Pornografia, ”filozofët” e fitimit material dhe një vërejtje për Mustafa Nanon

Nga Viktor Malaj Qysh nga rënia e sistemit komunist e këtej, thuajse gjithë propaganda, që bëhet nga media, intelektualët, analistët, politi...


Nga Viktor Malaj

Qysh nga rënia e sistemit komunist e këtej, thuajse gjithë propaganda, që bëhet nga media, intelektualët, analistët, politikanët dhe, sidomos politikanët tanë, ka bërë çmos që sistemin politik që zëvendësoi paraardhësin ta paraqesë si “demokraci” dhe, njëherësh, si sistem pa kurrfarë të metash, gabimesh apo fajesh, shkurt si një sistem të dizenjouar dhe autorizuar nga Zoti. Edhe kur flasin për ndonjë “të metë” i paraqesin ato ose si gjëra të parëndësishme, ose si të meta tonat por jo të vendeve prej nga e kemi huazuar sistemin aktual politik.
Gjykime të tilla bëhen ose nga njerëz pa kurrfarë kulture, ose nga individë që kanë rënë në dashuri pa kushte me sistemin, kryesisht snobë (imitues i çdo gjëje të huaj) apo kozmopolitë (përçmues të ndjenjës kombëtare) ose, më në fund, nga njerëz të ligj, të cilët nuk kanë kurrfarë parimesh morale në jetë. Është tjetër gjë të pranosh përqafimin e një sistemi politik në mungesë të ndonjë tjetri më të arrirë dhe është krejt tjetër gjë ta gjykosh po atë sistem realisht, me të mirat dhe të këqijat e tij.
Imitimi i çdo gjëje të huaj, pa e kaluar në filtrin e ndërgjegjes individuale, kombëtare dhe intelektuale është thjeshtë një majmunëri sociale. Dhe, majmunët, sado mirë të imitojnë, prapë se prapë nuk bëhen njerëz. Këtë e dëshmon përshtatja shpesh vulgare dhe madje e dëmshme e çfarëdo mënyre të foluri, të sjelli, të veshuri dhe të gjykuari nga një numër gjithnjë e më i madh individësh, jo vetëm nga vulgu por edhe nga personat publikë. Ndërsa, me të drejtë, kritikojmë përpjekjet e dështuara të sistemit komunist për të aplikuar disa nga aspektet e gabuara të revolucionit kulturor kinez, shfaqemi partizanë të flaktë të imitimit të gjithçkaje që na ofron “revolucioni kulturor perëndimor”.
Duke u sjellë si të tillë ne besojmë se kemi arritur Perëndimin. Në këtë mënyrë, ne shfaqemi sa qesharakë, aq edhe të padinjitetshëm e të dëmshëm për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Progresist nuk është ai që imiton dhe adopton gjithçka, pa bërë kurrfarë dallimi midis të mirës dhe të keqes, morales dhe imorales, humanes dhe johumanes, por ai që huazimet i vë në peshoren (nëse e ka një të tillë) e intelektit, të etikës dhe të humanizmit, përpara se t’i zbatojë ato në jetë.
Kështu, në turravrapin tonë “drejt Evropës”, në vend të ndërtimit të strukturave serioze shtetërore ne kemi aplikuar anarkinë institucionale; në vend të shtetit ligjor kemi instaluar tregun e së padrejtës; në vend të ekonomisë së zhvilluar private kemi ngritur sistemet e kioskave, firmave piramidale dhe të bixhozit; në vend të teatrit të dramës dhe të estradës kemi inskenuar banalitetin e rrugës dhe të kafeneve; zhvillimin e artit e kemi zëvendësuar me vjedhjen e vlerave të dikurshme dhe rrënimin e atyre pak qendrave arkeologjike, muzeore dhe ekspozuese që kishim.
Në mjetet masive të komunikimit mund të lexosh dhe shikosh përditë analistë dhe “filozofë” që merren me normat e fitimit material por, thuajse, asnjë prej tyre, nuk merret me bjerrjet morale të shoqërisë shqiptare, me plagët e rënda dhe vështirë të shërueshme që po merr individi shqiptar, familja shqiptare dhe populli shqiptar.
Këto mjete komunikimi janë të gatshme të na shërbejnë përditë “gëlbazat” që lëshon gurmazi i paranojakut Sali Berisha, i cili, prej thuajse një çerek shekulli, po e mban peng vendin e tij duke zhurmuar pafundësisht për të krijuar tension, për të ushtruar dhunë verbale e fizike mbi popullin shqiptar. Ndërkaq, tregohen mospërfillëse ose të sipërfaqshme në trajtimin e temave rrëqethëse të kriminalitetit, prishjes së familjes, pasojave të drogës e bixhozit,të prostitucionit e pornografisë etj. Në të vërtetë, ky lloj qëndrimi dëshmon mungesën e ndërgjegjes individuale, intelektuale dhe kombëtare të shumicës prej nesh.
Para pak kohësh, disa gazeta dhe TV njoftuan rezultatet e një sondazhi me adoleshentët shqiptarë lidhur me pornografinë, sondazh i bërë nga World Vision International, me bazë në Kaliforni. Të dhënat ishin tronditëse. Nga 900 fëmijë (të moshës 13-18 vjeç) të pyetur, afërsisht gjysma e tyre (44%) pohuan se shikonin materiale pornografike çdo ditë; 47% e tyre pohuan se ishin ngacmuar onlajn (on line) nga persona të panjohur dhe 68% e tyre konfirmuan ekzistencën e vendeve (jashtë shtëpisë) ku mund të shihej pornografi. Kur kemi parasysh se 67% e të pyeturve ishin nga fshati dhe 55% e tyre ishin vajza, merret me mend se përqindja e fëmijëve shqiptarë që ballafaqohen përditë me këtë fenomen është më e madhe.
Njoftimi i mësipërm kaloi thuajse pa ndonjë reagim, siç ndodh zakonisht me shoqëri të atrofizuara moralisht dhe në dekadencë të shpejtë. Në një shoqëri ku vesi bëhet i përditshëm dhe i kudogjendur, ai merr statusin e virtytit. Bashkëjetesa me vesin duket sikur nuk shqetëson askënd, veç ata që e pësojnë nga aplikimi i tij. Aq sa më la përshtypje mosreagimi, po kaq më shqetësoi reagimi i një analisti e publicisti të njohur, i cili, jo vetëm nuk e çmonte alarmant këtë fakt, por shtronte pyetjen nëse ishte e shëndetshme mungesa e kërshërisë së pjesës tjetër të fëmijëve (56%) për të parë këto materiale pornografike. Megjithëse pohonte se nuk do ua këshillonte këtë gjë fëmijëve të tij, nga ana tjetër “vajtonte” pamundësinë e gjeneratës së tij për të bërë të njëjtën gjë (duke folur në emër të saj, sigurisht që “vajtonte” edhe fatin tim) dhe ishte në dilemë nëse ky fakt i kishte bërë mirë apo keq atij brezi.
Për të shprehur disa mendime rreth këtij problemi duhet, para së gjithash, të dimë se çfarë është pornografia, kush dhe pse e prodhon dhe e ofron atë dhe cilat janë disa nga pasojat e konsumimit të saj. Fjala pornografi vjen nga greqishtja dhe, në shqip do të thotë “paraqitje ose përshkrim i kurvës”. Qoftë dhe termi vetë është shumë domethënës. Zhvillimin më të madh kjo industri e ka njohur gjatë 50-60 viteve të fundit, kryesisht në vendet perëndimore. Si shumë vese dhe “industri” të tjera, fizikisht, mendërisht dhe moralisht të dëmshme, ajo ka edhe përkrahësit dhe propaganduesit e saj. Siç thoshte shkrimtari latin Publilius Syrus, “Çdo ves e ka gati shfajësimin e vet”. Në krye të tyre qëndrojnë miliarderët banditë që pëfitojnë prej saj si dhe disa sivëllezër të tyre në sferat më të larta politike të botës perëndimore. “Argumenti” i tyre pro pornografisë thotë se kjo është pjesë e “së drejtës për informim dhe e lirisë së fjalës”. E vërteta është krejt ndryshe. Pas argumentit fals qëndron etja për fitime disamiliardëshe. E vërteta është se pornografia nuk ka të bëjë me fjalën por me demonstrimin e veprimeve, të sjelljeve dhe të akteve seksuale, në më të shumtën e herës në kundërshtim me sjelljet normale dhe si deformim i plotë, qoftë i dashurisë njerëzore ashtu edhe i moralit shoqëror. Po të ishte i domosdoshëm, i padëmshëm dhe i moralshëm ekspozimi i asaj çfarë ofron pornografia, atëherë ajo do të vdiste si industri fitimprurëse, për arsyen e thjeshtë se gjëra të tilla do t’ua demonstronin pasardhësve vetë prindërit, pa pasur nevojë të shpenzohen fitimet e punës së përditshme.
Papa Gjon Pali i Dytë thoshte dikur se, “Industria shumëmiliard dollarëshe e pornografisë ka krijuar shumë probleme me seksin, sepse ajo ka shtrembëruar kuptimin që ka njeriu për trupin. Ajo i ka shkaktuar dëmtime martesës dhe ka plagosur rëndë shumë burra e gra për shkak të gënjeshtrave që paraqesin aktet e simuluara seksuale”.
Po pse është e dëmshme pornografia?
Studimet më të arrira sociologjike dhe psikoanalitike kanë dëshmuar se personaliteti i njeriut përcaktohet nga një varg faktorësh dhe rrethanash ku, më kryesoret janë prirjet e lindura bashkë me njeriun, rrethi familjar dhe ndikimi i shoqërisë. Ky i fundit po merr gjithnjë e më shumë terren për shkak të zhvillimit të teknologjisë së komunikimit.
Nga ana tjetër, studimet psikoanalitike kanë arritur në përfundimin se qenia njerëzore është vazhdimisht në “luftë” midis instinkteve të lindura (kryesorët konsiderohen eros- i dashurisë e thanatos- i dhunës) dhe arsyes. Pavarësisht ndryshimeve në vlerësimin e roleve të këtyre faktorëve, përgjithësisht është pranuar se mosha e adoleshencës (13-19 vjeç) është vendimtare në formimin e personalitetit njerëzor. Sigmund Frojdi shkonte më tutje, duke pohuar se tiparet kryesore të personalitetit formohen qysh në moshën 5 vjeç. Ndërkohë, disa studime të viteve të fundit në Perëndim thonë se adoleshenca, në jo pak raste, zgjat deri në moshën 25 vjeç.
Kur njerëzimi e kuptoi se shoqëria njerëzore mund dhe duhej të ishte e ndryshme nga bota e kafshëve, filloi të projektojë dhe të zbatojë disa parime (tabu) dhe norma (rregulla) të bashkëjetesës që përbëjnë Kodin Moral të shoqërisë që nga koha e fiseve. Ishte përvoja e gjatë njerëzore që i bindi mendjet më të përparuar të përcaktojnë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë duhej lejuar e çfarë duhej ndaluar. Kodet morale janë shumë të vjetra dhe kanë pasur dallimet e tyre, por doktrinat kryesore fetare i kanë përfshirë mençurisht ato në Librat e Shenjtë duke i bërë më të zbatueshme e më të qëndrueshme. Ndërsa Kurani e ndalon zbulimin e trupit të femrës, Doktrina e Krishterë e konsideron mëkat shikimin dhe joshjen ndaj femrave të tjera, jashtë marrëdhënieve bashkëshortore.
Qysh në shekullin e IV-t murgu kristian Evagrius Ponticius e përcaktoi epshin e pakontrolluar si njërin nga shtatë mëkatet vdekjeprurës. Një gjë të tillë e gjejmë edhe në Purgatorin e Dante Aligierit.
Pornografia i dëmton individët, sidomos fëmijët dhe të rinjtë, sepse ajo ndikon në deformimet, qoftë të anës emotive, ashtu edhe të arsyes. Individi që sheh pornografinë bëhet shumë herë më i prirë që personazhet e shfaqur aty t’i identifikojë në jetën e përditshme, të bëhet i disponuar dhe agresiv për të imituar në jetë aktet e demonstruara në filma apo revista. Shkurt, ana e tij emocionale (sidomos e moshave të reja) çrregullohet, humbet drejtpeshimet dhe i kundërvihet fuqimisht arsyes. Në këtë mënyrë individi fillon të shkojë më shumë andej nga e shtyjnë instinktet sesa andej nga e udhëheq arsyeja. Po ta shohësh me vëmendje historinë njerëzore, traumat më të mëdha njerëzimi i ka pësuar nga individë dhe bashkësi individësh që kanë kërkuar pushtet të pakufizuar ekonomik, politik dhe seksual. Kali i azdisur (i Frojdit) i ka këputur zinxhirët me të cilët e frenonte arsyeja (e Frojdit). Dhe pasojat janë të njohura.
Pornografia është e dëmshme për të gjitha moshat dhe gjinitë. Aty nuk demonstrohet dashuria njerëzore por shfrenimi i instinkteve. Aty i ngrihet kult tradhtisë bashkëshortore, incestit (marrëdhënieve seksuale me të afërm), përdhunimit, torturës, sodomisë (marrëdhënieve seksuale orale ose anale), mazohizmit (kërkimit të kënaqësisë seksuale në dhimbjet apo poshtërimet e pësuara nga partneri), pedofilisë (marrëdhënieve seksuale me fëmijët) si dhe zoofilisë (tërheqjes dhe marrëdhënieve seksuale me kafshët). Aty, demonstrohet çnjerëzimi i femrës, duke e paraqitur si të pangopur (marrëdhënie me disa meshkuj njëherësh) dhe burim i gjithë të këqijave që lidhen me familjen. Pra sulmohet monogamia, ajo që përbën gurin e themelit të qytetërimit. Pornografia i drejtohet instinkteve dhe jo arsyes. Ajo ka si synim fitimin material dhe jo edukimin moral apo social.
Në vitin 1985, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Edward Meese, caktoi një panel psikologësh dhe mjekësh, të cilët, pas një studimi, konkluduan se “Pornografia nxit qëndrimet negative, se ka efekte negative për individët dhe shoqërinë dhe mund të dëmtojë shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve dhe të të rriturve”.
Sipas Charles Keating (Citizens for Decency through Law) 77% e të rriturve të dënuar për ngacmim të djemve minorenë dhe 87% e të dënuarve për ngacmim të vajzave minorene (gjatë viteve ’90) kanë pranuar se gjatë ngacmimeve seksuale kishin imituar çfarë kishin parë në materialet pornografike. Sigurisht që nuk kanë munguar edhe “studime” të sponsorizuara nga bosët miliarderë të pornografisë që kanë “konkluduar” se pornografia nuk ka ndonjë ndikim të ndjeshëm në kriminalitet, sidomos në përdhunimet. “Studime” të tilla janë sponsorizuar edhe nga manjatët e armëve apo të drogës për të “provuar” se prodhimi dhe tregtimi i tyre nuk sjellë ndonjë dëm social.
Është e padiskutueshme se pasojat më të rënda pornografia i shkakton tek fëmijët për shkak të moszhvillimit të plotë fizik dhe sidomos mendor. Pikërisht pse fëmijët dhe të rinjtë adoleshentë nuk e kanë konsoliduar ende personalitetin e tyre, thuajse në të gjithë botën ekzistojnë kufij ligjorë për moshën minimale të martesës dhe për moshën minimale të përgjegjësisë ligjore. Madje, ligjshkelësit deri në moshën 18 vjeç marrin gjysmën e dënimeve penale për të njëjtat krime që kryejnë të rriturit. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e të rriturve me të mitura dënohen penalisht edhe kur kryhen me pëlqimin e tyre. Këto qëndrime tregojnë se ka një konsensus global të studiuesve, psikologëve, sociologëve, kriminologëve dhe ligjbërësve rreth faktit se personaliteti i adoleshentëve është i brishtë dhe ende në zhvillim dhe si i tillë lehtësisht i cenueshëm dhe i manipulueshëm nga rrethanat shoqërore.
Mendoj se është koha që zëri i intelektualëve me integritet moral duhet të dëgjohet shpesh rreth plagëve të tilla si droga, armëmbajtja, prostitucioni, pornografia, kriminaliteti etj.
E keqja më e vogël që sjell pornografia është shthurja morale (vlerësimi i deformuar i seksit tjetër, varësia nga pornografia, paqëndrueshmëria e marrëdhënieve dashurore, prishja e martesës etj.). E keqja më e madhe është abuzimi deri në krim (përdhunimet, torturat, vrasjet, marrëdhëniet seksuale me fëmijë etj.).
Të gjitha qëndrimet negative që u cekën më sipër bien ndesh, qoftë me parimet fetare, qoftë me kodin moral laik që shërbejnë si bazë morale për mbarë njerëzimin. Atëherë, ka dy rrugë: ose duhen abroguar kodet morale dhe braktisur parimet fetare për hir të glorifikimit të imoralitetit, ose duhen ruajtur ato dhe duhet mbajtur qëndrim kritik ndaj fenomeneve që bien ndesh me to. Të pretendosh se je në paqe edhe me djallin, edhe me Zotin, do të thotë të jesh hipokrit dhe demagog. Oportunizmi apo bashkëjetesa paqësore me këto fenomene është më shumë se e padenjë.
Marrëzia jonë nuk duhet të fluturojë aq lart sa të besojmë se gjithçka që e ndalonte apo kufizonte regjimi komunist ka qenë e mirë dhe e dobishme. “Filmat” bardh e zi duhet të dalin përfundimisht nga tregu i vlerësimit dhe propagandimit të vlerave morale.
Përparimi i shoqërisë njerëzore i ka të domosdoshëm  qëndrimet analitike dhe kritike ndaj fenomeneve negative.

****************
Do duhet të tronditemi me të miturit që shohin pornografi?
Nga Mustafa Nano (botuar në 13 shkurt në DITA)
Një organizatë me emrin ‘World Vision International’ (është organizatë fetare, më saktë kristiane) ka bërë një studim në Shqipëri. Ka intervistuar, afro një mijë fëmijë të mitur të moshës 13-18 vjeç, konkretisht në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë, Peshkopi, dhe nga ky anketim ka rezultuar që 44% e tyre kanë pranuar se shohin çdo ditë materiale pornografike në internet (një shifër tjetër interesante që ka dalë nga studimi është, se “47% e fëmijëve janë kontaktuar online nga të panjohur”). Ekziston prirja për të nënvizuar shifrën e 44% të fëmijëve (në këtë diskutim lipset saktësuar se ç’moshë kanë tamam-tamam këta fëmijë; përballë një materiali pornografik, një 13 vjeçar nuk është njësoj me një 17 vjeçar, s’ka gjë se që të dy quhen të mitur) që shohin materiale pornografike, por mua më e frikshme më duket shifra tjetër në kllapa, që thotë se 47% e fëmijëve janë në kontakt me persona të panjohur online.
Por po ndalem te fëmijët që shohin pornografi në internet. Dhe më duhet të them se nuk është shifra 44% që më bën përshtypje. Madje, kjo shifër më bën përshtypje në sens të kundërt. Më vjen çudi pra që janë vetëm 44% e tyre që kanë parë materiale pornografike në internet. Po të tjerët nuk kanë patur një minimum kërshërie për të bërë të njëjtën gjë? Nëse nuk kanë patur, do të shtroja pyetjen: është e shëndetshme kjo mungesë kërshërie nga ana e fëmijëve? Nuk është se kam një përgjigje për këtë pyetje të fundit. Por një përgjigje do doja ta dëgjoja. Nga mësuesit, sociologët, psikologët, a të tjerë që punojnë me fëmijët (Gjenerata ime ishte e përgjëruar për të patur një kontakt disido me një material porno, një foto, a disa letra bixhozi me çupa të zhveshura, a ndonjë libër të shthurur; dhe unë nuk e di nëse na ka bërë mirë mundësia zero për një kontakt të tillë).
E dhëna shqetësuese në këtë mes nuk më duket pra fakti që fëmijët shohin materiale pornografike, por që ata shohin shohin materiale të tilla çdo ditë. “Çdo ditë” është e frikshme. “Çdo ditë” të jep idenë e një veprimi maniakal, e një makthi që, ashtu si të gjitha makthet, nuk premton ndonjë rritje të shëndetshme. Ndërsa herë pas here, sipas meje, nuk do të ish ndonjë hatá. Si prind nuk do t’ua këshilloja fëmijëve të mij të mitur të shihnin, por nëse do ta bënin ndonjëherë fshehurazi, nuk është se tronditesha kushedi se çfarë. Një fëmijë që bën ndonjë gjë prapa shpinës së prindërve, e në kundërshtim me këshillat e këtyre të fundit, nuk ka pse të na trondisë. Mendoj unë.
Dhe në këtë diskutim e sipër më vjen në mendje Umberto Eco, që para ca kohësh i dërgonte një letër publike nipit të vet që kish të njëjtën moshë me fëmijët e intervistuar nga organizata ‘World Vision International’. Eco i thosh pak a shumë se “unë e di, i dashur nip, që ti sheh herë pas here materiale pornografike”, dhe këtë gjë e thosh qetësisht, larg gjendjes së panikut apo alarmit. Dhe vijonte (po e perifrazoj): “Unë, nga përvoja ime, mund të të them se çupat reale, që janë jashtë në rrugë, a në shkollë, a në parqe, a në kinema, e që ti mund ti prekësh, janë më të mira se sa çupat virtuale që ti i sheh në ekran, e që ti vetëm mund t’i shohësh”. Këtë të fundit duhet t’ua themi vazhdimisht fëmijëve tanë.


Related

Opinione 7018086271727588896

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item