Bjeshkët turistike

Në gjerdanin e bukurive natyrore të vendit tonë, bënë pjesë edhe Razma .Ajo është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrë...


Në gjerdanin e bukurive natyrore të vendit tonë, bënë pjesë edhe Razma .Ajo është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. Ndodhet në komunën e Shkreli, në një distancë 43 km larg qytetit dhe 65 km larg bregdetit (Velipojë). Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Kjo është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor veror dhe dimëror.
Një nga vendet e bukura malore të  Shqipërisë e cila është zbuluar që në shek. XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldoci, austriaku Dofler, dhe gjeologu Boran Nopce.
Rreth viteve 1920 filloi të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standardeve të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe zona është shfrytëzuar si kamp pushimi veror për punëtorë dhe si pikë ekskursionesh për periudhën dimërore.
Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine.

Përbërja gjeologjike e Razmës ndërtohet tërësisht prej shkëmbinjve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike e ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshmërisë së këtyre shkëmbinjve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zëjë morfologjia karstike. Ky reliev përfaqësohet nga fushat (e Razmës,Troshanit,Fusha e Zezë) në trajtën e gropave, hingave dhe shpellave karstike ku këto të fundit përbëjnë një objekt turistik me vlerë për eksplorimin e tyre. Gjurmët e veprimtarisë së akujve të kuatërnarit i gjejmë në Fushën e Zezë, atë të Razmës, dhe depozitive midis Razmës e Vrithit. Format më të mprehta të relievit me vlera turistike (alpinizëm, piknike etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor Veleçik (1724 m) – Kunorë (1713 m) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës (1862 m) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet impresionuese të ahut e pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit, përmban në vetvete vlera turistike të veçanta. Larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egjër në këtë zonë, përbën një mundësi të mirë për zhvillimin e gjuetisë.
Këtu ka disa ekosisteme të paprekura që shihen shumë thjeshtë.
Llojet e turizmit që mund të zhvillohet në këtë zonë, përmendim:
-Turizmi gjeografik me larminë e objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Veleçikut, maja e Kunorës, etj.
-Turizmi gjeologjik me karakteristikat gjeologjike të kësaj zone mund të themi se depozitimet e ndryshme të mesozoit, të kenozoit dhe në pjesën më të madhe të kuaternarit si dhe thyerjet tektonik tërthore e afrogjatësore të kësaj zone kanë një interes studimor për studiuesit e kësaj fushe.
-Turizmi historik: popullsia e kësaj zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm, (turqit, serbët, malazezët) prandaj studimi i historisë së kësaj zone dhe nxjerrja në pah i saj kanë një interes historik.

-Turizmi etnografik: Zona e Razmës ofron vlera të papërsëritshme studimore për etnografët. Vetë veshja karakteristike e kësaj zone, për burrat këmisha e gjatë me Dallomë (xhamadan prej shajaku) dhe për gratë e vajzat xhubleta 3000 vjeçare, vetë karakteristikat e banesavet ku ato shquhen për një zgjidhje të thjeshtë dhe drejtim arkitektonik dhe dekorativ të varfër. Ceremoniali i dasmës ku ishte zakon që dhëndërri ditën e dasmës të vishej me rrobet më të vjetra e të shkonte me bagëti ose të fshihej në shtëpinë e ndonjë shokut. Me zbritjen e nuses nga kali i vihej në prehër një djalë i vogël (që nusja të lindte sa më shumë djem) por edhe për ceremonitë e tjera të jetës së përditshme mendojmë se interesi studimor është mjaft i madh, ka traditë këngën me lahutë, atë maje krahu (me jehona), ninullat,fyellin.
-Turizmi spelologjik: Shpella e Majës së Veleçikut, është e madhe, 28 m e thellë vertikalisht, Shpella e Lugjeve në V-L të fshatit të Razmës, e cila ka një zhvillim gjatësor me ngritje 10° me gjatës 79 m në fund degëzohet në dy drejtime të ngushta. Ujërat që rrjedhin këtu janë ujëra të pastra, të pijshëm, që formojnë burimet e grykës së Lugjeve mund të vizitohet edhe nga amatorë e vizitorë të thjeshtë.
Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për turistët që ìa ka ënda, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egjër është e lloj-llojshme, e gjuetia në këto zona është shumë e përshtatshme.
Në këtë zonë mund të aplikohen sporte të tjera: si gara e shëtitje me kuaj, biçikleta, etj.

Gjatë dimrit ka hapësira të volitshme për ski, sidomos në Fushën e Zezë, si dhe fushat sportive të kampit të Razmës. Kjo zonë ofron mundësi për zhvillimin e turizmit familjar./ATSH

Related

Reportazhe 3790465346147184859

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item