mbretit spartan Leonidha (garda e të cilit kishte 304 burra përvec sovranit dhe komandantëve) mbetën të izoluar nga pjesa tjetër e trupave aleate. Por gjithmonë sipas burimeve të lashtë, me ta ishin edhe 700 luftëtarë të qytetit të Tespie dhe 400 nga Teba (e cila ishte pushtuar tashmë nga persët).
39. Komandamentet e Moisiut ishin 10
Në Bibël, tabletat e ligjit që mbërritën tek Moisiu në malin Sinai nuk kanë një numër dhe nuk janë aspak një “dekalog” (një shprehje që u fut në tekste vetëm në shekullin III pas Krishtit). Bëhet fjalë në fakt për rregulla të shumtë e të shumëllojshëm, nga të cilët ata që më vonë do të bëheshin “10 komandamentet” janë vetëm dhjetë të parët. Jo vetëm kaq. Ekzistojnë mospërputhje mes hebraizmit dhe kristianizmit: për hebrejtë, për shembull, komandamenti i parë është “Unë jam Perëndia, Zoti yt” (për të krishterët është “Nuk do të kesh Zot tjetër përvec meje”) dhe i nënti e i dhjeti janë të shkrirë në një (ndërkohë që për të krishterët janë të ndarë, mes “Mos dëshiro gruan e tjetrit” dhe “mos dëshiro gjënë e tjetrit”).
40. Të gjithë kryqëzatat ishin kundër myslimanëve
Aspak. Ka patur kryqëzata edhe kundër kristianëve të tjerë. Më e njohura përfshiu Albigesët (nga Albi, një qytezë në jug të Francës), ë gjykuar si heretikë nga Kisha dhe që morën emrin “katarë” (nga greqishtja “katharoi” – të pastër) për shkak të jetës së tyre prej asketësh dhe në varfëri, një zgjedhje në kundërshtim me hierarkitë e tjera. Edhe për këtë arsye në vitin 1208 Papa Inocenti III nisi një kryqëzatë duke u ofruar atyre që do të merrnin pjesë në të të njëjtët shpërblime si për ata që luftonin në Tokën e Shenjtë. Pastaj ishte “kryqëzata e veriut” kundër paganëve balltikë (gjithmonë e kërkuar nga Inocenti III) dhe ajo kundër heretikëve husitë në Bohemi (1420)./bota.al

Related

Suplement 4891957697491776344

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item