A ka me të vërtetë 21 milionë skllevër sot?

Si mund të matet një fenomen i fshehtë dhe i paligjshëm si skllavëria moderne e njerëzve të trafikuar për punë apo shfrytëzim seksual? Shken...


Si mund të matet një fenomen i fshehtë dhe i paligjshëm si skllavëria moderne e njerëzve të trafikuar për punë apo shfrytëzim seksual? Shkencëtarët përdorin metoda të vagullta, por sërish shifrat e prodhuara janë bërë referencë
Debati

Disa kombe në Karaibe kanë ngritur pretendime për reparacione nga Europa për tregtinë trans-Atlantike të skllevërve. Por skllavëria vijon të ekzistojë sot – siç përmendi edhe regjisori Stiv Mekuin (Steve McQueen) në ceremoninë e Oskarit, janë ende 21 milionë skllevër në botë. Sa e vërtetë është kjo shifër?
Shifra e përmendur nga Mekuin në fjalimin për pranimin e çmimit Oskar vjen nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), e cila ka prodhuar këtë shifër për gati dhjetë vjet.
Lloji i skllavërisë i përshkruar në filmin e Mekkuin 12 Vjet Skllav, nuk ekziston më prej kohësh, megjithëse trashëgimia e tregtisë së skllevërve vijon të jetojë – raportohet se 15 ish-koloni europiane kanë kërkuar reparacione nga tetë vende ish-tregtare skllevërish në Europë.
Ekspertët e skllavërisë besojnë se sot nuk ka asnjë vend në botë ku njerëzit janë ligjërisht të robëruar, të keqtrajtuar apo të shitur sikur të ishin pronë e ligjshme, por raporti i ILO i vitit 2012 “Vlerësimi Botëror i Punës së Detyruar” thotë se ka 20.9 milionë njerëz sot që janë viktima të punës së detyruar.
Përkufizimi i saj është “punë apo shërbim që nxirret nga një person nën kërcënimin e një dënimi dhe për të cilën personi nuk e ka ofruar veten vullnetarisht”.
ILO ofron vlerësim për rajone të ndryshme të botës dhe raporti i saj sugjeron se në Azi jetojnë pjesa më e madhe e skllevërve – 11.7 milionë.
Një vlerësim tjetër i skllavërisë botërore vjen me një shifër shumë më të lartë, Indeksi Botëror i Skllavërisë thotë se ka 29.8 milionë njerëz në këtë status sot, nga të cilët, gjysma janë në Indi.
“Ka një trafik të vajzave dhe djemve të rinj për shfrytëzim komercial seksual”, thotë kryeautori Kevin Bales, një profesor i skllavërisë bashkëkohore. “Ka skllavëri në prodhimin e qilimave dhe sixhadeve me dorë, miniera dhe në shkatërrimin e anijeve”.
Forma më e zakonshme e skllavërisë quhet lidhje për shkak të borxhit, e cila përfshin njerëz që kanë marrë hua para duke premtuar veten dhe familjen e tyre si punëtorë të detyruar te skllavopronarët kredidhënës. Me raste një detyrim i tillë vijon për gjenerata derisa borxhi shlyhet.
Indeksi, i cili rendit 162 vende, e vendos Kinën, Pakistanin dhe Nigerinë pas Indisë si katër vendet me numrin më të madh të skllevërve. Ndërkohë, vendi i parë i skllevërve për frymë është Mauritania në Afrikën Perëndimore, pasuar nga Haiti.
Edhe SHBA-ja vlerësohet se kanë rreth 60 mijë skllevër, mes tyre, njerëz me viza të përkohshme dhe shërbyes. Ka 4,426 njerëz në Britani, vendi ku aktualisht po diskutohet një ligj kundër këtij fenomeni në Parlament.
Aleks Balç (Alex Balch) nga Qendra për Studimin e Skllavërisë Ndërkombëtare në Universitetin e Liverpulit, thotë: “Indeksi Botëror i Skllavërisë po e hedh këtë ide që ne duhet ta riklasifikojmë trafikimin dhe punën e detyruar dhe t’i quajmë ato – skllavëri moderne. Cilësimi i këtyre njerëzve si skllevër bëhet për të përfituar veprim politik”.
Është një përqasje që duket se po ka rezultate. Në një fjalim më 2012, Presidenti Obama shprehu mendimet e tij mbi këtë temë: “Po flas për padrejtësitë dhe tmerret e trafikimit të njerëzve, të cilin ne duhet ta thërrasim me emrin e vërtetë, skllavëri moderne”.
Por si kanë mbërritur studiuesit te këto shifra?
Indeksi Botëror i Skllavërisë dhe ILO përdorin shifra që cilësohen si burime dytësore. Këto mund të jenë statistika të qeverive, studime të organizatave joqeveritare dhe raportime në media. Por Kevin Bales thotë se një mjet tjetër i rëndësishëm është vrojtimi me kampion rastësor ku studiuesit bëjnë intervista për të mbledhur të dhëna mbi skllavërinë.
Aktualisht ka shumë pak vende ku bëhen këto lloj vrojtimesh. Pastaj ata i ekstrapolojnë në mënyrë matematike të dhënat e mbledhura për vendet e tjera ku nuk ka vrojtime.
“Besoj se kjo metodë është e arsyeshme”, thotë Bales. “Ne kemi pyetur një numër të madh statisticienësh, të cilët në mënyrë të pavarur vlerësuan metodologjinë tonë para se ne ta bënim publike dhe ata ranë dakord se kjo metodologji qe e pranueshme”.
Gjithsesi, ai pranon se intervistimi i njerëzve për të mbledhur statistika është një metodë që rrezikon të numërojë dy herë njerëzit e skllavëruar, të cilët janë në këtë status në një vend tjetër nga vendi i origjinës.
Pra a mund t’u besojmë këtyre shifrave? Apo këtu ka shumë tepër hamendësime?
“Ne mund të jemi edhe tërësisht të gabuar, nuk mund ta mohoj këtë”, thotë Bales. “Kur përballesh me një krizë dhe del me shifrat më të mira të mundshme, natyrisht është e drejtë që këto shifra të publikohen”.



Dhjetë vendet me skllavëri më të madhe
India – 14 m
Kina – 3 m
Pakistani – 2.1 m
Nigeria – 0.7 m
Etiopia – 0.65 m
Rusia – 0.51 m
Tailanda – 0.47m
Kongo – 0.46 m
Manmar – 0.38 m
Bangladeshi – 0.34 m
Burimi: Indeksi Botëror i Skllavërisë

Related

Speciale 6724259087250976778

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item