Debati: Mirë se vini në Luftën e Ftohtë II

Kriza e Krimesë shënon lindjen e një epoke të re, Lufta e Ftohtë II, një konflikt shumë i ngjashëm, por jo aq intensiv sa Lufta e Parë e Fto...

Kriza e Krimesë shënon lindjen e një epoke të re, Lufta e Ftohtë II, një konflikt shumë i ngjashëm, por jo aq intensiv sa Lufta e Parë e Ftohtë, por që edhe një herë po shkaktohet nga një paqe joperfekte
DMITRI TRENIN, Foreign Policy

Perëndimi dhe Rusia kanë lundruar në det të panjohur. Krimeja de facto ka shpallur pavarësinë nga Kievi. Rusia ka ndërhyrë efektivisht për të siguruar një entitet të ri pa pasur nevojë që të hapë zjarr.
Policia e Ukrainës, forcat e sigurisë dhe ushtria në gadishull janë neutralizuar, shumë prej tyre shpallën besnikërinë ndaj Republikës Autonome të Krimesë. Në Kiev, qeveria e re flet për agresion rus dhe urdhëron mobilizim, – edhe ndërsa ajo humbet kontrollin mbi disa qytete të rëndësishme në lindje dhe në jug.
Ndërkohë, Perëndimi i është përgjigjur me pezullim të përgatitjeve për samitit të G-8 në Soçi. Presidenti i SHBA-së ka thënë se Rusia do të paguajë një çmim të lartë për veprimet e veta dhe Sekretari i Shtetit ka publikuar një meny sanksionesh të mundshme e masash të tjera.
Kështu, epoka post-Luftës së Ftohtë mund të duket, në retrospektivë, si një periudhë mes dy luftërave të ftohta. Zhvillimet e fundit i kanë dhënë fund në praktikë interrenjumit të partneritetit dhe bashkëpunimit mes Perëndimit dhe Rusisë që në përgjithësi ka triumfuar përgjatë një çerekshekulli pas Luftës së Ftohtë.
Nga pikëpamja gjeopolitike, kjo periudhë ka parë një reduktim masiv të pushtetit dhe ndikimit të Rusisë në Europë dhe Euroazi, krahas mbërritjes së shteteve të reja, shumë prej të cilave janë krijuar nga ajo që historikisht ka qenë Perandoria e Rusisë.
Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia dominuese në Euroazi dhe Bashkimi Europian, megjithëse jo një fuqi e madhe apo një aktor strategjik në vetvete, është kthyer në një magnet ekonomik për fqinjët e vet lindorë.
Federata e Rusisë, zemra e ish-perandorisë, qe në thelb e lënë jashtë sistemit të ri, e gllabëruar nga prapambetja gjithnjë e më e madhe dhe  një marrëdhënie jo e lehtë me Shtetet e Bashkuara dhe Europën.
Sistemi ka qenë plot fërkime në cepin e vet lindor për pothuajse aq kohë sa ka ekzistuar, por duhej të mbërrinte kriza e Ukrainës për të sjellë thyerjen e plotë.
Revolucioni i suksesshëm dhe i mbështetur nga Perëndimi në Kiev, në shkurt të këtij viti e dëmtoi në mënyrë fatale palancën në shtetet kyçe mes Rusisë dhe Perëndimit, duke sjellë trazira të brendshme në Ukrainë.
Por ndoshta më e rëndësishme është se kjo shënon edhe fundin e pasivitetit të Rusisë post-Sovjetike. Nuk mund të gabohemi: aksionet e Putin në Krime dhe fuqitë që ai ka marrë nga Parlamenti i Rusisë – që i lejojnë të përdorë forcën ushtarake në të gjithë Ukrainën – e kthejnë Moskën në rolin e një lojtari aktiv në Europë për herë të parë që nga viti 1989.
Më 1991, Rusia ra dakord për shpërbërjen e perandorisë së vet historike dhe pranoi kufijtë administrativë të epokës Sovjetike si kufij ndërkombëtarë. Kjo gjë la 25 milionë rusë etnikë në “shtetet kufitare.” Edhe nëse merr parasysh luftërat e përgjakshme të Çeçenisë, kjo qe shpërbërja më paqësore e një perandorie në shekullin e 20.
“Lufta e Gazit” të Rusisë me Ukrainën, e cila në sytë e opinionit publik perëndimor u humb nga Moska, nuk qenë më shumë se sa përpjekje të forta për ta detyruar atë vend të paguante më shtrenjtë për gazin natyror që merr nga Moska. Edhe konflikti i vitit 2008 kundër Gjeorgjisë u luftua nga rusët në përgjigje ndaj bombardimit gjeorgjian të Osetisë së Jugut, i cili vrau paqëruajtës rusë të vendosur atje. Por të gjitha këto ngjarje, si dhe pasojat që ato kanë shkaktuar rast pas rasti me Perëndimin, janë të zbehta në krahasim me atë që pritet të vijë.
Ajo që do të pasojë do të jetë “interesante” në kuptimin kinez – dmth përplot rreziqe. Gjeopolitika e Europës së re Lindore do të ndryshojë në themele. Kjo do të ndodhë ca kohë pasu Ukraina të jetë rikonstituuar në një formë të re – pothuajse më siguri pa Krimenë – dhe me një strukturë të re, që ndoshta do të marrë parasysh kompleksitetin e vet etnik dhe kulturor, dukshëm mes rajoneve të veta perëndimore dhe juglindore.
I gjithë rajoni ish-sovjetik i Detit të Zi, nga Moldacia/Transnistria në Abkhazi/Gjeorgji do të duken shumë ndryshe nga sa duken sot. Gjeorgjia, dikur konsiderohej si një pikë presioni e tepërt në kurriz të Kremlinit, do të kthehet në rrugën e shpejtë për Planin e Veprimit të Anëtarësisë në NATO ndërsa Moldavia  mund të zhytet në destabilitet ndërsa koalicioni pro-Europian përballet me sfida nga opozita pro-Ruse. Sa i përket Transnistrias, ajo do të kalojë në gravitetin e Ukrainës jugore që flet Rusisht.
Më në veri, dikush mund të parashikojë me lehtësi shtimin e pranisë së forcave amerikane në Poloni dhe në Shtetet Baltike, si dhe anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s do të marrin një natyrë më të njohur dhe kundërshtare. Një përballje e ngrirë ushtarake në Europë ka gjasa nuk do të jetë aq masive sa ajo që ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, por natyrisht do të jetë më masive nga sa ka qenë gjatë viteve të fundit në përputhje me rolin e kundërshtarit potencial aktual.
Në fund nuk do të ketë nevojë të flitet për Iranin si kundërshtar në rastin e përditësimit të mbrojtjes raketore të NATO-s drejt vendosjes së kapaciteteve mbrojtëse në Rumani dhe Poloni. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) mundet ndoshta të nxirret nga gropa e hales ku ka qëndruar që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe të bëhet mjeti kryesor për dialog mes Rusisë dhe Perëndimit. Në të vërtetë, marrëveshja e fundit mes Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, për të përdorur OSCE për krijimin e një grupi kontakti për Krimenë sakaq të shpie në këtë drejtim.
Kur vjen puna tek Uashingtoni, marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara do të zhvishen nga çdo ngrohtësi që vijon të mbetet. Nuk do të ketë një kthim te përplasja ballë për ballë e stilit të Luftës së Ftohtë; përkundrazi, marrëdhënia pritet të krijojë distancë, por elementë të bashkëpunimit SHBA-Rusi mund të mbijetojnë në ato pika ku interesi i tyre është me të vërtetë i përbashkët. Por të bërit të ndonjë gjëje bashkërisht në Siri apo Iran do të bëhet shumë më e vështirë. Tregtia dhe investimet do të kufizohen si pasojë e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe tregjet e aksioneve në Rusi, gjerësisht nën pronësinë e të huajve, do të rrënohen.
Nga ana tjetër, marrëdhënia e tregtisë BE-Rusi, me gati 500 miliardë dollarë mallra të shkëmbyera në vit, do të vijojë, veçanërisht për shkak të ndërvarësisë mes tyre.
Ndërsa marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin përkeqësohen, lidhjet e saj me Kinën do të duhet të fuqizohen. Dhe ndërsa Gazprom do të ketë më shumë probleme në tregun europian, kompania ruse e gazit mund të duhet të bjerë dakord të shesë gaz në Kinë.
Çmimet shumë më të ulëta që do t’i ofrohen Pekinit mund të kompensohen nga shfaqja e një tregu alternativ. Dhe ndërsa Rusia sipas gjasave do të përjashtohet nga G-8, Moska do të duhet të përdorë më shumë platformat që i mbeten në arenën botërore, të tilla si samitet dypalëshe me Kinën apo forumet me vendet BRICS, ose vendet e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Në të gjitha këto forume, gjithsesi, Pekini më shumë sesa Moska do të jetë fuqia më e lartë. Për rrjedhojë, Moska do të humbasë pozicionin e vet unik të pjesëmarrjes në të gjitha organizatat e mëdha shumëkombëshe, si perëndimore, ashtu edhe lindore.
Nuk është një panoramë shumë e bukur. Për fat të mirë, disa nga gjërat më të këqija të Luftës së Parë të Ftohtë nuk do të rikthehen kurrë. Patriotizmi zyrtar rus, edhe me një frymë antiamerikane, nuk do të jetë e barasvlefshme me një ideologji të re.
Kapitalizmi i dominuar nga shteti, i cili kontrollon ekonominë, do të jetë më i ngjashëm me modelin e largët carist sesa me atë paraardhës komunist. Liritë politike do të vijojnë të pengohen nga një qeveri autoritariste, por liritë personale do të mbeten.
Rusia do të mbetet më së shumti e hapur ndaj botës së jashtme dhe rusët me pak mirëqenie do të vijojnë të udhëtojnë nëpër botë. Super të pasurit, gjithsesi, do të duhet t’i rikthejnë asetet e tyre në Rusi – ose të qëndrojnë me këto asete larg Rusisë.
Në termat e analogjive historike, me fjalë të tjera, situata e brendshme në Rusi do t’i ngjajë fillimit të viteve 1850 nën perandorin Nikolai i Parë më shumë sesa Bashkimit Sovjetik në vitet 1950 nën sundimin e Stalinit.
Konkurrenca gjeopolitike SHBA-Rusi nuk do të jetë e kufizuar në Ukrainë, por një seri luftërash të tërthorta nuk mund të përjashtohen si mundësi.
Gjithsesi, bashkëpunimi SHBA-Rusi mbi Sirinë, Iranin dhe Afganistanin do të vuajë. Shtetet e Bashkuara mund të përdorin sanksionet ekonomike kundër Rusisë në një përpjekje të stilit iranian, për të ndarë elitën e Rusisë dhe për të provokuar zemërimin e rusëve të zakonshëm kundër qeverisë së tyre.
Megjithëse përballja statike ushtarake nuk ka gjasa të ringrihet, mbrojtja bërthamore do të rikonfirmohet dhe konkurrenca në sferën ushtarake do të shpërndahet në fusha të tjera, nga hapësira kibernetike te kapacitetet konvencionale të goditjes globale.
Kjo do të shënojë lindjen e një periudhe të re, e ngjashme në disa mënyra me Luftën e Ftohtë nga vitet 1940 deri më 1980. Njësoj si me dy luftërat botërore, dështimi për të zgjidhur problemet e krijuara nga një paqe joperfekte dhe dështimi për të integruar tërësisht ish-kundërshtarët në një sistem të ri po sjellin një konflikt të ri – edhe pse një luftë në shkallë të gjerë sërish do të mund të shmanget.
Ky konflikt i ri nuk ka gjasa të jetë aq intensiv nga Lufta e Parë e Ftohtë; ka mundësi që ajo të mos zgjasë aq shumë sa e para; dhe – ajo që ka rëndësi thelbësore – nuk do të jetë konflikti përkufizues i kohës sonë.
Megjithatë, ai do të jetë me të vërtetë. Konkurrenca mes dy palëve jo të barabarta përmban rreziqe shtesë në nënvlerësimin e palës tjetër apo reagimit të tepruar.
Mbajtja e botës të sigurt në kohët e pasigurta që kemi përpara do të jetë një sfidë më e madhe nga sa mendohej nga shumica e botës vetëm dy javë më parë.

Related

Shtypi i huaj 7117868717087396038

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item