HENRY KISSINGER/ Ja se si merr fund kriza e Ukrainës

Henry A. Kissinger* Debatet publikë për Ukrainën janë të përqëndruar tek konfrontimi. Por, a e dimë se ku po shkojmë? Gjatë jetës sime, kam ...

Henry A. Kissinger*

Debatet publikë për Ukrainën janë të përqëndruar tek konfrontimi. Por, a e dimë se ku po shkojmë? Gjatë jetës sime, kam parë katër luftëra që kanë filluar me entuziasëm dhe mbështetje të madhe publike, dhe për të gjitha këto luftëra, ne nuk dinim se si t’i përfundonim. Nga tre prej tyre u tërhoqëm në mënyrë të njëanshme. Prova e një politike është se si ajo përfundon, dhe jo si fillon.
Shumë shpesh, cështja e Ukrainës na paraqitet si një përplasje: a do të bashkohet Ukraina me Lindjen, apo me Perëndimin. Por, nëse Ukraina dëshiron të mbijetojë dhe të lulëzojë, ajo nuk duhet të jetë avanposti i njërës palë, kundër tjetrës – duhet të funksionojë si një urë mes të dyjave.
Rusia duhet të pranojë që, shtrëngimi i Ukrainës drejt statusit të shtetit satelit, dhe si pasojë zhvendosja sërish e kufijve të Rusisë, do ta dënojë Moskën që të përsërisë historinë cikleve vetëpërmbushës, të presioneve reciprokë me Europën dhe Shtetet e Bashkuara.
Perëndimi duhet të kuptojë që, për Rusinë, Ukraina nuk mund të jetë kurrë thjeshtë një shtet i huaj. Historia ruse ka nisur në atë që quhej Kievan-Rus. Feja ruse u përhap prej aty. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë prej shekujsh, dhe historitë e tyre kanë qenë të ndërthurura edhe më herët. Disa prej betejave më të rëndësishme për lirinë e Rusisë, duke filluar nga ajo e Poltavës në vitin 1709, janë luftuar në tokë të Ukrainës. Flota e Detit të Zi – mjeti i Rusisë për të projektuar fuqinë e saj në Mesdhe – ndodhet në Sevastopul të Krimesë, në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë. Edhe disidentë të famshëm, si Aleksandër Solzhenicini apo Josif Brodski, kanë këmbëngulur se Ukraina është pjesë integrale e historisë së Rusisë dhe, në të vërtetë, e vetë Rusisë.
Bashkimi Europian duhet të pranojë se vonesat burokratike, dhe nënshtrimi i elementit strategjik ndaj politikave të brendshme, në negociatat për marrëdhënien e Ukrainës me Europën, ka kontribuar për shndërrimin e një negociate, në krizë. Politika e jashtme është arti i përcaktimit së prioriteteve.
Ukrainasit janë elementi vendimtar. Ata jetojnë në një vend me një histori komplekse dhe një përbërje poliglote. Pjesa perëndimore u përfshi në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri ndanë “pre”-në. Krimea, 60 përqind e popullsisë së të cilës është ruse, u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, kur Nikita Hrushovi, një ukrainas, e shpërbleu si pjesë e festimeve të 300-vjetorit të një marrëveshjeje të rusëve me kozakët. Perëndimi është kryesisht katolik, lindja është kryesisht ortodokse. Perëndimi flet gjuhën ukrainase, lindja flet kryesisht rusisht. Cdo përpjekje nga njëri krah i Ukrainës për të dominuar tjetrin – sic ka ndodhur – do të cojë drejt një lufte civile, apo ndarjeje. Të trajtosh Ukrainën si pjesë e një konfrontimi Lindje-Perëndim, do të thotë të dëmtosh, për dekada të tëra, cdo shans për të afruar Rusinë dhe Perëndimin – sidomos Rusinë dhe Europën – në një sistem ndërkombëtar bashkëpunues.
Ukraina ka qenë e pavarur për vetëm 23 vite. Më parë, ajo është sunduar nga jashtë, qysh prej shekullit 14. Nuk është habi që udhëheqësit e saj nuk e kanë mësuar artin e kompromisit, aq më pak atë të perspektivës historike. Politika e Ukrainës pas shpalljes së pavarësisë, demonstron qartësisht se origjina e problemit qëndron tek përpjekjet e politikanëve ukrainas për të imponuar vullnetin e tyre në pjesë pabindura të vendit, fillimisht nga njëri fraksion, e pastaj nga tjetri. Ky është thelbi i konfliktit mes Viktor Janukovicit dhe rivales së tij kryesore në politikë, Julia Timoshenkos. Ata përfaqësojnë dy krahë të Ukrainës dhe nuk kanë qenë të gatshëm të ndajnë pushtetin. Një politikë e mencur e SHBA kundrejt Ukrainës, do të synonte të gjente një mënyrë, që dy palët e vendit të bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Ne duhet të kërkojmë pajtim, dhe jo dominimin e njërës palë.
Rusia dhe Perëndimi, dhe aq më pak palët në Ukrainë, nuk kanë vepruar mbi këtë parim. Secili e ka përkeqësuar stuatën. Rusia nuk do të ishte në gjendje të impononte një zgjidhje ushtarake, pa u vetëizoluar, në një kohë kur shumë prej kufijve të saj janë tashmë të pasigurtë. Për Perëndimin, demonizimi i Vladimir Putinit nuk është politikë. Eshtë një alibi për mungesën e një politike.
Putini duhet të kuptojë që, cilatdo qofshin ankesat e tij, një politikë imponimi ushtarak do të prodhonte një tjetër Luftë të Ftohtë. Nga ana e vet, SHBA duhet të shmangin trajtimin e Rusisë si një shtet jonormal, të cilit i duhen mësuar me durim rregullat e sjelljes që i ka caktuar Uashingtoni. Putini është një strateg serioz – gjithmonë në kuadrin e historisë së Rusisë. Nuk është pika e fortë e tij, të kuptuarit e vlerave dhe psikologjisë së SHBA. Po kështu, as edhe të kuptuarit e historisë dhe psikologjisë së Rusisë, nuk ka qenë një pikë e fortë e politikanëve amerikanë.
Udhëheqësit në të gjithë krahët duhet të rikthehen tek ekzaminimi i përfundimit të krizës, dhe jo të konkurrojnë për qëndrimin që duhet të mbajnë. Ja cila është ideja ime, për një përfundim të pajtueshëm me vlerat dhe interesat e sigurisë së të gjitha palëve:
  1. Ukraina duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht lidhjet e saj ekonomike dhe politike, duke përfshirë ato me Europën.
  2. Ukraina nuk duhet të hyjë në NATO, një pozicion që e mbajta disa vite më parë, kur doli për herë të fundit kjo temë.
  3. Ukraina duhet të jetë e lirë që të krijojë një qeveri që pajtohet me vullnetin e shprehur të popullit. Më pas, udhëheqës të mencur ukrainas do të zgjedhin një politikë pajtimi të pjesëve të ndryshme të vendit. Në nivel ndërkombëtar, duhet të kenë një pozicion të krahasueshëm me atë të Finlandës. Kjo e fundit nuk lë asnjë dyshim për pavarësinë e saj, dhe bashkëpunon me Perëndimin në shumicën e fushave, por shmang armiqësinë institucionale kundrejt Rusisë.
  4. Eshtë e papajtueshme me rregullat e rendit aktual botëror që Rusia të aneksojë Krimenë. Por është e mundur që marrëdhënia e Krimesë me Ukrainën të jetë më pak e tensionuar. Në këtë drejtim, Rusia do të pranonte sovranitetin e Ukrainës mbi Krimenë. Ukraina duhet të përforcojë autonominë e Krimesë, në zgjedhje ku duhet të jenë të pranishëm vëzhgues ndërkombëtarë. Procesi duhet të eleminojë cdo lloj paqartësie në lidhje me statusin e Flotës së Detit të Zi në Sevastopul.
Këta janë parime, jo receta. Njerëzit që e njohin rajonin, e dinë mirë që jo të gjithë janë të pranueshëm për të gjithë palët. Prova nuk është kënaqësia absolute, por pakënaqësia e ekuilibruar. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e bazuar mbi këta, apo elementë të tjerë të ngjashëm, do të ketë një rrokullimë drejt konfrontimit. Koha për të do të vijë shumë shpejt.
Henry A. Kissinger ka qenë Sekretar Shteti i SHBA nga viti 1973 deri në vitin 1977.

Related

Botë 4604004079203417992

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item