GJEOPOLITIKA E PASKRIZËS / Kush e humbi Europën?

Jeffrey Mankoff* Edhe nëse SHBA ia dalin në përpjekjen e fundit për të parandaluar aneksimin e Krimesë nga Rusia, kriza ukrainase do të ketë...

Jeffrey Mankoff*

Edhe nëse SHBA ia dalin në përpjekjen e fundit për të parandaluar aneksimin e Krimesë nga Rusia, kriza ukrainase do të ketë jehonë të gjatë në politikën e jashtme të SHBA. Gjatë pesë viteve të fundit, fokusi i administratës Obama ka qenë kufizimi i angazhimeve të SHBA jashtë vendit, ndërkohë që ka zhvendosur burimet nga Europa, në drejtim të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Bllokimi aktual në marrëdhëniet me Moskën, do e bëjë edhe më të vështirë. Përvecse do të dëmtojë më tej marrëdhënien SHBA-Rusi, ai do të detyrojë Uashingtonin që të marrë më seriozisht sigurinë e Europës, do të zvogëlojë mundësinë e një rezultati përmes negociatave në Siri, si dhe do të kufizojë madhësinë dhe ambiciet e riekuilibrimit që Uashingtoni kishte nisur në Azi.
Impakti më i drejtpërdrejtë i situatës aktuale do të jetë në marrëdhënien e Uashingtonit me Moskën. Ndonëse “rivendosja” e marrëdhënieve SHBA-Rusi ishte një arritje jo e vogël në mandatin e parë të Obamës, marrëdhëniet dypalëshe janë ftohur shumë vitet e fundit. Me tensionin në rritje për shkak të mbështetjes që Rusia i jepte regjimit të Asadit në Siri, shtypjes së disidentëve dhe të drejtave të homoseksualëve në vend, dhe vendimit për t’i ofruar strehim ish spiunit të NSA-së Eduard Snouden, administrata Obama mori një vendim të ndërgjegjshëm për të mos i patur më prioritet marrëdhëniet me Moskën, duke anuluar një samit të shtatorit 2013 dhe refuzuar të dërgojë një delegacion qeveritar të nivelit të lartë në Olimpiadën e Sochit.
Megjithëkëtë, Uashingtoni u përpoq të ruante një bashkëpunim të kufizuar me qëllim që t’i jepej fund një lufte civile në Rusi dhe të ndalej deri në një farë pike programi bërthamor i Iranit. Edhe përpara krizës në Ukrainë, po bëhej e qartë se një raund i dytë i bisedimeve për Sirinë në Gjenevë nuk po conte askund, dhe që fati i një marrëveshjeje për programin bërthamor të Iranit do të varej nga kontaktet e drejtpërdrejtë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Bashkë me zvogëlimin e trupave të SHBA në Afganistan (një zonë prioritare për bashkëpunimin SHBA-Rusi gjatë “rivendosjes”), këta zhvillime po e zvogëlonin tashmë interesin e Uashingtonit për partneritet me Moskën. Teksa nevoja për bashkëpunim nga Rusia po zvogëlohej ndjeshëm, pushtimi i Ukrainës krijon skenën për SHBA që të ftohet dhe më shumë, dhe të ndjekë një linjë më të ashpër ndaj Moskës, që me gjasa do të zgjasë shumë vite.
Por nuk do të preken vetëm marrëdhëniet me Kremlinin. Aleatët europianë të Amerikës kanë akuzuar shpesh administratën Obama se e ka marrë për të mirëqenë Europën. Për aq sa janë të justifikuara, këto kritika kanë pasqyruar një besim brenda administratës se problemi i sigurisë europiane – shqetësimi parësor i politikës së jashtme të Uashingtonit gjatë shekullit të fundit – ishte zgjidhur dhe se ishte koha për Europën që të shndërrohej në prodhuese, dhe jo konsumatore, e sigurisë. Fatkeqësisht, kriza ukrainase e ka vënë në dyshim këtë supozim.
Të paktën deri kur presidenti rus, Vladimir Putin të largohet një herë e mirë nga Kremlini, Uashingtoni do të duhet të fokusohet më shumë në mbështetjen e angazhimeve të aleancës së NATO-s dhe të ofrojë garanci për shtetet më të dobët në periferi të Europës, edhe nëse kjo nuk është në përputhje me dëshirën e administratës Obama për të ulur njëkohësisht shpenzimet për mbrojtjen dhe zhvendosë burimet nga Europa, në Azi. Uashingtoni ka marrë tashmë disa masa simbolike kryesisht afatshkurtra, për të ofruar garanci aleatëve, duke përfshirë konsultimet sipas Nenit 4 brenda NATO-s (kur një shtet anëtar beson se siguria apo pavarësia e tij janë në rrezik) si dhe duke dërguar avionë gjuajtës shtesë në shtetet balltikë si dhe personel ushtarak në Poloni. Në mesin e krizës aktuale, SHBA ndoshta do të duhet edhe të rishikojnë vendimin e tyre të vitit 2012 për të tërhequr dy brigada trupash luftimi nga Europa për të ulur kostot, dhe ndoshta do të mendojnë ridërgimin e forcave nga bazat tradicionale në Gjermani, për në krahun lindor të NATO-s. Po kështu, kriza e Ukrainës do të forcojë kundërshtimet në Capitol Hill ndaj planit të Sekretarit të Mbrojtjes, Chuck Hagel për të shkurtuar shpenzimet nga Pentagoni, duke ulur numrin e trupave tokësore të SHBA në vijim të tërheqjes nga Afganistani.
Agresioni rus ndaj Ukrainës do të hapë edhe debatin shumëvjecar për zgjerimin e NATO-s. Samiti i kësaj të fundit në 2008-ën në Bukuresht, që fillimisht i premtoi Gjeorgjisë një shteg drejt Aleancës – dhe ishte faktor në vendimin e Rusisë për të pushtuar Oshetinë e Jugut në 2008 – bëri një premtim të ngjashëm për Ukrainën, që atëherë udhëhiqej nga presidenti properëndimor, Viktor Jushenko. Ndonëse Janukovici e tërhoqi aplikimin e Kievit në NATO në vitin 2010, ngjarjet e fundit në Kiev me shumë gjasa do e rikthejnë këtë cështje në tryezën e bisedimeve.
Në varësi të rezultatit të zgjedhjeve të 25 majit, qeveria e re e Ukrainës mund të kërkojë një shteg të ri drejt NATO-s – sidomos nëse Rusia përpiqet të aneksojë Krimenë, duke hequr më shumë se 1 milionë rusë etnikë nga elektorati i Ukrainës dhe duke thelluar më tej ndjenjat antiruse gjetkë. Anëtarësimi i Ukrainës në NATO me gjasë do të provokonte Moskën drejt një përdorimi të focës në shkallë më të gjerë, që nga ana e vet do të conte drejt një carjeje brenda NATO-s, nëse aleatët do të hezitonin të përmbushnin angazhimin e sigurisë reciproke. Duke filluar që tani, Uashingtoni do të duhet ta trajtojë këtë cështje me një largpamësi të madhe strategjike, duke ekuilibruar të drejtën e ukrainasve për të zgjedhur të ardhmen e tyre, me pranimin që një lëvizje e nxituar drejt NATO-s mund të rezultojë shkatërrimtare.
Sigurisht, pasojat e krizës ukrainase shtrihen përtej Europës. Ndonëse bisedimet e Gjenevës po shkonin drejt dështimit, pushtimi i Krimesë me gjasë eleminon mundësinë që komuniteti ndërkombëtar të mundet të imponojë një zgjidhje për Sirinë. Asadi beson që kriza ukrainase i ofron atij një dritare për të kërkuar një fitore totale ushtarake. Përderisa armatimi i drejtpërdrejtë i rebelëve të përcarë të Sirisë rrezikon të fuqizojë një sërë ekstremistësh antiperëndimorë, opsionet e Uashingtonit po ngushtohen, dhe shpejt mund të duhet të tërhiqet ndërkohë që Asadi vazhdon të sundojë një Siri të brutalizuar dhe të paqëndrueshme.
Ndërkohë, edhe ambiciet e administratës në Paqësor mund të dëmtohen. Rezultati i besimit të Obamës se siguria e Europës ishte zgjidhur tashmë, ishte vendimi për të riekuilibruar burimet e SHBA në Azi. Faktorët që nxitën riekuilibrimin, përfshirë dinamizmin ekonomik të Azisë dhe potencialin e një Kine të fuqizuar që shkon drejt konfliktit me fqinjët, nuk do të ndryshojnë. Megjithëkëtë, aftësia e Uashingtonit për t’i dhënë më shumë peshë kësaj strategjie të riekuilibrimit do të limitohet prej nevojës për të marë më seriozisht sigurinë europiane.
Brenda Azisë, sfida e Uashingtonit do të jetë të garantojë aleatët nervozë si Japonia dhe Filipinet se kriza ukrainase nuk do të sjellë një dobësim të angazhimit ndaj parimit të integritetit territorial. Do të duhet gjithashtu të parandalojë përpjekjet e një Rusie gjithnjë e më të izoluar dhe paranojake, për t’u reshtuar strategjikisht me Kinën. Fatmirësisht, injorimi që Rusia i bën sovranitetit të Ukrainës nuk gëlltitet në Pekin, dhe qoftë edhe një Rusi gjithnjë e më e armiqësuar me Perëndimin do të hezitojë të bëhet partneri i vogël i Kinës. Ndërkohë, Japonia mbetet e prirur të thellojë bashkëpunimin me Rusinë, por pranon që veprimet e Moskës në Ukrainë e bëjnë edhe më të largët këtë mundësi.  Si rezultat, Azia mund të jetë e vetmja pjesë e botës ku interesat e SHBA dhe Rusisë do të vazhdojnë të ecin në binarë paralelë, edhe nëse bashkëpunimi aktiv tani nuk ka gjasa të ndodhë. Në rastin më të mirë, Uashingtoni mund të ofrojë mbështetje të heshtur për përpjekjet e Japonisë, Koresë së Jugut, Vietnamit dhe të tjerëve që të forcojnë marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë me Rusinë, që në terma afatgjatë mbetet një interes i SHBA, pavarësisht zhvillimeve në Ukrainë. Në rastin më të keq, do të përpiqet të promovojë një Azi të qëndrueshme dhe të përparuar, ndërkohë që përballet me një konflikt gjithnjë e më të gjerë në kufijtë e Europës. (foreign policy)/bota.al
* Zëvendës Drejtor i Programit për Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare

Related

Shtypi i huaj 8530624162117614469

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item