10 fakte: Përse dhemb refuzimi?

Një “jo” mund të shkaktojë më shumë dhembje emocionale sesa goditja nga një objekt i jashtëm, pasi truri i percepton njëlloj dhimbjet fizike...

Një “jo” mund të shkaktojë më shumë dhembje emocionale sesa goditja nga një objekt i jashtëm, pasi truri i percepton njëlloj dhimbjet fizike dhe ato emocionale


Refuzimi vërtet dhemb, por shumica e mospranimeve shkaktojnë dëme psikologjike në mirëqenien tonë që shkojnë përtej dhimbjes emocionale. Mësoni dhjetë fakte të panjohura për mënyrën sesi refuzimi ndikon tek emocionet, mendimet dhe sjellja e njeriut.
1. Refuzimi si dhimbja fizike
Studimet kanë treguar se kur dikush refuzohet, në trurin e tij aktivizohen të njëjtat zona, si në rastin e përjetimit të dhimbjes fizike. Kjo është arsyeja përse refuzimi dhemb aq shumë edhe nga aspekti neurologjik. Në fakt, truri ynë i përgjigjet njëlloj, si refuzimit ashtu edhe dhimbjes që mund të shkaktohet nga objektet e jashtme.
2. Ilaçi për refuzimin
Për të testuar hipotezat se refuzimi imiton dhimbjen fizike, shkencëtarët u dhanë disa njerëzve Tylenol (një ilaç për pakësimin e dhimbjes) përpara se t’i kërkonin të kujtonin një eksperiencë të dhimbshme mospranimi. Pjesëmarrësit që kishin marrë ilaçin, shfaqën më pak dhimbje kur kujtonin ngjarjen sesa ata që nuk kishin pirë asgjë.
3. Refuzimi ka luajtur rol jetësor në evolucion
Në të shkuarën, kur njerëzit ishin shoqëri gjuetarësh, dëbimi nga fisi ishte njëlloj me dënimin e sotëm me vdekje, për shkak se gjasat e mbijetesës në vetmi ishin shumë të pakta. Psikologët evolucionarë mendojnë se truri zhvilloi një sistem të hershëm paralajmërimi për të na bërë më vigjilentë kur ishim në rrezik izolimi. Kështu, njerëzit e korrigjonin sjelljen e gabuar nga frika se mos refuzoheshin prej familjarëve të tyre.
4. Dhimbja sociale, më e madhe se ajo fizike
Bëni një eksperiment të vogël. Përpiquni të kujtoni një ngjarje të së shkuarës kur jeni vrarë keqazi në trup. Kushtojini vëmendje dhimbjes që do t’ju ringjallet tani. Përsëriteni eksperimentin duke kujtuar një rast kur nuk jeni pranuar në një situatë të caktuar shoqërore apo kur dikush që e keni dashur ju ka refuzuar. Cila ju dhemb më shumë? Shumica e njerëzve që e bëjnë testin janë përgjigjur se rasti i dytë i bën të përjetojnë dhimbje më të gjallë.
5. Refuzimi lëkund nevojën e të përkiturit dikujt
Të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojën themelore të përkatësisë ndaj një grupi. Kur refuzohemi, kjo lëkund dhe na largon ndjesinë e mirë të pranimit duke na çuar drejt dhimbjes. Rilidhja me personat që na duan, komunikimi i vazhdueshëm me grupin e atyre që na pranojnë, na bën të ndiejmë një ndjesi të fortë vlerësimi dhe miratimi. Kur një njeri ndihet vetëm, ai është tepër i lëkundur mbi mënyrën sesi po jeton dhe mbi dëshirën për ta vazhduar ekzistencën e tij.
6. Refuzimi shkakton zemërim dhe agresion
Në një raport të përgjithshëm në SHBA, u vu re se refuzimi ishte një rrezik i madh që i çonte adoleshentët drejt dhunës, drogës, mjerimit dhe bandave me gangsterë. Shumë studime kanë provuar se mënyra sesi dikush i përgjigjet refuzimit është zemërimi dhe agresioni në një shkallë të lartë.
7. Refuzimi shkatërron vetëvlerësimin
Njeriu i përgjigjet shpesh refuzimit romantik duke dashur të gjejë gabimet që ka, duke kërkuar në skuta të errëta dhe duke nxjerrë prej nënvetëdijes shkaqe të vogla e të pabaza për refuzimin që i është bërë. Shumica e mospranimeve dashurore vijnë për shkak të përshtatjes së vogël, mungesës së tërheqjes kimike, dëshirës për diçka tjetër apo edhe prej stilit të ndryshëm të jetesës. Hedhja e fajit te vetvetja nuk është gjëja më e mençur që mund të bëhet në këto raste. Më e mira është të vazhdohet kërkimi për gjetjen e personit me të cilin ngjashmëria është më e madhe.
8. Refuzimi ul përkohësisht inteligjencën
Kur pjesëmarrësve të një studimi iu kërkua që të kujtojnë një eksperiencë të dhimbshme emocionale në të shkuarën dhe më pas iu dha të plotësonin një test inteligjence, ata dolën më keq sesa në testin e përsëritur kur ishin në gjendje normale. Kjo tregon se mospranimi ose të qenët i refuzuar e ul përkohësisht inteligjencën dhe qartësinë te dikush.
9. Arsyeja e refuzimit nuk ka rëndësi
Në një studim, një grup personash u refuzua nga disa të tjerë që ishin plotësisht të huaj për ta. Dhimbja emocionale që përjetuan pjesëmarrësit e studimit, nuk u pakësua edhe kur e morën vesh që personat e huaj kishin si mision t’i refuzonin. Pra, ata që refuzohen nuk duan t’ia dinë për arsyen, vetëm ideja e refuzimit mjafton t’i bëjë të ndihen keq.
10. Ka rrugë psikologjike për të ngushëlluar refuzimin
Është e mundur që dhimbja emocionale të trajtohet dhe të parandalohet psikologjikisht, duke ulur mundësinë e shkatërrimit të vetëvlerësimit, emocioneve, inteligjencës dhe marrëdhënieve./standard

Related

Psikologji 2019563329156126517

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item