Elbasani, nga “Skampis”, deri në ditët e sotme

“Kryeqyteti i ditës së verës”, “qyteti i luleve” apo “kryeqyteti i poezisë shqipe”. Në kohën e komunizmit Elbasanit i shkonte për shtat emri...

“Kryeqyteti i ditës së verës”, “qyteti i luleve” apo “kryeqyteti i poezisë shqipe”. Në kohën e komunizmit Elbasanit i shkonte për shtat emri “qyteti i metalurgëve”
Nga Miranda SADIKU

I njohur dikur me emrin Skampis, qyteti në “kërthizë” të Shqipërisë, që sot njihet me emrin Elbasan, është ndër zonat më të hershme që vërtetojnë trashëgiminë dhe kulturën e lashtë të vendit tonë. I shtrirë në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit, Elbasani njihet si “kryeqendra e ditës së verës”, një festë pagane që më mirë se kudo tjetër festohet në këtë qytet të Shqipërisë së mesme. Njihet dhe si “qyteti i luleve”, ndërsa dikush në ditët e sotme e ka quajtur edhe “kryeqyteti i poezisë shqipe”. Në kohën e komunizmit Elbasanit i shkonte për shtat emri “qyteti i metalurgëve”.
Elbasani në lashtësi
Elbasani, sipas studiuesve, është një vendbanim i lashtë, i ngritur në një pozicion të përshtashëm gjeografik. Si stacion i rrugës “Egnatia” përmendet në shekullin e II të erës sonë me emrin Skampis dhe fakti që vërtetoi plotësisht vendndodhjen e qytetit është guri i varrit të legjionarit Mark Sabiti, i cili ruhet në ditët tona në Muzeun Etnografik në Elbasan. Specialistët vlerësojnë se guri në fjalë është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të Elbasanit. Nga dokumentet studimore rezulton se qyteti filloi rënien në shekullin e V të erës sonë, me dyndjen e fiseve barbare. Ndarja e perandorisë romake ndikoi në rënien e Skampisit si qendër tregtare, e cila e la qytetin në periferi të Perandorisë Bizantine, duke humbur në të njëjtën kohë dhe rëndësinë e rrugës “Egnatia”.
Në fillim të shekullit të VI, si pasojë e pushtimit të Italisë nga perandori Justinian, lëvizjet në rrugën ‘Egnatia’ rigjallërohen dhe kësisoj kalaja e Skampisit kaloi në një proces rindërtimi, ndërsa vetë qyteti nisi të merrte jetë. Sipas dëshmive historike, në atë kohë qyteti u evidentua si një qendër tregtare, peshkopate e ushtarake, me katedrale, kisha e bazilika të shtruara me mozaikë. Nga një dokument i botur në vitin 2001, mësohet se në shekullin e IX, Elbasani u pushtua dhe u grabit nga dyndjet e bullgarëve. Po sipas këtij dokumenti, pas këtij pushtimi, jeta ekonomike e qytetit, në kushtet e një ekonomie natyrore brenda marrëdhënieve feudale, nisi të merrte një zhvillim. Spikatën këtu zonat përrreth qytetit si në Bradashesh, në manastririn e Shën Gjonit në Shijon, ku organizoheshin edhe panaire të ndryshme.
Emri i një qyteti
Më 1466 Sulltan Mehmeti II ndërtoi kalanë si pikë mbështetjeje për trupat osmane, kala e tipit fushor ndër më të mëdhatë në Ballkan, e cila sipas studiuesve, u emërtua Elbasan. I pari që deshifroi mbishkrimet në këtë kala dhe më pas emrin e saj ishte orientalisti Babinger, i cili bëri të njohur dhe prejardhjen e këtij emri. Shpjegimin më të plotë dhe më të saktë të këtij emri e ka sjell shkencërisht orientalisti shqiptar Vehxhi Buharaja. Sipas tij, emri Elbasan është me prejardhje turke dhe kjo vërtetohet nga një mbishkrim i gjetur tek muri i portës së kalasë, ku shkruhet “IJL – basan”, e cila ka një kuptim të caktuar në turqisht.
Nga pikëpamja fjalëformuese dhe morfologjike, fjala IJL do të thotë ( vend, krahinë) dhe basan, është një emër foljor veprues, sipas gramatikës së gjuhëve neolatine, që do të thotë shtypës. Ijl– basan, në turqisht do të thotë “vura dorë” ose shtypa. Ky emër me kalimin e shekujve pësoi ndryshime fonetike në përdorim nga shqipfolësit deri sa arriti në Elbasan. Me pushtimin turk, në qytet filloi të përhapej myslimanizmi, ndërkohë që në qytet u zhvillua ndjeshëm zejtaria dhe tregtia. Në mesin e shekullit të XVII, në qytet numëroheshin 2000 shtëpi dhe 900 dyqane zeje, kryesisht të përpunimit të lëkurës, leshit, mëndafshit, metaleve dhe sidomos argjendit.
Ndikimi i zejeve të Elbasanit shtrihej në të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe deri në Ohër të Maqedonisë. Në qytet u ruajt tradita me ndërtime të tipit “elbasanas”. Një ndër to është dhe Kulla e Sahatit, e cila u ngrit në vitin 1899 me një lartësi prej 30 metra. Lëvizja arsimore e kulturore mori një zhvillim të gjithanshëm dhe u mbështet nga shtresa të ndryshme të popullsisë. Pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1920 – 1924, Elbasani u shndërrua një nga qendrat e lëvizjes përparimtare. Gjatë sistemit monarkist zejet morën një zhvillim të vrullshëm, ndërsa në atë kohë u ndërtuan dhe mjaft objekte si prefektura, bashkia, ujësjellësi i ri i qytetit, banka shtretërore, centrali elektrik etj. Gjatë asaj periudhe u vu re një përkujdesje ndaj gjelbërimit, kultivimit të agrumeve dhe bimëve frutore, ullishteve që rrethojnë aktualisht qytetin. Ndaj dhe jo rrallë, Elbasani cilësohej nga udhëtarët e huaj, si qyteti i luleve. Shkolla normale dhe intelektualët që e drejtonin atë, të arsimuar në perëndim, ndikuan në zhvillimin e jetës arsimore dhe kulturore të qytetit. Në vitin 1942, në Elbasan u krijua bërthama e rinisë Antifashiste Nacional Çlirimtare, ndërsa pas çlirimit qyteti njohu ndryshime të tjera politike, ekonomike, sociale etj.
Elbasani sot
Elbasani shtrihet në qendër të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 1372 km2. Qyteti ka një shtrirje të gjerë me disa rrugë kryesore, të cilat shërbejnë si arterie për të lidhur me njëra- tjetrën pjesë të ndryshme të qytetit. Është një nyje e rëndësishme transporti me stacion hekurudhor, ndërsa gjatë regjimit komunist ka qenë një qendër e rendësishme industriale, pasojat e së cilës po i vuajnë sot qytetarët. Tashmë kombinati metalurgjik nuk funksionon. Në një pjesë të mjediseve të tij ushtrojnë aktivitetin prej disa vitesh disa kompani të ndryshme.
Me ardhjen e demokracisë në vitet ’90 në qytet nisën aktivitetin dhjetra biznese, të cilat me kalimin e viteve janë rritur dhe shtuar në numër, duke i dhënë një impakt pozitiv zhvillimit të këtij rajoni. Elbasani çdo ditë dhe më tepër po zhvillohet, ai njihet dhe për shumë vende turistike, mes tyre pika e Bushekut, trevë e dikurshme e Arianitëve dhe vendi ku Gjergj Arianiti theu disa herë ushtritë osmane. Pas nuk mbetet dhe pika turistike në Labinot, Mirakë, Belsh, Gjinar etj, të cilat formojnë një ansambël çlodhës e argëtues për qytetarët. Kjo zonë njihet edhe për rezervat ujore, rezerva për industrinë, etj, të cilat pritet të përfshihen në projekte, me synim zhvillimin e mëtejshëm të një qyteti, dikur me emrin ‘Skampis’.

Related

Histori 8992954196343594293

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item