Fuqite ekonomike te se te ardhmes (Përse Perëndimi ende nuk ka “vdekur”)

Will Hutton Ja një pikëpyetje që po mban në ankth futurologë, strategë të sipërmarrjes, ekonomistë dhe ministra të jashtëm të të gjithë botë...

Will Hutton



Ja një pikëpyetje që po mban në ankth futurologë, strategë të sipërmarrjes, ekonomistë dhe ministra të jashtëm të të gjithë botës. Nga dhjetë ekonomitë më të mëdha të planetit, cilat do të ecin më mirë dhe cilat më keq gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshëm? Në 2013, SHBA ishin në vend të parë, me një ekonomi që është sa dyfishi i asaj të Kinës dhe trefishi i asaj të Japonisë, e treta në klasifikim. Pas Gjermanisë, në vend të katërt, Franca e kalon me shumë pak Mbretërinë e Bashkuar që ndodhet në vend të pestë. Më pas vijnë Brazili, Rusia, Italia dhe Kanadaja. India, e goditur prej rënies së monedhës së saj, është në vend të njëmbëdhjetë.
Opinioni mbizotërues, i ndikuar nga shkenca dhe ekonomia konvencionale, është i qartë, dhe është paraqitur në raportin vjetor të botuar prej britanikes “Centre for economics and business research (Cebr)”, me orientim konservator. Ekonomitë europiane, në mënyrë të vecantë Franca dhe Italia, do të rrëshkasin në mënyrë graduale nën peshën e taksave, shtetit social dhe plakjes së popullsisë. Kina është e destinuar të marrë vendin e parë, por vetëm në vitin 2028. India do të ngjitet në vend të tretë. Rusia do të përmirësohet, e po kështu Meksika dhe Brazili. Mbretëria e Bashkuar, nëse do të vazhdojë të reduktojë peshën e sektorit publik, nuk do të rrisë taksat, do të liberalizojë tregun e punës, do i mbajë dyert hapur për imigrimin dhe do të shkëputet nga Europa, do të humbasë vetëm një pozicion, duke shkuar në vend të shtatë. Por edhe nëse Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara do të ecin më mirë se sa Europa kontinentale, rënia relative e perëndimit do të vazhdojë.
Gazetat konservatore britanike i kanë marrë me entuziasëm projeksionet e Cebr. Disa gazeta kanë folur për një “rilindje” britanike. Por teoria ekonomike mbi të cilën bazohen këta parashikime, është e para që është në krizë. Vazhdojnë me mbivlerësimin e rolit të taksave të ulëta, të deregullimit, të eficiencës së pamunguar të tregjeve dhe të ineficencës së supozuar të shtetit, a thua tridhjetë vitet e fundit – e vecanërisht kriza financiare e 2008 – nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Sot, shkenca më e mirë ekonomike është në gjendje të ofrojë një lexim më të rafinuar të asaj që vë në lëvizje inovacionin, investimet, produktivitetin dhe rritjen ekonomike, në raport me besimin e verbër tek ulja e taksave dhe deregullimi i tregjeve. Ka një kritikë ndaj refuzimit për të kuptuar kompleksitetin e mekanizmave, përmes të cilëve ekonomitë dhe shoqëritë krijojnë dhe asimilojnë teknologjitë që janë në gjendje të sjellim një ndryshim rrënjësor. Edhe vlerësimet mbi cilësinë e sistemit institucional të një vendi – që nga organizimi i sipërmarrjeve tek besueshmëria dhe transparenca e shtetit – shpesh herë vazhdojnë të bazohen mbi një ide “shkëputëse” dhe predatore të kapitalizmit, dhe jo mbi aftësinë e tij të përfshirjes dhe krijimit të vlerës.
Për shembull, në librin “Përse dështojnë shtetet”, Daron Acemoglu i Mit dhe James Robin i Harvardit paraqesin rezultatet e 15 viteve studime mbi ngjitjen dhe rënien e një serie shtetesh. Jemi larg nga analiza e Cebr: sipas dy autorëve, ajo që i dallon shtete të ndryshëm është cilësia dhe eficenca e institucioneve ekonomikë dhe politikë. Kapitalizmi duhet udhëhequr në mënyrë të tillë që të lejojë të renë që të rimodelojë, dhe më pas të shkatërrojë në mënyrë ciklike të vjetrën: i duhet dhënë hapësirë një shumësie aktorësh dhe konkurrentësh, duhet favorizuar eksperimentimi dhe shtyrë shoqëria drejt pranimit të ndërmarrjes së risqeve. E gjithë kjo mund të ndodhë vetëm nëse institucionet ekonomikë dhe politikë nuk përfundojnë në duart e partive apo grupeve të oligarkëve egoistë që kufizohen vetëm tek nxjerrja e vlerës. Institucionet duhet të jenë të hapur dhe gjithëpërfshirës, duke sprapsur vazhdimisht ata që pasurohen vetëm në dëm të pjesës tjetër të sistemit. Acemoglu dhe Robinson kanë të drejtë, por vlerat e gjithëpërfshirjes, përgjegjshmërisë dhe transparencës nuk u përkasin vetëm institucioneve politikë dhe demokratikë. Kanë të bëjnë me integritetin dhe soliditetin e sistemit financiar; aftësinë e qeverive për të pranuar riskun për të investuar në teknologji ku investitorët të vetëm nuk investojnë; mekanizmat që pengojnë kompanitë që të përfundojnë në këshilla administrues pa skrupuj; përfshirjen në ambientet e punës. Acemoglu dhe Robinson, ashtu si FMN dhe OSCE e pranojnë se rritja e pabarazisë është një rrezik për shoqërinë. Pabarazia tregon se sa elita ka qenë e aftë të nxjerrë fitime në dëm të pjesës tjetër të shoqërisë.

Në të vërtetë, pothuajse të gjithë parashikimet e Cebr të ftojnë të jesh skeptik. Kina, Rusia dhe Meksika, të dominuara nga elita predatore, do të ecin vërtetë kaq mirë? A jemi të sigurtë që Europa është “për t’u hedhur”? Vë bast edhe që SHBA, nëse arrijnë të mbajnë larg ata të Tea party, do të mbeten në vend të parë. Mbretëria e Bashkuar mund të arrijë Gjermaninë, por vetëm nëse këmbëngul në rrugën e politikës industriale dhe hedh tutje antistatalizmin konservator. Mbi të gjitha, kam dyshime të fortë për rritjen e pafund të shteteve më autoritarë të Azisë apo Amerikës Latine. Perëndimi ende nuk ka vdekur./bota.al

Related

Ekonomi 6163626774422277775

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item