Letër vetvetes: O Zot, mos ma le fenë pa kulturë!

“Jeta është udhëtim, ndërsa mendimi udhërrëfyes”  ( V. Hygo) Shkruan: Dr. Ismail Bardhi Fillimisht kisha dëshiruar t’i prezentoj lëshimet të...

“Jeta është udhëtim, ndërsa mendimi udhërrëfyes”  (V. Hygo)

Shkruan: Dr. Ismail Bardhi


Fillimisht kisha dëshiruar t’i prezentoj lëshimet të cilat do t’i bëj në këtë shkrim, duke filluar nga titulli e deri në përfundim të tij. E para, për arsye se po bëj hyrje (shkrimet e para antike drejtpërsëdrejti i janë rrekur tematikës, nuk kanë pasur “hyrje”, sepse hyrjet, siç thotë D. Kalajiq, janë konsideruar mashtrime); e dyta për problemin për të cilin edhe unë jam përgjegjës, dtth. i shkruaj vetvetes, e treta akoma më e vështirë është se sipas vokacionit në një masë jam pjesëmarrës në atë që po ndodh, edhe pse dukuritë faktografike tregojnë në diçka që është shumë më e rëndësishme se këto tre arsyetime. 
Më e vështira është se këtë lloj letre vazhdimisht kam dashur ta shkruaj qysh para më tepër se dhjetë vitesh, dhe atë si një thirrje të përhershme. Siç shihet këtu, para se të shkruhet kjo letër janë bërë shumë lëshime, gabime të mëdha me vetveten në praninë e vetëdijes dhe asaj “lëre se ka të tjerë që kujdesen”. Është fakt në mesin tonë ekziston kriza e cila është bërë fenomeni më studiues, më përcjellës, më universal i yni. Ironia është se atje ku ka krizë për të heshtet, ndërsa atje ku nuk duhet të ketë krizë, ne sikur e kemi të domosdoshme ta prezentojmë atë.
Për çfarë bëhet fjalë? 
Shumë thjeshtë: dita e premte, koha e ftohtë nën 0oC, xhamia përplot me besimtarë, si jashtë ashtu dhe brenda, ndërsa muezini edhe imami fare nuk kanë parasysh kushtet elementare të kohës si dhe urdhrat fetare që të jenë të kujdesshëm ndaj asaj se si duhet vepruar në momentet të tilla kur moti është tepër i nxehtë, tepër i ftohtë, me dëborë, me të reshura. Fatkeqësisht ata në mënyrë konstante vazhdojnë avazin e njëjtë, pa u kujdesur fare për besimtarët të cilët struken nga i ftohti/nxehti dhe mbase as që “kanë” mendjen në namaz. Kështu, njëri e zgjat ezanin me mekamet e veta “të çuditshme” disa minutëshe, e tjetri për çdoherë kërkon falje se do të lypë ndihmë materiale prej muslimanëve, me fjalët se nuk dëshiron ta zgjasë shumë, por megjithatë e zgjat fjalën.
Në kohën e mëparshme, xhamia dhe preokupimi me xhaminë, sjellja e besimtarëve kanë qenë disi nën një “edukatë”, brenda qetësisë dhe heshtjes, por jo konfliktuoze; besimtarët ishin të kujdesshëm ndaj vetvetes, rrethit dhe ambientit. Sidomos leximi i Kur’anit ka qenë i përshtatur me rregullat e veta, duke i dhënë karakteristikat e vendit ku jetojnë, duke dëshmuar një lidhshmëri me kohën dhe vendin, një autoktoni e vërtetë. Natyrisht se xhamitë nuk ishin aq shumë të mbushura me xhemat siç janë tani, disa xhami madje ishin edhe të mbyllura (mendoj për vitet ’70 të shek. XX). Besimtarët sidomos ishin të kujdesshëm ndaj asaj që të ruhet shenjtëria e vendit të xhamisë, xhamia dhe rrethi i saj. Fare nuk kishte mundësi që të ndodhë që guri i bukur e origjinal i xhamisë të ngjyroset me ngjyra të ndryshme, por ishin të ndërgjegjshëm ndaj artit të bukur fetar. Në të vërtetë, xhamia ishte brenda shpirtit të muslimanëve, brenda kujdesit të tyre dhe dashurisë, por njëkohësisht edhe dihej se në duar të kujt është përgjegjësia e saj. 
Natyrisht se feja nuk prezentohej me thellësitë të cilat i ka, si në atë të dimensionit teologjik ashtu edhe atij filozofik, ato disi ishin çështje të “paprekshme”, dhe më tepër mbizotëronte urtësia e dëgjimit dhe heshtja. Mbase ky lëshim ishte fajtor, por ishte shumë i lezetshëm naiviteti i sinqertë të cilin ne akoma e kemi në memorien tonë. Nuk besoj se kjo duhet të merret si çështje diskutimi dhe paradigme, pa marrë parasysh se ka shumë-shumë të thuhet, por meqë është çështje e kaluar atëherë neve na mbetet të merremi vetëm me të mirën e saj në kuadër të racionales dhe kulturës religjioze.
Kurse ç’po ndodh kohëve të fundit, çfarë pamë dhe ç’jemi duke parë nëpër xhamitë tona?
Gabimet e shpeshta gjatë leximit të Kur’anit në namaz, që disa herë shkaktojnë edhe gabime që quhen fes’hu-s-salah  – prishje e namazit); leximet e shkurta, të gjata; leximet duke mos iu përmbajtur rregullave të texhvidit ose, siç më tha një shok, “kira’et pa harfe”. Ndonjëherë Kur’ani lexohet si për t’iu “përgjigjur” sjelljes së dikujt nga mesi i xhematit; lexohet dhe nuk kuptohet fare, e mos të flasim për mënyrat e tjera të cilat janë krijuar si shabllone: një ajet një rekat. Kujtoni vetëm rastin e namazeve të teravive dhe leximit të Kur’anit gjatë tyre. 
Në vazhdimësi të kësaj kemi rastin e muezinëve: ata me ndihmën e altoparlanteve bëjnë muezinllëk, duke harruar çdo rregull, çdo kujdes ndaj asaj që quhet terbije fetare, qetësi shpirtërore, kulturë e lartë kur’anore dhe pejgamberiane për të pasur kujdes ndaj shqetësimeve, ndaj zërave që pengojnë, ndaj “ngritjes së zërit”, se ato kanë mundësi të jenë zëra … Do të thotë, “imami” i lodhur, me “muezin” kapitur. Nëse kësaj ia shtojmë edhe atë se ata shpesh harrojnë përgjegjësinë e tyre që si të sillen dhe në ç’mënyrë të veprojnë në kushtet e sipërpërmendura, atëherë ç’të them për atë që të bëhemi shembull i mirë. Nuk besoj se për çdo gjë duhet pritur urdhëresë nga qendrat me të cilat do t’u tregohej se “sot ka shi dhe bën ftohtë dhe mos i mundoni muslimanët”, e që mos t’ua prishin zemrën dhe shpirtin ndaj më të dashurës – salatit. 
Mos të flasim se te disa xhami vërejmë edhe njëfarë mendësie privatizimi të tyre nga njerëzit të cilët vetëm për arsye se nuk janë të punësuar e punësojnë vetveten, dhe kështu dalengadalë fitohet përshtypja se xhamia është e “x” personit apo “xy” personave. Ata vendosin për “estetikën” e brendshme të xhamisë, ata vendosin për ngjyrosjen e xhamisë, ata vendosin për abazhurat e xhamisë, ata vendosin e vendosin për shumëçka. Merreni me mend se si vendosin. Për shembull, guri i një xhamie 500 e më tepër vjeçare ngjyroset me të kaltërt apo të gjelbërt. Mos dhashtë Zoti që edhe ajo më e çmuara e xhamisë, brendësia, të suvatohet me llaç…  Kjo do të thotë se xhamia ka humbur kujdesin e duhur, si nga përgjegjësia individuale ashtu edhe nga ajo institucionale, sepse tekefundit ne vetë “lejuam” që besimtarët e viseve “tona” të jenë të këtillë. 
Ne lejuam që nëpër xhamitë tona fare mos të përcillet ajo ana edukative e informimit dhe prezentimit të fesë dhe krijimit të shoqërisë e cila do të ketë në vetvete gjenin më të pastër, përplot kulturë dhe estetikë të fesë. Ne lejuam që nëpër xhamitë tona t’u mundësohet njerëzve që të “krijojnë” autoritete, për të fituar emër dhe nam,  edhe pse disa prej tyre kanë qenë të vetëdijshëm se ç’bëjnë duke shfrytëzuar metodën “kjo shitet sot, këtë e blen pazari”, dhe lejuam që ai person të sillet si pronar i xhamisë, si pronar i fesë, si pronar i kulturës, duke mashtruar dhe ligjëruar po Islam, por përplot krizë e paqartësi, si ajo që quhet “dramatikë komediane”, ku besimtarët, kërkoj falje prej shumicës prej tyre, vetëmse “zgërdhehen”. A thua vallë ata nuk e dijnë se në xhami patjetër duhet të mbretërojë kuptimi i vendit dhe kohës? Ne nuk kemi mundësi që xhaminë e saharasë ta transferojmë në qendër të pallateve të Eliseut dhe anasjelltas. Nuk është kotë e prezentuar në Kur’an thënia “el-Arabu” – beduinët. 
Këtu është mirë të prezentohet edhe fenomeni ose dukuria e qartë se besimtarët nuk janë në gjendje ta dallojnë zhvillimin e kiçit, i cili dalëngadalë prezentohet është duke u futur edhe brenda mentalitetit fetar (xhamisë), duke pasur parasysh këtu stilet e veshjeve dhe fizionomitë e ndryshme, të cilat prezentohen e disa herë edhe urdhërohen si çështje fetare, pa marrë parasysh sfondin e shumicës që vjen ose lind si fenomen pas krize: dikush i lodhur nga mëkatet e mëparshme, nga krizat e ndryshme shpirtërore e trupore, e dikush tjetër nga varfëria dhe mashtrimi jetëshkurtër i ushqimit njëditor, e deri te ajo të cilën shpeshherë e cek në fjalët e mia “islam rinor”. Dalëngadalë ka filluar që “të lejuarat” të praktikohen me dhunë – ja “revolucioni”! Akoma pa e mësuar siç duhet “shehadetin” dikush prezenton “medhheb” dhe lufton per “medhhebin”!?! Sa turp i madh është të lejohet që “sistemi/politika” t’i bëjë njerëzit muslimanë. O Zot çfarë trishtimi!
Vallë ç’të thuhet për konvertimet e ndryshme ideore, të cilat duhet të shikohen dhe analizohen nga ekspertët dhe njerëzit e edukuar në fe, arsim, kulturë, urtësi që nuk është një çështje shkel e shko. Çdo mendim teorik nuk do të thotë të bëhet edhe normë praktike, sepse thënë filozofikisht, thellësia e mendimit, idesë janë çështje shumë të thella për njerëzit e zgjedhur, sepse çdokush nuk ka mundësi të bëhet dijetar. Kjo nuk ka të bëjë fare me diskriminimin, por është natyrshmëria më e lezetshme e natyrës. Për fat të keq, ata të cilët i nënshtrohen kësaj aventure të idesë dhe mendimit, duke iu nënshtruar kuptimeve të jashtme dhe të brendshme të Tekstit të Shenjtë dhe traditës, përpiqen, prezentojnë “rregulla” duke prishur rregulla të tjera. Ata tregojnë dobësi mendore, kulturore e “traditore”. Nëse këtë e prezentoj në mënyrë paradoksale, do të thoja kështu: të gjitha gratë e botës janë gra, por nëna nuk është si ato gratë, ajo është mbi të gjitha gratë e tjera, ajo është diçka tjetër. Kështu, edhe të gjitha idetë janë ide, por një ide dallohet, ajo është nënë. E shihni sa thjesht është të mendohet kësisoji: nëna, medhhebi dhe kultura e qetësisë…
Xhamia që nga zanafilla e saj është konsideruar dhe ka qenë qendra më kulturore informative e botës. Ne nuk guxojmë të lejojmë energji negative ose të bëjmë më të keqen, “të krijojmë” praktikues të fesë të cilët që kur dalin nga shtëpia e harrojnë formën lutëse të lutjes, takvanë e takvasë, devotshmërinë e devotshmërisë dhe të marrin formën e “xhandarit” të fesë që dikujt t’ia hapin e dikujt t’ia mbyllin këmbët, ose drejtpërsëdrejti në mënyrë konfliktuoze t’ia tregojnë “një të vërtetë” ose një ndalesë. Xhamia nuk ka qenë, nuk është e as që guxon të bëhet vend shqetësimi për njerëzit e devotshëm, plot kulturë dhe dashuri ndaj Zotit. Xhamia nuk është vend ku njerëzit mësohen të jenë jashtë dimensioneve të estetikës së kulturës.
Kemi edhe një moment tjetër shumë të rëndësishëm, e që është prishja e estetikës së stileve të vjetra të arkitekturës së xhamisë, pa u ruajtur antikiteti i tyre dhe tradita e ndërtimit të tyre në trojet tona. Momentalisht xhamitë e reja i kemi të ndërtuara duke u bazuar në mendjet më katundareske, më antiarkitekturale e jashtë çdo norme të estetikës së bukur. Me të vërtetë kjo është një ndër çështjet që dëshmon papjekuri elementare të trurit, p.sh. fshati me 50 shtëpi ndërton xhami për 1500 xhemat, e mos të flas për kushtet dhe gjendjen ekonomike të besimtarëve, pa infrastrukturë elementare, e as për garat e brendshme se kush është më “i fortë”, kush më “i madh” e kush më “i vogël”, kush “me nam” e kush “pa nam”.
Në xhami nuk shkohet që të “mbushet” truri me dituritë ekzakte, që të “mençurohet” truri, por shkohet që të dëshmohet devotshmëria ndaj Zotit dhe truri të mësohet se si të jetojë jashtë saj, ç’të pranojë dhe ç’të refuzojë. Në xhami shkohet që zemra dhe arsyeja të pastrohen dhe t’i nënshtrohen Zotit; të fitohet kënaqësia më e kënaqshme e kënaqësisë, të fitohet më e pastërta e pastërtisë së pastër, të zhytesh brenda dimensioneve jashtëdimensionale, të përjetohet miraxhi, ngritja kah qielli dhe feja dhe besimtari të prezentohen në formën më të mirë.
Kur’ani dhe tradita profetike na e ndalojnë krijimin e imazhit të besimtarit musliman kinse patjetër duhet të jetë “i zi”, me dhëmbë “të palarë”, me këmbë “të shtrembër”, me flokë “të shprishura”, e sidomos i varfër e pa kulturë, i cili kur ec krijon pasiguri, sa që mos dhashtë Zoti të krijohen edhe lagje me rrugë plot papastërti, me shtëpi që të krijojnë trishtim vetëm t’i shikosh e lëre më të jetosh brenda. Kur’ani dhe tradita e Pejgamberit a.s. na thërrasin që të jemi të kujdesshëm për atë se ç’bëjmë, në cilat rrugë dhe në ç’mënyrë jemi duke ua prezentuar Islamin besimtarëve.
Kjo ishte arsyeja që e bëra këtë shkrim, me të cilin fare nuk mëtoj ta ofendoj dikë dhe ta zhvlerësoj, por prezentimet e lartheksuara me të vërtetë janë çështje të cilat duhet të analizohen brenda përgjegjësisë, diturisë dhe kulturës së lartë. Në realitet, e kam dënuar veten para shkrimit dhe e dënoj edhe pas shkrimit të kësaj letre. Mu për këtë arsye i lutem Zotit të gjithësisë të na i falë gabimet, të na udhëzojë në rrugën e drejtë, të na japë ardhmëri të sigurt, mos të lejojë që varfëria të mbizotërojë me mendjen dhe jetën tonë, të na pasurojë me shpirt të çiltër dhe devotshmëri kur’anore e të na e ruajë qetësinë e xhamisë me aromën profetike dhe fenë islame mos të na e lërë larg kulturës e dashurisë. Islami është përgjegjësia./shenja

Related

Opinione 8919452599306210027

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item