Afganistani: A është kaq i pamundur të pushtohet?

Kanë kaluar 25 vjet që kur Bashkimi Sovjetik tërhoqi trupat e veta nga Afganistani. SHBA pritet të tërheqin shumicat e forcave deri në fund ...

Kanë kaluar 25 vjet që kur Bashkimi Sovjetik tërhoqi trupat e veta nga Afganistani. SHBA pritet të tërheqin shumicat e forcave deri në fund të vitit. Por çfarë na kanë mësuar këto dy fushata mbi Afganistanin?
William Dalrymple, BBC

Ramazanin e fundit udhëtova përmes tokave të shkreta jashtë Kandaharit për të parë shtëpinë ku Presidenti Karzai u rrit. Isha mik i vëllait të Presidentit Mahmoud Karzai.
“Ka ndryshuar aq sa nuk njihet më”, tha ai ndërsa ne shkuam me makinë në fshatin Karz. “Këtë xhami e mbaj mend. Dikur luaja këtu me Hamidin. Por ku është shtëpia jonë?”
Shoferi ndaloi. “Është kjo këtu?” – pyeti Mahmoudi. “Nuk mund të jetë”. Ne ndaluam mbi një fushë të sheshtë balte të tharë, të rrethuar me shtëpi me mure qerpiçi. Truprojat e Mahmoudit dolën përqark ndërsa Mahmoud u ngjit në vend të ngritur. “Shoferi ka të drejtë”, – tha ai. “Kjo është shtëpia jonë”. Ai bëri me gisht nga një vend i zbrazët.
“Çfarë ndodhi?” – e pyeta unë.
“Rusët” – u përgjigj ai.
“Pse?”
“Çdo klani të rëndësishëm mes muhaxhedinëve ia shkatërruan pronat. Këto shtëpi qenë vendi ku banonin kushërinjtë e mi. Natën që guvernatori sovjetik shkatërroi shtëpinë tonë, ata u vunë të gjithë pas murit. Dhe të gjithë u ekzekutuan. Të gjithë pa përjashtim”.
Tashmë është 25-vjetori i tërheqjes së sovjetikëve nga Afganistani dhe ndoshta është një moment i mirë për të krahasuar pushtimet sovjetike dhe amerikane.
Në sipërfaqe, të dyja pushtimet janë shumë të ndryshme – sovjetikët erdhën për të zgjeruar perandorinë sovjetike ndërsa Perëndimi, na thanë, ndërhyri pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 për të shkulur terrorizmin dhe për të sjellë demokracinë. Megjithatë ka shumë ngjashmëri jo të këndshme.
Si rusët ashtu edhe amerikanët menduan se mund të vijnë, të ndërtojnë një qeveri miqësore dhe brenda një viti të ikin. Të dyja kombet e gjetën veten të bllokuar në një luftë të gjatë dhe të kushtueshme ku palët u përpoqën të lodhin deri në rraskapitje njëra-tjetrën dhe që të dyja zgjodhën në fund të ikin.
Lufta sovjetike ishte më e përgjakshme – ajo la pas 1.5 milionë të vdekur, në krahasim me rreth 100 mijë që kanë vdekur kësaj here, por lufta aktuale ka qenë shumë më tepër e kushtueshme. Sovjetikët shpenzuan vetëm 2 miliardë dollarë në vit në Afganistan, ndërsa SHBA shpenzuan deri tani mbi 700 miliardë.
Për më tepër, argumentohet se këtë herë është fituar më pak. Njëzet e pesë vjet më parë sovjetikët u tërhoqën duke lënë një regjim relativisht stabël pro sovjetik – qeveria e Najibullah u rrëzua vetëm pasi sovjetikët ndërprenë totalisht furnizimet e tyre me armë katër vjet më vonë.
Por 13 vjet pasi Perëndimi shkoi në Afganistan për të shkatërruar Al Kaedën dhe për të rrëzuar talebanët, Amerika dhe aleatët e vet e gjejnë veten pranë tërheqjes, pa realizuar tërësisht asnjë prej objektivave.
Ajo që ka mbetur nga Al Kaeda është zhvendosur në zonat kufitare me Pakistanin dhe gjithkund tjetër, ndërsa talebanët vijojnë të kenë ndikim në ndoshta 70 për qind të të gjithë Afganistanit të Jugut. Ky ndikim ka gjasa që do të rritet më vonë këtë vit kur britanikët dhe amerikanët të tërheqin trupat e tyre.
Ka edhe një precedent tjetër për këtë luftë. Gjatë pesë viteve të fundit, kam qenë duke shkruar një histori të Luftës së Parë Anglo—Afgane, e cila ndodhi mes viteve 1839-1842.
Libri tregon historinë e atij që mund të jetë poshtërimi më i madh ushtarak që Perëndimi ka vuajtur ndonjëherë në Lindje. E gjithë ushtria e atij që ishte kombi më i fuqishëm i botës u shkatërrua në thellësi nga viset vendëse të armatosura si mos më keq.
Gjatë tërheqjes nga Kabuli, nga 18,500 ushtarë britanikë që patën lënë bazën e tyre më 6 janar 1842, vetëm një nënshtetas britanik, mjeku kirurg dr. Bridon (Brydon), ia doli të mbërrijë në Xhalalabad gjashtë ditë më vonë.
Krahasimet mes luftës aktuale dhe asaj të vitit 1840 janë goditëse. Të njëjtat qytete janë bërë baza të trupave të huaja që flasin të njëjtat gjuhë dhe ato po sulmohen nga të njëjtat kodra e në të njëjtat rrugë.
Jo vetëm që sundimtari kukull i yni në atë kohë Shah Shuja, ishte nga Popalzai, i njëjti nënfis si Presidenti Karzai, por kundërshtarët e tij kryesorë ishin pikërisht fiset Ghilzai, të cilët sot përbëjnë një pjesë të madhe të ushtarëve të thjeshtë talebanë.
Dukshëm është i pavërtetë konkluzioni i thënë në disa raste, se Afganistani është i pamundur për t’u pushtuar. Shumë perandori ia kanë dalë, nga persët e lashtë tek Aleksandri i Madh te mongolët, mughalët dhe kajarsit.
Çdo ushtri pushtuese do të pësojë një hemorragji parash dhe gjaku pa shumë përfitime dhe në fund shumica do të dorëzohet, siç bënë britanikët më 1842, rusët më 1988 dhe NATO në fund të këtij viti.
Në tetor 1963, kur Harold Mekmillan (Macmillan) i dorëzoi postin e Kryeministrit Alek Dagllas-Home (Alec Douglas-Home), supozohej se duhej t’i jepte ca këshilla.
“Djalosh, për sa kohë nuk pushton Afganistanin, do të jesh tërësisht në rregull”, tha ai. Për fat të keq, askush nuk ia dha këtë këshillë Toni Blerit (Tony Blair).
Kjo thjesht duket se provon fjalën e urtë të Hegelit se e vetmja gjë që mëson nga historia për fat të keq është kjo: që askush nuk mëson asgjë nga historia.

Related

Speciale 3600556322793425700

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item