Frika për gaz në Evropë

Më shumë se një e treta e gazit që konsumohet në Evropë vjen nga Rusia. Me krizën në Ukrainë, rritet shqetësimi se Rusia mund ta mbyllë rubi...

Më shumë se një e treta e gazit që konsumohet në Evropë vjen nga Rusia. Me krizën në Ukrainë, rritet shqetësimi se Rusia mund ta mbyllë rubinetin e gazit. E si i bëhet pastaj?


Në krizën e Ukrainës nuk është fjala vetëm për politikë, por edhe për gaz. Rusia është një ndër prodhueset më të rëndësishme të gazit dhe furnizon një të tretën e gazit që konsumohet në Evropë. Një pjesë e madhe e gazit transportohet përmes tubacioneve ukrainase. Gati 40% e prurjeve të gazit në Gjermani vjen nga Rusia. Edhe më e madhe është varësia e shteteve baltike, sepse ato importojnë gati 100% të gazit të tyre prej Rusisë. Edhe në Ukrainë gjithçka varet prej gazit rus. Kësisoj me krizën e Ukrainës rritet edhe shqetësimi për furnizimin me energji në Evropë, sepse Rusia në të shkuarën, gjigantin e vet të lëndëve të para, “Gazprom”, e ka përdorur për qëllime politike.
Ndërkohë ukrainasit po e ndiejnë këtë. Që nga viti 2006 Rusia ia ka ndërprerë dy herë furnizimet me gaz Ukrainës. Arsyet: Grindja për kushtet e transitit dhe çmimet. Përveç kësaj Rusia ka dyshuar se Ukraina ka tërhequr gaz pa pagesë prej tubacioneve që kalojnë në territorin e saj. Edhe tani Ukraina sërish po e ndien pushtetin e Rusisë. Të mërkurën (5.3.2014) “Gazprom” komunikoi se do ta tërheqë uljen prej 30% të çmimit për gazin rus që i është bërë Ukrainës duke i kërkuar asaj që të shlyejë edhe borxhet. Për shtetin, që ndodhet në prag të falimentimit, kjo është një goditje e rëndë.

Evropa në dilemë?
Por si do të ndihet Evropa në rast se grindja përshkallëzohet dhe Rusia e mbyll rubinetin e gazit? “BE-ja nuk do të prekej fort”, – mendon Jonas Grätz nga Qendra Kërkimore për Politikën e Sigurisë në Zyrih. “Megjithatë, disa vende si Hungaria ose Bullgaria me gjasë mund të preken më shumë sesa Evropa Perëndimore, ku rezervat e gazit ende janë rreth 60% të mbushura. Kjo do të thotë, se konsumi është i siguruar deri për katër muaj”. Një avantazh tjetër është edhe se dimri i butë sivjet bëri që konsumi i gazit të ishte relativisht i ulët.
“Përveç kësaj ne kemi një ofertë me tepricë në tregjet ndërkombëtare të gazit”, – thotë Claudia Kemfert, eksperte e energjisë pranë Institutit gjerman për Studimet Ekonomike, DIW. “Por në periudhë afatgjatë Evropa nuk është e përgatitur sa duhet që një të tretën e gazit ta tërheqë nga burime të tjera. Veçanërisht vlen kjo për vendet e Evropës Juglindore, që sasinë më të madhe të gazit e marrin prej Rusisë”, – thotë Kemfert.
Nëse bllokohet rruga përmes Ukrainës, atëherë gazi rus mund të transportohet edhe përmes tubacioneve të rrjetit Nord Stream. Kjo linjë kalon nga Rusia përmes Detit Baltik direkt në Gjermani dhe ndërkohë linja nuk është e shfrytëzuar shumë. Krahas kësaj përçohet edhe një pjesë e madhe e lëndës djegëse përmes linjës Jamal, që kalon nga Bjellorusia dhe Polonia për në Gjermani. Nëse nuk vjen më gaz nga Rusia, gazi i lëngshëm natyror mund të transportohet me cisterna nga Lindja e Mesme për në Evropë. Por në Republikën Federale të Gjermanisë nuk ka p.sh. një terminal për cisterna të tilla. Në rast se do të ketë pezullim për një kohë të gjatë të furnizimeve nga Rusia, atëherë blerja e gazit duhej të zhvendosej drejt linjave të tjera të furnizimit si p.sh. nga Algjeria apo Norvegjia.
Në periudhë afatgjatë Evropa mund të marrë gaz nga Irani, nëse ky vend hapet më shumë. “Por Irani ka një pozicion relativisht të mirë gjeografik, që mundëson p.sh. edhe eksportet për në Pakistan dhe Indi”, – tërheq vëmendjen eksperti i energjisë, Grätz.

Politika demonstron qetësi
Furnizimet me gaz në BE nuk janë të rrezikuara prej krizës në Krime, thuhet zyrtarisht nga Komisioni i BE-së dhe nga qeveria gjermane. “Tani për tani nuk ka arsye për t’u shqetësuar”, tha komisari i BE-së për Energjinë, Günther Oettinger të martën në Bruksel (4.3.2014). Prej dimrit të butë sivjet depozitat e gazit janë të mbushura më mirë se vitin e kaluar. “Gjatë kësaj periudhe deri në ditët e Pashkëve depozitat do të mbeten gjysmë të mbushura, nëse moti nuk ndryshon rrënjësisht”.
Përveç kësaj Rusia të paktën për Evropën Perëndimore deri tani ka qenë “furnizuese që i ka qëndruar absolutisht besnike kontratave”, – tha ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel. Megjithatë, komisari Oettinger u tërhoqi vëmendjen përgjegjësve në Moskë, që t’u përmbahen marrëveshjeve ekzistuese duke theksuar, se “të gjithë do të bënim mirë, që t’u përmbahemi detyrimeve tona”.

Ndërprerja e furnizimeve me energji do të ishte autogol për Rusinë
Por duket e vështirë, që Rusia t’i ndërpresë furnizimet me gaz në Evropë. “Rusia është shumë e varur prej furnizimeve me energji në Evropë”, – thotë Claudia Kemfert. “60% e të ardhurave të shtetit në Rusi vijnë prej shitjes së naftës, gazit dhe qymyrgurit. Një pjesë e madhe e shitjeve realizohen në Europë. Ndaj Rusia do t’i prishte punë vetes me një hap të tillë”.
Kjo është arsyeja, përse Jonas Grätz mendon se: “Duhet reaguar ndryshe ndaj varësisë së Rusisë prej tregut evropian”. Një mundësi, sipas saj, është që kundrejt “Gazpromit” të mbahet një qëndrim më i vendosur dhe të aplikohen rregullat e tregut evropian të gazit. Për Putinin, thekson më tej ekspertja, “Gazpromi” është jashtëzakonisht i rëndësishëm si një mjet gjeopolitik. Nëse ndalohet eksporti i gazit për në Evropë, “Gazpromit” do t’i krijohen vështirësi, sepse 60% e të ardhurave vijnë atij prej tregut evropian. “Nëse “Gazpromi” nuk ecën mirë, atëherë edhe Putini do të ketë probleme, sepse ai ka nevojë për këtë sipërmarrje, si për zbatimin e projekteve si Soçi dhe për furnizimet me gaz në rajonet e largëta, ashtu edhe për ta përdorur ndërmarrjen si një mjet në politikën e jashtme”, – thekson Grätz
Gjithashtu Rusia edhe në sektorë të tjerë të tregtisë është e lidhur ngushtë me BE-në. Ndërkohë Rusia është partneri i tretë më i rëndësishëm i BE-së. Në 2012 rusët kanë eksportuar mallra në Evropë në vlerën 215 miliardë euro dhe kanë importuar në Rusi mallra në vlerën 123,4 miliardë euro. Gjermania është për Rusinë partnerja e tretë më e rëndësishme në tregti dhe furnizon kryesisht automjete, makineri dhe produkte kimike. Nga ana tjetër Rusia zë vendin e njëmbëdhjetë – pak pas Polonisë – në listën e partnerëve të rëndësishëm tregtarë të Gjermanisë./standard

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item