PORTRET – Ukrainë – Kryeministri i ri, Arseni Jaceniuk, teknokrat i shndëruar në kryengritës

KIEV, 26 shkurt /ATSH-AFP/ – Arseni Jaceniuk, i zgjedhur për t’u bërë kryeministër i një qeverie bashkimi kombëtar në Ukrainë, është një jur...

KIEV, 26 shkurt /ATSH-AFP/ – Arseni Jaceniuk, i zgjedhur për t’u bërë kryeministër i një qeverie bashkimi kombëtar në Ukrainë, është një jurist dhe ekonomist me ngjitje të shpejtë në politikë, i cili është imponuar si një prej liderëve të lëvizjes që solli rrëzimin e presidentit Viktor Janukoviç.
     Ai është tërësisht i ndërgjegjshëm për vështirësitë që e presin, duke paralajmëruar madje dje se “personat që do të pranonin të hynin në qeverinë e re do të shpëtonin vendin, por do të bënin edhe një vetëvrasje të vërtetë politike, sepse do të duhet të merren vendime politike jashtëzakonisht jo popullore në një vend në prag të falimentimit”.
     Emërimi i tij u njoftua sot në mbrëmje në sheshin “Maïdan”, simbol i Pavarësisë së Kievit, i bllokuar që prej më tepër se tre muajve nga mijëra manifestues, nga Këshilli i Maidanit, ku përfshihen parti politike, lëvizje dhe shoqëria civile e grupe radikale, në pritje të një konfirmimi zyrtar nesër në parlament.
     Arseni Jaceniuk, 39 vjeç, ka qenë ministër i Ekonomisë dhe i Punëve të Jashtme. Ai ka mbajtur një qëndrim shumë të prerë në krizën aktuale politike, duke lënë pas një imazh që disa e konsiderojnë si paksa të butë, sidomos me refuzimin e ofertës së Viktor Janukoviçit për t’u bërë kryeministër në janar.
     Në fund të janarit, ai ka premtuar vazhdimin e lëvizjes kontestuese duke u këshilluar opozitarëve të ecin të gjithë së bashku përpara, edhe nëse rezultati do të jetë një plumb ballit.
     Dje, ai i kërkoi parlamentit të votojë një rezolutë që presidenti i përmbysur Viktor Janukoviç të gjykohej nga Gjykata Ndërkombëtare e krimeve në Hagë, duke folur për një pushtet të bazuar tek korrupsioni dhe vrasësit”.
     Në parlament, Arseni Jaceniuk, me syzet fine, kravatën dhe kostumin e përsosur bie në sy ndër drejtuesit e tjerë të opozitës, me vjeshje shumë më neglizhuese.
     Shumë më pak i njohur për publikun e gjerë jashtë vendit se sa ish-kampioni i boksit Vitali Kliçko, lider tjetër i opozitës, Arseni Jaceniuk, me imazhin e bankierit intelektual, sipas të përjavshmes “Focus”, është sidoqoftë një personazh i njohur i qarqeve diplomatike.
     Ministër i Ekonomisë në periudhën 2005-2006 më tej për një kohë të shkurtër ministër i Jashtëm në 2007, ai negocioi veçanërisht për anëtarësimin e Ukrainës në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe për zhvillimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
     Një përvojë që mund të rezultojë e çmuar ndërkohë që Ukraina është në prag të falimentimit, në rast se nuk do të marrë një ndihmë të shpejtë financiare. Sipas ministrit ukrainas të përkohshëm të Financave, Kievit i nevojiten 35 miliardë dollarë për një periudhë prej dy vjetësh.
     ”Që prej pavarësisë, Ukraina nuk ka njohur një katastrofë të tillë ekonomike dhe politike. Kemi nevojë për një ndihmë financiare urgjente nga partnerët tanë evropianë dhe duhet të rifillojmë menjëherë programin e bashkëpunimit me FMN-në”, theksoi të hënën Arseni Jaceniouk./

/irmapu/

Related

Botë 7606291755376051732

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item