Energjia: Gazi dhe konflikti i të ardhmes

Ndërsa disa analistë besojnë se bota po i afrohet epokës së Luftës së Dytë të Ftohtë, arma e vetme e fuqishme që kontrollohet nga Rusia ësht...

Ndërsa disa analistë besojnë se bota po i afrohet epokës së Luftës së Dytë të Ftohtë, arma e vetme e fuqishme që kontrollohet nga Rusia është rezerva e saj e stërmadhe e gazit, e cila në të shkuarën është përdorur për të blerë vende apo për të detyruar vende të dorëzohen


Nëse ka ndonjë fjalë kyçe që ka acaruar marrëdhëniet lindje-perëndim përgjatë dekadës së fundit, kjo fjalë ka qenë pikërisht gazi. Burimet e gazit natyror në botë janë të bollshme, të mjaftueshme për të mbuluar konsumin aktual për 250 vjet dhe, më e rëndësishmja, ato gjenden të shpërndara në të gjitha kontinentet. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që gazi do të zëvendësojë gjerësisht qymyrin si lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike.
Përgjatë viteve të fundit, bota ka dëgjuar për luftë gazi, luftë për tubacione gazi si dhe, së fundmi, luftë për ndalimin e tubacioneve të gazit.
Në vitin 2006, Rusia kërkoi dhe mori një rritje në çmimin e gazit që i shet Ukrainës nga 160 dollarë për mijë metra kub në 230 dollarë. Vitin e kaluar, Ukraina pagoi 400 dollarë për gazin rus dhe shkoi drejt falimentimit. Rusia i premtoi ulje të çmimit të gazit në 260 dollarë në këmbim të largimit nga Bashkimi Europian. Rritja e çmimit të gazit për Ukrainën qe një nga faktorët që solli edhe rrënimin financiar të këtij vendi.
Rusia, ndërkohë prej kohësh kërkon të shmangë vendet kufitare transit në eksportet e saj të gazit në Europë, ndërsa ka disa politikanë në Bashkimin Europian që prej vitesh përpiqen të organizojnë një përgjigje pan-europiane ndaj kësaj situate përmes kërkimit të burimeve alternative.
Megjithëse gazi natyror është i përhapur në të gjitha kontinentet, katër vende disponojnë rreth 65 për qind të të gjitha rezervave të njohura deri tani në botë. Rusia, Irani, Katari dhe Turkmenistani disponojnë së bashku 125 trilionë metra kub gaz, ku Rusia disponon më vete 49 trilionë. Dy nga këto katër vende kanë probleme politike. Turkmenistani është thellë në brendi të sferës së influencës së Rusisë, ndërsa Irani ka probleme që njihen.
Vendi i vetëm që aktualisht gjendet jashtë kontrollit të Rusisë është Katari, një shtet i vogël që fle mbi rezerva gazi të barasvlefshme me 17 trilionë dollarë të sotëm.
Gazi i Katarit raportohet se është një nga arsyet e mbështetjes së vendosur të Rusisë për regjimin e Bashar al-Assad-it në Siri. Thuhet se nëse Siria bie nën kontrollin e Arabisë Saudite dhe Perëndimit, një tubacion gazi është i mundshëm për të transportuar gazin e Katarit drejtpërsëdrejti në Mesdhe. Reuters raportoi pak muaj më parë se Arabia Saudite i ka bërë një ofertë Rusisë, duke i premtuar miliarda dollarë blerje armatimesh, si dhe premtimin që në Siri nuk do të kalojë një tubacion gazi për të cenuar kontrollin rus mbi energjinë e konsumuar në Europë.
Gazi ka edhe një problem tjetër. Për shkak se infrastruktura e transportit të tij është specifike, sot nuk mund të flitet për treg gazi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Çmimet e gazit përcaktohen shpesh në kontrata të mbyllura (take or pay) afatgjata.
Para shumë viteve, Bashkimi Europian u përpoq të gjente një zgjidhje për situatën. Zgjidhjet e disponueshme qenë dy: ndërtimi i terminaleve të degazifikimit ose ndërtimi i tubacioneve jashtë kontrollit të Rusisë. Tubacioni kryesor u quajt Nabucco. Ai synonte të krijonte një tubacion të stërmadh nga Lindja e Mesme për në Austri. Tubacioni do të shërbente për të blerë gaz nga shumë vende të Lindjes së Mesme, ku Iraku qe shpresa kryesore dhe ta shiste atë në shumë vende të Europës Perëndimore.
Rusët e kundërshtuan këtë projekt me disa nisma. Filluan të ndërtojnë me shpejtësi gazsjellësin e Rrymës së Jugut (Southstream). Ky gazsjellës dërgon gazin rus në rajonin e Ballkanit, duke anashkaluar Ukrainën. Ai kalon poshtë Detit të Zi për të vijuar në Ballkan drejt Hungarisë dhe Austrisë dhe në Greqi drejt Italisë. Pritet të fillojë punë më 2015.
Pastaj u propozua Rryma e Veriut (North Stream), e cila duhej të kalonte poshtë Detit Balltik për të lidhur Rusinë me Gjermaninë dhe duke anashkaluar Bjellorusinë dhe Poloninë. Kur Gjermania nënshkroi një pakt për projektin në fjalë, një ministër polak, Radoslav Sikorski, komentoi se ai qe i ngjashëm me paktin Molotov–Ribbentrop, i cili në prag të Luftës së Dytë Botërore, e ndau Poloninë mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Plani europian për Nabucco-n thjesht humbi çdo shpresë për realizim kur shumë qeveri europiane, përfshirë Gjermaninë dhe Austrinë, pranuan ofertat ruse në vend që të qëndronin të përqendruar në realizimin e konkurrentit rus.
Projektet ruse duket se nuk bëjnë gjë tjetër veçse i joshin shtetet europiane një nga një për të vijuar të ruajnë furnizimet pothuajse ekskluzive nga Rusia ndërsa ulin varësinë e Moskës nga Ukraina si shtet transit për këtë gaz.
Konkurrenca më e madhe për gazin rus ka ardhur nga zhvillimi i teknologjisë së nxjerrjes. Në SHBA dhe Kanada është arritur të nxirret me sukses gaz nga burime që më parë konsideroheshin joekonomike. Gazi i zënë në shtresat argjilore të tokës po ekstraktohet duke përdorur frakturimin hidraulik të shtresës argjilore. Konsiderohet një teknikë shumë e dëmshme mjedisore, por sakaq po ndryshon hartën e furnizimit me energji të botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë konsumatori më i madh i gazit në botë, po bëhen të pavarura nga importet e gazit falë kësaj teknologjie, ndërsa qymyri amerikan po eksportohet në Europë, duke ulur varësinë e kontinentit nga gazi rus.

Ngjarjet e fundit në Ukrainë ka gjasa që do ta bashkojnë Europën në kërkim të burimeve alternative të energjisë. Dhe gazi argjilor ka gjasa do të jetë mekanizmi më i madh i presionit ndaj Rusisë.

Related

Shtypi i huaj 4354360075544710682

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item