Lumo Skëndo:Të shpresojmë vetëm nga vetja jonë!

Lumo Skëndo Janë ca gjëra që njeriu vetiu i kupton fort mirë, ca mendime që janë shumë të kthjellta në kokë të tij; nga ky shkak i duket se...

Lumo Skëndo

Janë ca gjëra që njeriu vetiu i kupton fort mirë, ca mendime që janë shumë të kthjellta në kokë të tij; nga ky shkak i duket se dhe gjithë bota, duhet që t’i kuptojë, kështu pandeh se nuk është fare nevojë që të ndritojë kuvendin e ta çpalosnjë gjer e gjatë fjalën.

Po për fat të keq nuk është kështu: shumë sende i kuptojmë pakë me mundim, se ajo q’është fare e çelur për njërin, mund të jetë e turbulltë për tjatrin. Pastaj, një e vërtetë e madhe është kjo: atë që duam kuptohet çiltazi lipset që ta themi fare çiltazi, ta themi dhe ta themi prapë, dy herë, dhjetë herë, njëzet herë që të hyjë mirë në vesh dhe në kokë, të skalitet në tru.
Kjo është në principet e mi që kam ndjekur gjer më tani.
Shumë njerëz i kanë kuptuar fare ndryshe mendimet e mia, më kanë bërë qortime, më kanë pyetur ç’kam dashur të them, më janë lutur të jem i kthjellët. Edhe kam parë se vërejtjet e tyre janë të drejta.
Në këto faqe, të vogëla të Kalendarit – si dhe në ca shkrime, pa ndonjë vleftë padyshim, që janë botuar te gazeta Lirija, – duke kuvenduar me vëllezërit e mij, duke qarë hallet tona, gjithnjë kam patur në mend një gjë: të përpiqemi që të përmirësojmë vetijat tona, të ndreqim të metat tona, të lartësohemi dhe të përparojmë vetëm me përpjekjet tona.
Të tjerë – dhe të shumtë – kanë mbledhur gjithë kujdesin e tyre në të zbuluar dhe në të numëruar të fajeve të të tjerëve, të këqijave dhe të padrejtave që na bëhen prej të huajve. Edhe kanë thirrur dhe janë qarë.
Edhe ne fort mirë i shohim të këqijat që na punojnë të huajtë, fort kulluar na radhitet para syvet vargu i ligësivet që na vijnë prej tyre. Po këto të këqija dhe të liga, të shumta, s’duhet gjithnjë të na bëjnë të mos gjejmë një shkak më të thjjeshtë, të rrahim të kërkojmë të metat që kemi ne vetë.
Më duket se çdo gjë ndreqet, kur të ndreqemi ne vete: çdo të lige i priten krahët, kur të ndreqim të metat tona: çdo të këqije së huaj i priten këmbët, kur të bëhemi ne vetë të zotërit që të mbrojmë të drejtat tona, që t’u kundërqëndrojmë.
Shembulli është; e dimë që moti na sjell shi, dëborë, breshër, erë dhe shtrengate; a është mirë që të qahemi nga këto të këqija, apo duhet që të ndreqim çatinë dhe dritaret e shtëpisë?
Me fjalë të tjera: a është e nevojë që të ndreqim njerëzit e tjerë apo të ndreqemi ne vetë? Kur kemi shum’armiq, kur janë shumë njerëz që na bien në qafë, a është mirë që t’i lidhim duart e këmbët e botës apo të forcohemi ne vetë dhe të bëjmë botën që të na respektojë?
Edhe kështu kam qenë gjithnjë në mendim që duhet të kërkojmë, të gjejmë dhe të shohim të metat dhe fajet tona, t’i zbulojmë, të hapim sytë, të mendohemi dhe të ndreqemi. Fuqinë duhet ta kemi brenda te shpirti, te vetijat te mendime tanë, duhet të kemi karakter dhe vullnetin e fortë, gjykimin të drejtë që të mundim të rrojmë në këtë shesh lufte të jetës pa frikë se mos na rrëzojnë mbërdhe bora, pa u- ndrojtur se mos një çilimi i dobët e një armik i fortë të vijë dhe të na vërë ndalime, të na dobësojë dhe poshtërojë.
Sa gjë e madhe, sa gaz shpirti është për njerinë të jet’i fortë dhe të ketë besim te vetja e tij!
Njeriu me të vërtetë, në këtë jetë s’mund që të ketë besim veç se në fuqinë e tij. Në daçim që të mos përbuzemi, të mos vuajmë dhe të mos vdesim, duhet të jemi të fortë, të kemi mjaft fuqi për të prapsur rreziqet.
Ja dhe një çashtje tjatër. Kam bërë shumë herë fjalë se ne shqiptarëvet na duhet një parti thjeshtë kombiare.
Mos më thuhet se a janë gjithë mëmëdhetarët në një mendje, se gjithë udhët me në shesh dalin, se gjithë mendimet një qëllim kanë? Unë dua që për të vërtetën dhe për të mirën, të ketë veç se një udhë të vetme. Ne duam të mirën e kombit tonë, shpëtimin e kësaj Shqipërije; duhet që shpëtimi t’i vijë prej vetes së saj, për të mirën dhe për fitimin e saj drejtpërdrejt.
Le të jemi më të kthjellët: shpëtimin tonë ta presim nga vetja jonë, si një pemë të përmirësimit dhe të naltëismit tonë, një pemë që të vijë vetiu, me djersët, me përpjekjet dhe me dëshirat tona. Kjo është për ne politika m’e drejtë, udha m’e sigurtë, shpëtimi m’i nderçim.
Të mos themi se çdo njeri ka një udhë të ndryshme për t’arriturë qëllimin e përbashkët, se unë them që udha si edhe qëllimi duhet të jetë një: shpëtimi me anë të vetes sonë.
Mos gënjejmë kurrë veten dhe të themi se mund që të jetë mëmëdhetar dhe besëdrejtë ay që shpreson prej Greqisë, Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Turqisë, ose prej Fuqive të Mëdha. Le të jemi gjithnjë të sigurtë se ata që ushqejnë të tilla shpresa, janë fort të gënjyer dhe të gjorë, në qoftë se nuk janë gënjeshtarët dhe tradhëtorë.
Të huajtë, çdo të mirë që të na bëjnë neve, sado t’ua dojë politik’ e tyre, e kanë më tepër për interesin e tyre sesa për sytë e zezë tanë. Është pra, gjë me ment, që të lëmë gjithë punët tona në dorë të një të huaji, dhe gijthë shpresën e rrojtjes ta varim te një njeri që pa dyshim, më parë se çdo gjë ka për detyrë të mejtojë të mirën e tij?
Pranda shumë herë në kuvendimet e mi që bëj me këndonjësit, dukem i ashpër dhe ksenofob, që shumë herë dëftej një ç’besim, kundrejt të huajve. Se dua që të kemi besimin te vetja jonë, dua që ta presim të mirën prej vetes sonë.
S’është mirë që ta lëmë veten si lodër te të huajtë, se këta sado që të na jenë miq, ç’respekt dhe nder mund të kenë për ne kur na shohin që jepemi vërbërisht në duart e tyre, me një besim të verbër, në mos dhe me një shpresë interesi të turpshëm?
Këto janë, i dashur këndonjës, mendimet dhe principet e mija. Tani detyra jote është që të mejtosh akoma, të drejtosh çështjen. Vetëm mos të harrojmë se: 1. Njeriu duhet të ketë besim te vetja e tij: 2. Ay që hirohet dhe që bëhet vegël verbërisht të një tjatër, s’meriton kurrë ndonjë fare respekti.

Stamboll, gusht 1912

Related

Letërsi 4222221863021177696

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item