20 arsyet për të mos pasur ankth nga puna

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli  ...

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile


Shqetësimet e Tonit
Toni, ishte një djalosh i gjatë dhe i hollë njëzet e pesë vjeçar, me kaçurrela të errëta dhe fytyrë zeshkane. Problemi i tij po shkallëzohej, ndërsa vazhdonte ende të bënte shaka me sarkazëm rreth kësaj, duke më folur me një variant standard mendjemprehtësie, të cilin e kisha dëgjuar edhe më parë nga plot e plot klientë të tjerë.
- Pas vite e vite fillesash të rreme dhe përpjekjesh të papjekura, – u shpreh ai me seriozitet tallës, – tashmë them se e kam përvetësuar krejtësisht artin e shqetësimit! (Toni pati kaluar gjashtë muaj terapi tradicionale).
- Ajo më ndihmoi ta kuptoj veten më mirë, ose, kështu pandehja me naivitet asokohe. Përpiqesha ta shpërfill faktin që gjatë tërë kohës vetëm se përkeqësohesha edhe më shumë.
Ai e pati braktisur terapinë, kur një ditë qe kujtuar se mund të përfundonte krejt fillikat, ngaqë e pati ndihmuar të birin e psikoanalistit të tij të ndiqte së shpejti një kolegj. Kur e dashura e Tonit zuri punë në një firmë të njohur juridike të San Franciskos, ata e lanë Nju Jorkun. Tani Toni e ndjente se kishte ardhur koha të përballej sërish me problemin e tij, kështu që iu kthye terapisë.
Toni më bëri shkurtimisht një përmbledhje të shqetësimeve të tij.
- Më kujtohet që shqetësohesha se mos bëj gabime, kur luaja bejsboll me skuadrën e të rinjve të Ligës. Më pas ishin shqetësimet që ndjeja përpara provimeve, por edhe gjatë tyre, kur vazhdoja shkollën e mesme. Veç ta mendosh! I ndjeja ato edhe pas diplomimit. Përherë më dukej se shqetësohesha më shumë se çdokush tjetër. Shqetësohesha edhe për ca gjëra fare të kota dhe këtë problem e trajtoja më keq se shumica e njerëzve. Madje shqetësohesha edhe për faktin se përse isha një njeri që shqetësohej kaq shumë.
Toni shërbente si nëpunës krediti në një bankë, punë të cilën e konsideronte si diçka stresuese. Çdo mëngjes, dita në vazhdim i fanepste si një torturë që ishte gati të shpalosej.
- Në punë, kur nis ndonjë projekt të ri ose merrem me ndonjë problem të vështirë, apo edhe kur kam një mori punësh për të kryer, shqetësohem. Shqetësohem edhe nga ideja për të mësuar ndonjë profesion të ri, ose, kur nuk e bëj punën ashtu si duhet, kam frikë se mos më pushojnë nga puna. Në përgjithësi, sa më tepër u ngjitem lart shkallëve të karrierës në punë, aq më shumë ndihem i shqetësuar.
Ka raste që puna s’është aq e rëndë, p.sh., kur kam diçka që s’do shumë mund, apo, që nuk më ngutin për kohën. Por në përgjithësi, shqetësimet po më shpien drejt asaj që të më mërzitet puna. Nganjëherë rri zgjuar tërë natën i shqetësuar dhe të nesërmen ndihem i drobitur në punë dhe e shtyj kohën duke parë ëndrra me sy hapur. Ndjej vështirësi përqendrimi. Kur fle, bëj gjumë të trazuar dhe për shkak të këtyre shqetësimeve po ia shpie keq edhe në punë.
- Rrënjët e problemit tënd, Toni, – i sugjerova unë, – nuk qëndrojnë te përvojat e Ligës të të rinjve, as te ngjitja e shkallëve të karrierës në punë dhe as te situata jote e lëkundur financiare po humbe punën. Më tepër ato shtrihen te kërkesat e tua ndaj qëllimeve që synon – te DUHET e tua: të bëj patjetër këtë, të bëj patjetër atë…
I shpjegova Tonit sesi e menduara me DUHET prodhon shqetësime. I përshkrova të tri tipat e kërkesave: kërkesat ndaj vetes, kërkesat ndaj të tjerëve, kërkesat ndaj universit.
- Për mua është e qartë se cilat janë DUHET e tua kryesore. A do të ishe kundër sikur të provoje e të hamendësosh, se cilat mund të jenë ato?
- Lërmë ta provoj. Mbase mendësia “DUHET” numër tre: kërkesa ndaj situatës sime – kërkesa ndaj universit. “Koncentrimi nuk DUHET të jetë aq i vështirë”. “Gjumi duhet patjetër të më zërë kollaj”. “Puna ime DUHET të zgjatë përjetësisht?”
- Pikërisht! Dhe, përse DUHET të zgjatë puna jote përjetësisht?
- Sepse po e humba, mora fund fare. Nuk do të gjej dot kurrë një punë aq të mirë. Kam derdhur shumë djersë për të arritur deri këtu. Do më duhej ta rinisja sërish gjithçka nga zeroja!
Vini re që frika e Tonit se mos e humbiste punën, nuk qe një frikë e kotë si ato që radhitëm në krye të këtij kapitulli. Nëpunësit e të gjitha niveleve, madje edhe kur janë punonjës të palodhur, e humbasin nganjëherë punën e tyre. Por, kur e pyesje përse i dukej kjo kaq e tmerrshme, Toni përgjigjej me terma te ekzagjeruara e melodramatike rreth pasojave që mund të kishte po ta humbiste punën.
- Le të supozojmë se ky është rasti – ndonëse nuk ka gjasa se do t’ia nisësh nga niveli zero me përvojën që ke ti. Sigurisht, ne mund të hartojmë një listë me pesëmbëdhjetë apo njëzet disavantazhe që mund të sjellë pushimi yt nga puna. Por, meqenëse çdo njeri ndeshet me pengesa në jetë, përse ti nuk DUHET t’i hasësh ato?
- Kur juve e shtroni çështjen në këtë mënyrë, e pranoj se nuk do të përmbysej bota po ta humbisja unë punën. Mund të jetë diçka e pakëndshme, por jo fatkeqësi. Them se bëj mirë të mos e veçoj veten nga raca njerëzore dhe njëlloj si kushdo tjetër të përballem me faktin e trishtë, se edhe mua mund të më nxjerrë pengesa jeta.
Për ta riforcuar këtë shprehje, Toni dhe unë bëmë një listë me arsyet përse qe e rremë bindja e tij se puna e tanishme do t’i zgjaste përjetësisht. Ja se çfarë shkroi ai:

Arsyet përse bindja: “Puna ime DUHET të zgjatë përjetësisht” është e rremë

1.         Po e humba punën, e humba! Realiteti është realitet dhe ashtu si e mendoj unë se DUHET të jetë.
2.         Megjithëse dua me gjithë shpirt që të mos e humbas punën, preferenca nuk është e barabartë me: “DUHET TË”.
3.         Ndonëse po e humba punën do të kem më shumë probleme financiare e punësimi, por kjo është gjithçka që mund të kem – thjesht probleme, jo tmerre.
4.         Mund të jetë kënaqësi kjo ndërprerje e punës, e cila mbase më mundëson pushimin e shumëpritur për t’i bërë një vizitë tim vëllai në Itali.
5.         Unë kam ca kursime me të cilat do të shtyj ca kohë. Do ta kem zotësinë që ta shfrytëzoj kohën e lirë dhe të bëj përpjekje vërtet të shkëlqyera për të gjetur punën më të mirë të mundshme.
6.         Humbja e punës mund të më japë pikërisht shtysën që më mungonte për të provuar ëndrrën time – hapjen e një biznesi privat si konsulent kompjuterash.
7.         Humbja e punës mund të më japë një rast të artë për të praktikuar pranimin e fatkeqësive, në vend që të merakosem pa qenë nevoja për to.
8.         Unë mund ta shikoj mjaft konkretisht se madje edhe skenarët e rasteve më të këqija nuk janë aq të tmerrshme sa i kisha pandehur.
9.         Po e humba punën, do të ishte vërtet një situatë e keqe, por kjo s’më bën mua një person të keq apo të pavlerë.
10.       Unë mund të tregohem më i kujdesshëm me paratë, p. sh.: mund të zhvendosem në një apartament më të vogël, mund të ha më shpesh në shtëpi, makinën e re mund ta blej pas pesë vitesh e jo menjëherë. Kjo do të thotë disa privime nga jeta, por unë u kam mbijetuar edhe më parë privimeve dhe do tu mbijetoj edhe në të ardhmen.
11.       Thjesht fakti i humbjes së punës sime në vetvete nuk mund të më shqetësojë kurrë. Kjo mund të ndodhë veçse po më dhembi barku prej kësaj.
12.       Madje edhe po nuk gjeta ndonjë punë të paguar po aq mirë sa e tanishmja, unë do ta pranoj këtë fakt dhe do të vijoj ta shijoj jetën sa më shumë, megjithëse me një rrogë të majme do të arrija ta shijoja akoma më mirë.
13.       Humbja e kësaj pune mund të më pajisë me shansin që të gjej rastësisht ndonjë punë tjetër, e cila ka ca avantazhe më të mira se kjo: pronar më ndihmues, bashkëpunëtorë më miqësorë, stres më të pakët, punë më tërheqëse, ec e jake më të shkurtra, hapësirë më të gjerë pune, ose pagë më të mirë.
14.       Stresimi që i bëj vetes se mos më pushojnë, nuk do më ndihmojë që ta ruaj punën. Për më tepër, mund të kthehet në profeci vetëpërmbushëse: sa më shumë ta kërkoj këtë, aq më i stresuar dhe i shpërqendruar bëhem dhe aq më keq punoj.
15.       Në një kuptim më të gjerë, të gjitha punët janë të përkohshme. Ndryshimet e karrierës, papunësia dhe humbja e punës, janë pjesë e jetës.
16.       Nëse e nis nga zeroja një punë të re, unë mund t’i ngjit shkallaret e karrierës sikurse kam bërë edhe më parë.
17.       Çdonjëri ka andralla, pengesa e telashe të dukshme në jetë. Kjo është pjesë e konditave njerëzore. Nuk ka asnjë arsye përse unë DUHET të bëj përjashtim.
18.       Në fakt, mund të jetë një lloj ndjesie çliruese mospërqendrimi te rritja e rangut dhe ngjitjes së shkallëve të karrierës në korporatë.

Toni e lexoi listën përpara mikrofonit të magnetofonit dhe më pas e dëgjoi shiritin e incizuar në shtëpi e në makinën e tij. Efikasitetin e këtij riforcimi ai e vlerësoi si diçka vërtet mahnitëse për mënyrën sesi po ia spastronte “DUHET” dhe si po ia pakësonte në mënyrë drastike shqetësimet që kishte përjetuar më parë./standard

Related

Psikologji 8412968669770914856

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item