Gjenialiteti i Bismarkut në krijimin e Gjermanisë

Nga: Gjon Boriçi* (Ese në kuadër të 142 vjetorit të themelimit të shtetit gjerman) Në shekullin e XIX kur Oto fon Bismarku po përpiqe...


Nga: Gjon Boriçi*
(Ese në kuadër të 142 vjetorit të themelimit të shtetit gjerman)


Në shekullin e XIX kur Oto fon Bismarku po përpiqej të bashkonte Gjermaninë në autoritetin e Prusisë thoshte:
Në një botë me pesë fuqi është mirë që të jesh në anën tre kundër dy”. (1, Kissinger, Henry “On China” (Londër 2011), f. 148)
Kjo frazë vlente akoma më shumë në epokën që jetojmë. Konfederata gjermane e përbuzur për një kohë të gjatë nga patriotët gjermanë për shkak të inkompetencës institucionale që kishin treguar ata për të bashkuar vendin e tyre ishte diskretituar në sytë e Evropës. Në rivalitetin për epërsi midis Austrisë dhe Prusisë për dominim në Gjermaninë e ardhshme, e para kishte përparësinë e traditës politike shtetformuese. Austria ishte kryetarja e përhershme e konfederatës ekzistuese. Si vend katolik, Austria kishte me vete gjithë popullsinë e Gjermanisë jugore dhe një ushtri më të fortë se Prusia, mbi të gjitha kishte rezerva më të mëdha natyrore. Një nga problemet e Prusisë ishte se katolicizmi austriak dhe gjermano-jugor i mbante larg protestantët. Prusia nga ana e saj kishte përparësinë e të paturit një popullsi krejtësisht gjermane. Gjithashtu, kishte një traditë autarkike, por me kalimin e viteve ishte ndryshuar për t’ju përshtatur një realiteti të ri gjerman që ishte në lindje e sipër. Përparësia më e madhe e Prusisë ishte padiskutim fuqizimi i saj ekonomik me hapa të shpejtë. Krahinat e Rhinelandit që i ishin dhënë Prusisë si zonë tampon ndaj kërcënimit francez, u kthyen në zemrën industriale të vendit. Prusia kishte bërë emër si shtet ekonomikisht i fuqishëm në sajë të bashkimit doganor me shtete të tjera gjermane të cilat aplikonin një tarifë modeste për anëtarësim. Sigurisht, Austria ishte lënë jashtë kësaj marrëveshjeje doganore me shumë vlera për Prusinë, si udhëheqësja e ardhshme e Gjermanisë. Rritja ekonomike e Prusisë do të ishte një faktor vendimtar i luftës për epërsi në Gjermani. Argumenti ekonomik i hapi rrugën një diplomacie të suksesshme të hartuar me mjeshtëri nga diplomatë prusianë nën udhëheqjen e një njeriu të vetëm.
Krijimi i Gjermanisë nga Oto fon Bismark më 18 janar 1871 ishte një ngjarje madhore për Evropën. Krijimi i kësaj strukture të jashtëzakonshme politike me emrin Gjermani padyshim që ndryshoi përgjithmonë raportin politik të ekuilibrit të forcave në Evropë. Bismarku, vërtet e krijoi Gjermaninë, por asnjëherë nuk e udhëhoqi atë. (2, Steinberg, Jonathan “Bismarck; a life” (Oksford University Press 2011), f. 1)  Ai drejtoi nën mbretërimin e tre sovranëve dhe çdokush prej tyre mund ta detyronte të largohej nga posti nga një moment në tjetrin. Në mars të vitit 1890 perandori Vilhelm II ia doli ta largonte kancelarin e hekurt nga pushteti. Në shtator të vitit 1878 kur kancelari ishte në kulmin e fuqisë së tij, gazeta e përditshme Schwäbische Merkur fliste për një nga fjalimet më pompoze të Bismarkut në Rajhshtag:
Ata që e dëgjojnë tek mban fjalime në parlament për herë të parë mbesin të tronditur. Ai zë i fuqishëm plot patos i mbushur plot me truada dhe me një elokuencë klasike është aq i qartë, i fortë dhe i butë në të njëjtën kohë saqë e bën të pamundur që të mos dalë një frazë perfekte. Por, një vesh i stërvitur e ndjen se, qysh në fillim të fjalimit folësi është në siklet. Ai nuk qëndron në një vend, fut dhe nxjerr dorën nga xhepi dhe vetullat i ngrys pa shkak”. (3, Po aty.)
Në të gjithë jetën e tij politike, Bismarku asnjëherë nuk organizoi mitingje masive dhe turmat filluan të rendin pas tij vetëm kur ra nga pushteti. Vetëm atëherë ai u kthye në një legjendë. Ai i identifikonte format e autoritetit politik me normat e asaj që ai e quante ligjshmëri. Ai thoshte:
Autoriteti i së djeshmes së përjetshme rrjedh prej shenjtërisë së paimagjinueshmes dhe aftësisë njohëse për t’u përshtatur. Ky është autoriteti ‘tradicional’ i ushtruar nga patriarku dhe princi”. (4, Po aty, f. 3)
Por, ajo që Bismarku çmonte më shumë dhe që shkencëtari njohur Maks Veber i thuri lavdin më të madh, ishte forma e autoritetit nëpërmjet karizmës. Ai [Veberi] thoshte:
Është një formë autoriteti që është e lindur dhe rrjedh nga dhuntia e hirit (karizma), kjo është një përkushtim absolut personal dhe besim personal në bindjen, heroizmin apo cilësive të tjera të një lidershipi individual. Dominimi karizmatik ushtrohet nga profeti apo në fushën e politikës nga i zgjedhuri ku brenda tij jeton demagogjia e liderit”. (5, Po aty.)
Në kohën kur jetoi dhe punoi Bismarku, Prusia karakterizohej nga një nacionalizëm i ashpër prusian që nuk kishte asnjë lloj lidhjeje me nacionalizmin romantik gjerman të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Në epokën e Frederikut të Madh, Prusia kishte vuajtur shumë si pasojë e ndërgjegjes së lartë shtetërore dhe për sakrificat e panumërta që kishte bërë që të mos konsiderohej fuqi sekondare në Evropë. Në testamentin e tij politik vetë Frederiku i Madh kishte shkruar:
Aristokracia prusiane ka sakrifuar të mirat dhe jetën në shërbim të shtetit. Besnikëria dhe meritat e saj kanë fituar mbrojtjen e të gjithë sovranëve dhe është detyrë e sovranit të ndihmojë ato familje aristokrate të cilat janë varfëruar për të mbajtur të pacënuara tokat e tyre në shërbim të shtetit. Ato duhen konsideruar si shtyllat e shtetit. Në një gjendje të tillë, asnjë fraksion apo rebelim nuk duhet të na trembë. Ky shtet e ka për detyrë të mbrojë aristokracinë e tij”. (6, Steinberg, Jonathan “Bismarck; a life” (Oksford University Press 2011), f. 15).
Arritja më e madhe e Bismarkut ishte të ruante këto “rregulla të errëta” të shoqërisë gjermane dhe stilin junker të jetës edhe përgjatë tre luftërave që zhvilloi për bashkimin e Gjermanisë, edhe gjatë zhvillimit të kapitalizmit, industrisë dhe triumfit të demokracisë në shoqërinë gjermane. Bismarku jetoi në një Prusi thellësisht të infektuar nga idealet e Revolucionit francez të 1789-ës. “Triumfi i filozofisë” siç u quajt nga disa tifozë të revolucionit, shumë shpejt ky “triumf” ia la vendin kaosit dhe terrorit i cili për pak sa nuk u përhap në të gjithë Evropën. Gjyqet dhe ekzekutimet e pafundme që ekzistonin në Francë padyshim që s’mund t’i linin shoqëritë perëndimroe indiferente ndaj asaj që po ndodhte në kombin më të kulturuar të botës. Revolucioni dhe idetë  tij fanatike duheshin me çdo kusht të ndaleshin dhe të mos kishin efekt tek pjesa tjetër e popullsisë. Autorë si Edmond Burke dhe Fridrih Gentc krijuan konservatorizmin modern evropian si mburojë ndaj murtajës revolucionare. Pas dështimeve që kishte pësuar Prusia në luftërat kundër Napolon Bonapartit, gjatë Kongresit të Vjenës dhe vendosjes së sistemit të Koncertit të Evropës, Prusia pati zgjuarsinë të rreshtohej në anë e fituesve të luftërave napoloniane. Princi fon Meternik, i cili ishte edhe arkitekti i këtij sistemi, duke patur frikë për fuqinë në rritje të Prusisë e shpërbleu me terriore të papërfillshme për kohën, me një copë toke të Saksonisë dhe me disa komunitete katolike të parëndësishme në Ruhr dhe në Vuper. Kujt do t’i shkonte ndërmend se me këtë lëvizje në dukje të papërfillshme, Ausria i kishte dhënë Prusisë dhe Gjermanisë së ardhshme zemrën industriale të Evropës qendrore dhe forcën reale të kombit gjerman. Ndër të tjera, këto territore ishin edhe më të arsimuarat në të gjithë tokat gjermane. Prusia do të kthehej në bërthamën e krijimit të Gjermanisë. Shkrirja e traditës junkere me ushtrinë dhe aristokracinë i dha jetë zhvillimit të një shoqërie që për shumë veta dhe shtete do të ishte e pasfidueshme. Kjo lloj eksperience e nisur nga gjenialiteti i mbretit gjeni Frederik do të absorbohej nga Bismarku për t’i dhënë jetë një shteti suprem në Evropë dhe në botë.
Rruga e krijimit të Gjermanisë nëpër autoritetin e Prusisë ishte e ngatërruar. Humbja e Prusisë nga Napoloni më 1806 e kishte kthyer këtë vend në një fuqi të rangut të dytë. Shumë prej junkerëve dhe klasës aristokratike ishin kthyer në vasalë dhe ishin strukur nën autoriten e Kishës. Një nga gabimet që bëri klasa aristokratike në Gjermani ishte refuzimi i racionalizmit iluminist si pasojë edhe e tmerrit jakobin që kishte kaluar Franca. Gjithashtu, një tjetër element që i frikësonte junkerët në Prusi ishte edhe deviza e revolucionit francez ‘liri, barazi, vëllazëri’. Termi i parë ishte krejtësisht i huaj për klasën sunduese prusiane dhe për vetë popullsinë. Rikthimi i popullsisë prusiane drejt sakramenteve të shenjta fetare për të arritur shpëtimin e kombit. Por, sado e rëndësishme që të ishte feja dhe kultura fetare, Prusia dhe Gjermania e ardhshme do të krijoheshin nga përllogaritjet e sakta. Në vitet 1800, Prusia ishte larg të qenurit nga emërtimi që i ishte vënë “Mbretëria e Hekurt”.
Leopold fon Gerlah i cili ishte edhe adjutanti i mbretit Frederik Vilhelmi IV dhe më pas vëllai i tij Ernest Ludvig fon Gerlah ishin njerëzit më ambiciozë për ringritjen e Prusisë. Ata do të luajnë një rol domethënës në karrierën politike të Oto fon Bismarkut. Aq i fortë ishte ndikimi i familjes Gerlah saqë mbreti u bind të emëronte Bismarkun 37 vjeçar më 1851, në postin e nderuar dhe tepër të lakmuar të ambasadorit të Prusisë në Konfederatën e shteteve gjermane të themeluar nga sistemi i Koncertit të Evropës. Bismarku “u bë” falë Gerlahëve dhe sidomos Ludvig fon Gerlahu e konsideronte një “krijesë” të tij. Ky në fakt ishte një gabim që do t’u kushtojë Gerlahëve më tepër sesa shtrenjtë. Ishte një gabim me përmasa historike. Kur Bismarku filloi të nxjerrë në pah veten dhe metodat me të cilat synonte të merrte pushtetin, miqësia e familjes Gerlah u kthye në një armiqësi të përjetshme. Në vitin 1874 kur Gjermania ishte bashkuar, Bismarku nuk hezitoi aspak ta pushtonte nga puna tutorin e tij të vjetër Ludvig fon Gerlah nga posti i Gjykatësit të Lartë në Berlin.
Bismarku hyri në jetën politike si zotëri tokash. Ai ishte një zotëri i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Oto Eduard Leopold fon Bismark-Shënhauzen, dukë i Laurenburgut ishte njëri nga aristokratët më të shquar të shekullit XIX. Ai lindi më 1 prill 1815 dhe vdiq më 30 korrik 1898.Viti i lindjes së Bismarkut është një datë e shënuar në kalendarin politiko-diplomatik të kontinentit evropian. Atë vit koalicioni i shenjtë mbylli hesapet një herë e mirë me Napolon Bonapartin dhe vendosi në botë një rend të ri nërkombëtar. Ishte pikërisht ky rend ndërkombëtar që frymëzoi Bismarkun për të arritur atë që do t’ia bënte të pavdekshëm emrin në shekujt e historisë: bashkimin e të gjitha shteteve gjermane në një shtet të vetëm.
Ai kishte gjetur më në fund qëllimin e tij në jetë. Aktiviteti i tij politiko-diplomatik në Frankfurt ishte i jashtëzakonshëm. Konfederata e shteteve gjermane ishte një fole grerëzash në të cilën ai arriti të mësojë artin e vërtetë të diplomacisë. Aty ai u njoh me lëmshin e kombit gjerman. Prej andej ai do të tregohej mjeshtri i madh për të bashkuar Gjermaninë. Bismarku kishte një pasion të veçantë për politikën. Ai magjepsej nga çmenduritë politike dhe mbi të gjitha nga intrigat që ofronte ky profesion. Ai u “zhyt” në botën e politikës me zell të madh saqë mori edhe nofkën “junkeri i çmendur”. Elementi që ai i pëlqente më shumë politikës ishte manipulimi. Fjala “intrigë” ishte “çekani” që rrihte më shumë kokën e tij. Vitet revolucionare që kishte kaluar konservatorizmi prusian sidomos në vitin 1848 nuk ishin larguar pa lënë gjurmë të thella. Prusisë aristokratike i duhej një platformë e re konservatore që të mund të mbijetonte. Konstitucionalizmi nuk mjaftonte për të mbrojtur klasën junkere. Parlamentarizmi ishte një e keqe e domosdoshme për Prusinë dhe Bismarku këtë e kishte kuptuar fare mirë. Kjo do të thoshte se vetëm në parlament ai do të tregonte superioritetin e tij si burrë shteti. Viti 1848 ishte  një vit shpërthimesh revolucionare nga Siçilia deri në Paris. Republika e dytë franceze ishte instaluar më 23 shkurt 1848 dhe nipi i Napolonit Luigj (Lui) Bonaparti ishte shpallur president i Republikës. Vendosja e republikës së re në Francë krijoi ankth në të gjithë Evropën aristokratike. Më 13 mars 1848 edhe konservatori më i flaktë dhe “ati” i konservatorizmit evropian Klemens fon Meternik ishte larguar nga Vjena. Simboli i regjimit të vjetër ia kishte mbathur. Më 17 mars lajmi për arratisjen e Meternikut mbërriti në Milano dhe revolucioni u bë vërtet i papërballueshëm.
Kësaj vale të tmerrshme revolucionare nuk do t’i shpëtonte as Prusia. Mbreti Frederik Vilhelm IV hezitonte të shpallte kushtetutën e re. Ai gjithashtu nuk i bindej dëshirës së gjeneralit Karl Ludvig fon Pritvic që të ushtronte forcën kundër demonstruesve. Por, më 17 mas 1848, i tronditur edhe nga largimi i princit fon Meternik, mbreti firmosi më në fund Kushtetutën e re prusiane. Një epokë e re filloi për Prusinë. Bismarkut kjo politikë e re nuk i shkonte fare për shtat. Ai ishte i vendosur të mbronte me çdo çmim rendin e vjetër monarkik. Aristokracia dhe kultura gjendeshin në fije të perit. Por, realiteti nuk e lejonte të vepronte lirshëm. Konflikti mes mbretit dhe parlamentit ishte bërë i dyshimtë. Mbreti dhe të gjithë aristokratët në Prusi po vuanin një lodhje të tmerrshme nervore. Ata herë pas here kujtoheshin që kishin ende ushtrinë me vete, por askush nuk kërkonte të merrte përgjegjësinë e dhënies së urdhërit për të qëlluar mbi turmat. Revolucionet e vitit 1848 ishin spontane. Ato nuk kishin sponsor të fuqishëm. Ushtritë austriake dalëngadalë filluan dhe vunë rendin në Lombardi dhe Venecia dhe më 17 shkurt Praga ra në qetësi. Nga 23 deri më 26 qershor 1848 gjenerali Polinjak në Paris i shtroi turmat. Më 24 dhe 25 korrik 1848 marshalli Radecki mundi ushtrinë piemonteze dhe vendosi rendin në veri të Italisë. Në nder të kësaj fitoreje, muzikanti i famshëm vjenez Jozef Shtraus kompozoi marshin e Radeckit.
Më 2 dhjetor 1851, Luigj (Lui) Bonaparti ishte president i Republikës II Franceze. Po në këtë datë, ai organizoi një coup d’etat (grusht shteti) për të rrëzuar republikën dhe për të shpallur monarkinë në vijimësinë e familjes Bonapart. Rishpallja e perandorisë franceze nën Napolonin III ndryshoi të gjithë situatën diplomatike në Evropë. Sikur të mos kishte ndodhur ardhja në pushtet e Napolonit III, Bismarku nuk do ta kishte të mundur të bashkonte Gjermaninë. Luigj Bonaparti ishte një njeri që njihej mirë në qarqet konservatore të Prusisë. Perandorit të ri francez iu desh të rithemelonte të gjithë perandorinë e xhaxhait të tij, por në një situatë krejt tjetër. Puna e parë që bëri ishte nënshkrimi i kushtetutës së re ku që në nenin 1 ishte shkruar qartë:
La constitution reconnaît, confirme et garantit les grands principles proclamés en 1789, et qui sont la base du droit public des Français. (Kushtetuta njeh, konfirmon dhe garanton parimet e mëdha të shpallura më 1789 të cilat janë baza e së drejtës publike për francezët).” (7, Po aty, f. 121)
Kështu, parimet e mëdha të revolucionit – liri, barazi, vëllazëri – po vlerësoheshin dhe mohoheshin në të njëtën kohë. Mbi të gjitha, Kurora perandorake e vendosur në kokën e një tjetri Bonapart më 7 nëntor 1852, i ndryshoi këto thënie. Diktatori i ri i Francës me vendim senati u quajt Napoloni III dhe askush më nuk e quajti Luigj Bonapart. Detyra më urgjente që shtrohej në udhëheqjen e sovranit të ri ishte formimi i një figure personale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me ardhjen në pushett të Napolonit III, karriera politike e Bismarkut mori krahë. Asnjë udhëheqës tjetër francez nuk do të mund t’i vinte për shtat politikës së kancelarit të ardhshëm. Vetëm me një njeri të paaftë si ai, Bismarku do të mund të bashkonte Gjermaninë. Interesi parësor i Bismarkut ishte shkatërrimi i fuqisë austriake në konfederatë. Kush më mirë sesa Napoloni III mund ta bëntë këtë pa patur fare dijeni se çfarë po bënte? Lëvizjet e kësaj kohe të Bismarkut tregojnë fare qartë mbi aftësinë e jashtëzakonshme të tij për të kuptuar sesi duhet të lëvizte Prusia. Në një letër dërguar në janar 1853 Leopold fon Gerlahut ai shkruante:
Mendoj se është gabim i madh në këtë moment për Prusinë po të lidhë aleancë me Francën, por me ardhjen në pushtet të këtij njeriu që është një djall është e rëndësishmë që të shikohet mundësia e lidhjes me të për të arritur synimin tonë”. (8, Bismarck to Leopold von Gerlach, letër këmbim i vitit 1853, GW xiv, f. 334)
Ky argument nuk kishte të bënte fare me parimet e moralshme, por ishte i lidhur vetëm me realitetin ku duhej të mbështetej politika prusiane. Nëse Prusia jepte edhe shenjën më të vogël të mundësisë lidhur me një aleancë me Francën, armiqësia që do të lindte ndaj saj nga ana e shteteve të tjera gjermane do të kishte qenë shkatërrimtare për ambicjet e Bismarkut. Por, as politika prusiane dhe aq më pak ajo e shteteve të tjera gjermane nuk e kishin kuptuar lojën e re të kancelarit të ardhshëm. Fillimisht duhej një aleancë e fshehtë e fuqishme me Francën perandorake për të ulur fuqinë e Austrisë dhe për të rritur kredibilitetin e Prusisë. Sipas konceptit të drejtë të Bismarkut, rrugën për fuqizimin e Prusisë dhe rrjedhimisht për bashkimin e Gjermanisë nuk e pengonte Franca, por Austria. Në dhjetor të vitit 1853 ai i shkruate përsëri Leopod fon Gerlahut:
Synimi i politikës tonë është krijimi i Gjermanisë dhe asgjë më pak sesa kjo. Austria do të dëshpërohet, por ne nuk mund të bëjmë ndryshe. Vend për ne dhe për Austrinë në dhomën që quhet Gjermani nuk mund të ketë. Ne nuk mund të varemi më nga të tjerët. Derisa të arrijmë synimin tonë ne do të jemi armiq me të [Austrinë]. E kuptoj, është një politikë e ashpër, por e painjorueshme (më falni për fjalën). Megjithatë dua të di nëse ju e kuptoni se kështu duhet vepruar”. (9, Po aty.)
Sigurisht, me këtë lloj politike të Bismarkut, fon Gerlahu nuk ishte dakord dhe në përgjigjen që i ktheu i shkruante se nuk i konsideronte këto ide aspak të “moralshme” dhe që ishin kundër çdo parimi. Por, Bismarku ishte i vendosur në rrugën e tij. Acarimi mes dy burrave shkoi deri aty sa më 2 maj 1857, ambasadori Bismark vendosi të dalë hapur kundër ish -padronit të tij. Në një letër të gjatë ai i foli hapur:
Unë nuk kërkova t’i shërbej mbretit…Zoti që papritur vendosi kështu, do të më tregojë ndoshta rrugëdaljen në vend që ta lerë shpirtin tim të shuhet. Unë do ta mbivlerësoja çuditërisht kuptimin e kësaj jete, sikur të mos isha i bindur se, pas tridhjetë vjetësh, ajo nuk do të kishte lidhje me sukseset politike që unë apo vendi im kanë arritur në Evropë. Unë mund të parashikoj bile që një ditë “jezuitë jobesimtarë” të drejtojnë Mark Brandenburgun [zemra e Prusisë] së bashku me absolutizmin bonopartist…Unë jam pjellë e një kohe tjetër nga juaja, por po aq i ndershëm për kohën time, sa ju për tuajën”. (10, Kissinger, Henry “Diplomacia” (Tiranë 1999), f. 127)
Sigurisht, Bismarku ishte pjellë e një epoke të ndryshme nga ajo e mësuesit të tij të dikurshëm. Bismarku i takonte epokës së Realpolitik; Gerlahu ishte formuar në periudhën e Meternikut. Sistemi i Meternikut pasqyronte konceptin e shekullit të XVIII për universin, si një shtat i madh me ingranazhe të ndërlikuara në të cilin prishja e një pjese shkaktonte çrregullimin e ndërveprimit të të tjerave. Bismarku përfaqësonte një epokë tjetër si në shkencë edhe në politikë. Ai nuk e konceptonte universin si një balancë mekanike, por në variantin e tij modern të përbërë nga pjesëza në lëvizje, ndikimi i të cilave mbi njëra tjerën, krijon atë që perceptohet në realitet. Origjina biologjike e filozofisë së tij ishte teoria e evolucionit e Darvinit, e bazuar në ekzistencën e më të fortit. I udhëhequr nga të tilla koncepte Bismarku shpalli relativitetin e të gjitha bindjeve, përfshirë edhe bindjen për qëndrueshmërinë e vendit të vet. Në botën e Realpolitikës ishte detyra e shtetarit të vlerësonte idetë si forca, në raport me forcat e tjera që kishin të bënin me marrjen e vendimit; dhe elementët e ndryshëm që duheshin çmuar, jo në bazë të ideologjive të paragjykuara, por si mund t’i shërbenin ato interesit kombëtar.(11, Po aty.) Si për t’i vënë kapak miqësisë me Gerlahun dhe familjen e tij letra e 30 majit 1857 ishte shumë më e ashpër. Përmbajtja e saj ishte:
Parimi i luftës kundër revolucionit që unë di dhe që më së shumti konsideroj nuk qëndron tek anti bonopartizmi. Sa territore mbart kjo tokë që dikur kishin rënë pre e revolucionit? Merrni shembull Spanjën, Portugalinë, Brazilin, të gjitha republikat amerikane, Belgjikën, Hollandën, Zvicrën, Greqinë, Suedinë dhe Anglinë kur kjo e fundit mbart idetë e Revolucionit të Lavdishëm të 1688-ës… Dhe kur përpjekjet revolucionare nuk e e shembën atë çka ekzistonte si në poemat e Faustit, shtetet që pësuan një revolucion nuk u tërhoqën nga ideja për të mos e provuar përsëri në të ardhmen. Kromuelli quhej “vëlla i dashur” nga ata njerëz që ishin armiq për vdekje të revolucionit. Anti revolucionarët kanë lidhur marrëveshje edhe me Hollandën dhe me Uilliam Portokallin (Oranzhin) vetëm e vetëm për të mos humbur privilegjet e trashëguara nga stërgjyshërit e tyre. Madje, në Angli Uilliam Oranzhi u bë edhe mbret. Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1785-ën firmosën traktatin revolucionar të Hagës. Qeverisja aktuale në Francë që i ra për pjesë një Bonaparti tjetër nuk mund të ndryshohet. Ai thjesht është udhëheqësi i Francës dhe ne me të ose me një tjetër duhet të dimë të merremi vesh. Luigj Bonaparti nuk i krijoi kushtet për shpërthimin e revolucionit; ai nuk u rebelua ndaj rendit kushtetues, thjesht vendosi rregullin në një anarki mbizotëruese pa i rënë në qafë askujt. Nëse tani do të kërkohej shembja e tij ky element do të çudiste dhe sikletoste të gjithë Evropën e cila do ta luste përsëri që të merrte pushtetin”. (12, Steinberg, Jonathan “Bismarck; a life” (Oksford University Press 2011), f. 144)
Prusia në kohën kur Bismarku ishte ambasdor në Frankfrut, kishte ecur me hapa viganë. Njerëzit e arsimuar në vend kapnin shifrën 85%, një standard i jashtëzakonshëm për kohën ku në Angli një standard i tillë ishte vetëm 52%. Një numër i tillë njerëzish të arsimuar ishin të aftë të punonin në çdo fushë të jetës dhe ishin një forcë tepër e kualifikuar për arritjet shkencore. Universitetet gjermane me sistemin e tyre të doktoratave, seminareve, kërkimeve shkencore dhe axhendave teknike e dërguan shumë herë më përpara Gjermaninë drejt një epoke progresi krahasuar me pjesën tjetër të Evropës. Vetë Frederik Engelsi që ishte kthyer në Prusi që nga viti i revolucionit 1848 u habit për nga ndryshimet që pa:
Për këdo që ka parë Rinelandin prusian, Vestfalinë, mbretërinë e Saksonisë, Silezinë e sipërme, Berlinin dhe portet më 1849-ën nuk do t’i njohë më në 1864-ën. Makineritë me avull janë përhapur kudo. Më përpara të gjitha këto arritje do të ishin të paimagjinueshme”. (13, Po aty, ff. 153-154)
Gjenerali prusian Albreht fon Ron kishte përgatitur një memorandum për regjentin në korrik të vitit 1858, ku mbretëria e Prusisë thuhej se përfaqësonte një paradoks. Frederiku i Madh akoma merrej si model. Monarkia e vjetër absolute e Frederikut ishte e gjallë, por duhej modifikuar me frymën e viteve 1850. Aristokracia prusiane akoma monopolizonte ushtrinë dhe shërbimin civil që shkonin krah për krah me industrializmin. Ndërkaq, klasa e mesme po pasurohej dhe mbi të gjitha po kthehej në pronare të industrializmit prusian duke ndikuar edhe në politikat parlamentare. Prusia kishte akoma shpirtin luftarak të Frederikut të Madh, por tashmë me uzina, frabrika, qytete të mëdha dhe me teknologji të avancuar. Kësaj pjesë memorandumi i gjneralit Ron nuk i hiqte asnjë presje. 79% e ushtrisë prusiane përbëhej nga njerëz që rridhnin nga familje të vjera aristokratike dhe vetëm 35% e trupës së oficerëve vinte nga borgjezia. Me fjalë të tjera aristokracia e Frederikut të Madh akoma udhëhiqte Prusinë edhe kur kjo e fundit ishte industrializuar. Ky paradoks shënoi karrierën e Bismarkut, Ronit dhe Moltkes. Suksesi i Bismarkut qëndronte tek ruajtja e këtij paradoksi deri në fund të shekullit të XIX.
Qysh në fillimet e karrierës së tij, Bismarku kishte argumentuar se nëse ndodhte një luftë austro-franceze, Prusia duhej të mbetej neutrale. Ai e argumentonte neutralitetin e Prusisë me këtë arsyetim:
Ne nuk jemi ende aq të pasur për të përdorur forcën tonë në luftëra që nuk do të na sjellin asnjë përfitim”. (14, Po aty, f. 154)
Por, letra që do të mbahet mend gjithmonë dhe që vendosi shinat e ambicjes së Bismarkut në udhëheqjen e Gjermanisë së ardhshme ishte ajo që i dërgoi sekretarit të jashtëm Adolf fon Shlajnic me përmbajtjen e mëposhtme:
Tendenca e këtij shteti me staturë të mesme do të jetë gjithnjë e varur nga ambicja e fuqive të mëdha. Ne nuk duhet të bashkëpunojmë më me këtë realitet. Në marrëdhënien e Prusisë me Bundin [federatën] unë shikoj si zgjidhje të vetme për madhështinë e vendit aplikimin e politikës së zjarrit dhe hekurit [ferro et igni]”. (15, Po aty, f. 171)
“Zjarri dhe hekuri” si frazë shumë shpejt do të zëvendësoheshin me shprehjen akoma më të famshme ‘gjak dhe hekur’ që do të ishte edhe fjalimi i parë i Bismarkut si kancelar i Prusisë në shtator 1962. Sigurisht që kjo frazë donte të tregonte diçka. Ndoshta kishte lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën e Bismarkut dhe autoritarizmin e tij. Prusia duhej me domosdo të shkëputej nga tutela austriake në Konfederatën e shteteve gjermane. Që ta bënte këtë i duhej të stiste një krizë me Austrinë dhe Francën, por nuk do të ishte e lehtë. Pikësëpari duhej bindur populli i Prusisë mbi drejtësinë e një vendimi të tillë. Këtu qëndronte edhe vështirësia kryesore. Numrat për një aleancë të tillë me popullin gjerman nuk ishin të favorshme. Duke qenë se qysh nga koha e revolucionit francez kishte tre shtresa, në Prusi përqindja ishte si më poshtë:
Shtresa e parë (aristokracia)                            159.200             (4.7% e popullsisë)
Shtresa e dytë (Kisha + junkerët)                   453.737             (13.5% e popullsisë)
Shtresa e tretë (borgjezia + fshatarësia)          2.750.000 (81.8% e popullsisë) (16, Po aty. f. 181)
Më 23 shtator 1862, Oto fon Bismarku emërohet nga mbreti Vilhelm kancelar i Prusisë. Qysh në fjalimin e tij të parë si kancelar ai do të bëhej një legjendë në politikën dhe diplomacinë evropiane. Përpara të gjithë deputetëve të Prusisë ai dha frazën e famshme:
Prusia duhet të presë e të fuqizohet për ta përdorur forcën e saj në momentin e duhur i cili në të kaluarën ka ardhur dhe ka ikur shumë herë. Kufijtë e saj [Prusisë] në traktatet e Vjenës nuk janë të favorshme për ekzistencën e saj si shtet i shëndetshëm. Çështjet e mëdha të vendit nuk do të vendosen nga fjalimet dhe vendimet për të mos përsëritur gabimet e viteve 1848 dhe 1849, por me zjarr e me hekur”. (17, Po aty.)
Me këtë frazë Bismarku dukej si një revolucionar, por i një lloji krejt tjetër dhe jo më kot u quajt ‘revolucionari i bardhë’. Por ç’është një revolucionar? Po të mos ishte e dykuptimtë përgjigja e kësaj pyetjeje të paktë do të ishin revolucionarët e suksesshëm. Sepse revolucionarët gati gjithmonë, nisen nga një pozitë më e dobët force. Ata triumfojnë sepse sistemi ekzistues nuk është në gjendje të kuptojë dobësinë e vet. Kjo është e vërtetë, sidomos kur sfida revolucionare nuk shfaqet në një marshim drejt Bastijës, por nën petkun e konservatorizmit. Pak janë institucionet që janë vigjilente ndaj atyre që duket se do t’i mbrojnë. Bismarku e filloi jetën e tij politike si kancelar në një botë të përbërë nga tre elementë kryesorë: ekuilibri evropian i forcës; një ekuilibër i brendshëm gjerman midis ushtrisë dhe Prusisë; një sistem aleancash i bazuar në unitetin e vlerave konservatore. Për gati një brez politik pas sistemit të Vjenës, tensionet ndërkombëtare mbetën të ulura, sepse të gjitha shtetet kryesore ishin të interesuara në ekzistencën e tyre të ndërsjellë dhe, sepse tri të ashtuquajturat oborre lindore, të Prusisë, Austrisë dhe Rusisë ishin të angazhuara në vlerat e njëri tjetrit.
Dhe forca për të dukur erdhi. Më 15 nëntor 1863, Frederiku VII, mbreti i Danimarkës vdiq pa lënë një trashëgimtar. Bismarku përfitoi për të futur hundët në punët e brendshme. Më 18 dhjetor mbreti i ri danez Kristiani IX nënshkroi Kushtetutën e re daneze ku brenda territorit të Danimarkës përfshihej edhe mbretëria e Shlesvig-Holshtajnit. Kjo përfshirje ishte si një thikë në zemër për kancelarin e Prusisë. Nuk kishte asnjë dyshim se këtu kishte dorë Austria për të ndikuar në dobësimin edhe shkëputjen e shteteve gjermane të veriut për të mos rënë nën ndikimin prusian. Kriza e Shlesvig-Holshtajn sapo kishte krijuar një kombinim elementësh të papërshtatshëm për Bismarkun. Antagonizmat ishin të shumtë; Danimarka kundër nacionalizmit gjerman, dinastia kundër politikës popullore, Prusia kundër Austrisë, Prusia kundër Konfederatës Gjermane, qeveria mbretërore kundër parlamentit dhe së fundmi dimensioni ndërkombëtar kundër rolit të fuqive të mëdha. Në vitin 1852 me traktatin e Londrës, Austria dhe Prusia kishin rënë dakord që të respektonin “integritetin” e Danimarkës dhe në këmbim Danimarka nuk do të gllabëronte asnjë dukat të lirë. Fuqitë e mëdha kishin rënë gjithashtu dakord që nëse Frederiku VII i Danimarkës vdiste pa lënë një trashëgimtar, dukati i Shlesvig-Holshtajnit do t’i kalonte trashëgimtarit të fronit Kristinit të Glyksbergut. Duka i Augustenburgut sipas ligjeve salike jepte dorëheqjen nga kjo pronë përjetë. Kur Frederiku VII në mars 1863 lajmëroi nënshkrimin e një kushtetute të re, danezët shpresuan për një të ardhme më të mirë. Diplomatët evropianë e kishin drejtuar vëmendjen drejt krizës polake. Vdekja e menjëhershme e Frederikut e la këtë çështje pezull.
Bismarku e nuhati me shumë mençuri situatën. Ai vendosi të veprojë duke futur në valle edhe Austrinë e cila e la veten të tërhiqej nga hunda prej Prusisë. Lufta kundër Danimarkës përfundoi shpejt. Por, Shlesvig-Holshtajn nuk mbeti territor i pavarur, por iu atashua Prusisë për tmerrin e Austrisë. Më 7 dhjetor 1864 trupat prusiane hynë triumfatore në Berlin që ishte edhe parada e parë gjermane që nuk do të ndalet deri në vitin 1945. Ky ishte suksesi i parë i Bismarkut si kancelar. Në vitin 1865, qysh në javët e para, tensioni ndërmjet Austrisë dhe Prusisë erdhi në rritje. Mensdorfi (ministri i jashtëm austriak) vijonte t’i bënte presion Bismarkut në mënyrë që ky i fundit t’i bënte publike qëllimet reale të Prusisë. Bismarku shkoi deri aty sa vendosi t’i vërë kushte Austrisë që në histori hynë me ermin “Kushtet e shkurtit”. Sipas këtyre kushteve flota dhe ushtria e Shlesvig-Holshtajnit duhet t’i jepeshin Prusisë. Prusia do të ishte garantuesja e bregut danez. Ushtarët prusianë do të vijonin të mbeteshin në territoret daneze. Perandoria Habsburge mbetej jashtë çdo lloj kërkese në lojën daneze. Nga këto kushte austriakët u tmerruan. Perandori austriak i quajti të papranueshme.
Kjo periudhë e veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Austrisë dhe Prusisë dhe nënshkrimi i një konvente mes dy shteteve në Bad Gashtajn është bërë gjithnjë objekt diskutimesh mes historianëve. Deri atë kohë, ekzistonte “Sistemi Shënbryn” që ishte edhe ekuilibri ndërmjet Austrisë dhe Prusisë në kontrollin mbi të gjitha shtetet gjermane. Por, qëllimi i Bismarkut ishte se Prusia do të lulëzonte vetëm nëse shkatërrohej hegjemonia austriake në konfederatën gjermane. Kjo ishte thjesht e vërteta që në fakt nuk ishte më shumë sesa një luftë civile mes dy shteteve gjermane për supremaci në territorine vet. Konjuktura ndërkombëtare e lejonte Bismarkun të lëvizte lirshëm kundër Austrisë. Britania e Madhe as nuk donte të ndërhynte, Franca flinte gjumë (për sherrin e saj) pasi Napoloni III kishte ndërmend të krijonte perandorinë franceze nga Meksika, që rezultoi një ëndërr absurde. Ndërhyrja e këtyre shteteve në një luftë civile gjermane do të ishte sipas tyre e pamundur. Këtë gafë sidomos të Francës të mosndërhyrjes, kardinali Risheljë nuk do të kishte bërë po të ishte në pushtet. Ky fakt vërtetohet më së miri nga fjalët e deputetit francez Adolf Tjer që do të bëhet edhe president i Francës kur të rrëzohet Napoloni III. Më 1866 pak javë përpara fillimit të luftës austro-prusiane ai tha:
Do të vijë përsëri perandoria e Karlit V, e cila më parë e kishte qendrën në Vjenë dhe tani do ta ketë në Berlin, që është pranë kufirit tonë e do të bëjë presion mbi të … Ju keni të drejtë ta kundërshtoni këtë politikë në emër të Francës, pasi Franca është shumë e rëndësishme për t’i shpëtuar kërcënimit nga një revolucion i tillë. Dhe kur ajo ka luftuar dy shekuj … për ta shkatërruar këtë kolos, a është e gatshme të rrijë ta shohë tani si po rikrijohet para syve të saj?!” (18, Kissinger, Henry “Diplomacia” (Tiranë 1999), f. 121)
Lufta kishte filluar qysh më 26 maj 1866. Në një kohë kur të gjithë mendonin se Austria do ta shtypte Prusinë, ndodhi krejtësisht e kundërta. Më kot u mundua perandori Napolon të organizonte një konferencë në Paris për të ndalur luftën. Prusia nuk do të përmbahej më. Ajo shfrytëzoi mundësinë më të parë për të hequr qafe Austrinë nga Konfederata gjermane. Më 9 qershor 1866, lufta ishte thuajse e përfunduar. Austria shikonte sesi po i përfundonin ditët e saj të lavdishme si menaxhuesja e shteteve gjermane dhe çështjeve të Evropës. Më 26 korrik 1866, Prusia dhe Austria nënshkruan aktin e paqes në Nikolsburg (Çeki) me përmbajtjen e mëposhtme:
Austria do të tërhiqej nga të gjitha marrëdhëniet e saj me shtetet gjermane;
Austria njeh formimin e federatës të shteteve gjermane të veriut nën udhëheqjen prusiane;
Marrëdhënia ndërmjet shteteve gjermane të jugut me Federatën gjermane të veriut vendoseshin me marrëveshje të lirë;
Austria njihte të gjitha ndryshimet politike në Gjermaninë e veriut;
Austria duhej të paguante reparacionet e luftës në shifrën 40 milion taleve si dëme të shkaktuara. (19, Steinberg, Jonathan “Bismarck; a life” (Oksford University Press 2011), f. 256)
Ndryshimi i ekuilibrit të forcës në Evropë ndryshoi nga në favor të Austrisë në favor të Prusisë. Shtetet gjermane të veriut kishin kohë që ishin nën posedimin e Prusisë qysh me marrëveshjen për bashkimin doganor të aplikuar më parë. Suksesi i Bismarkut nuk mund të ekzagjerohet. Ai ishte i vërtetë dhe madhështor. I vetëm kishte arritur të ndryshonte rendin ndërkombëtar evropian. Nuk është se këtë plan ai e kishte mbajtur të fshehtë. Ai kishte thënë, se ç’kishte ndërmend të bënte, si synonte ta bënte dhe e bëri. Të tjerët thjesht vështruan pasi nuk e besonin. Të njëjtin gabim do të bënin francezët dhe anglezët edhe në shekullin e XX kur në postin e kancelarit do të ulej Adolf Hitleri. Në gusht të vitit 1866 kancelari i hekurt lëshoi për herë të parë klithjen e tij të papërmbajtshme në jetën e tij të përmbajtur:
I munda të gjithë! Të gjithë”. (20, Po aty, f. 257)
Triumfi i madh i Bismarkut kundër Austrisë kishte krijuar një situtatë të re në Evropë. Por, ajo nuk ishte përfundimtare. Reparacionet austriake që u paguan prej 40 milion talesh i shërbyen jashtëzakonisht shumë arkës së shtetit prusian. Konfederata gjermane nuk ekzistonte më dhe Austria ishte përjashtuar nga të gjitha çështjet gjermane. Ajo [Austria] po përqiqej të krijonte një identiet të ri si fuqi lindore. Si me një të rënë të shkopit magjik Prusia arriti të “gllabëronte” pas fitores kundër Austrisë, Hanoverin. Nasaun, pjesën më të madhe të Hesse-Kassel dhe Frankfurtin. Nga tre milion banorë që kishte Prusia në vitin 1862, tani ajo arriti shifrën e 19 milion banorëve duke u kthyer në një fuqi të mëdhe. Askush më në Evropë nuk do të guxonte ta konsideronte më atë vend si “buburreci” i Evropës. Kancelari Bismark tashmë kishte filluar të bënte lëvizjen tjetër. Ai nuk do të mund ta bashkonte të gjithë vendin (pa Austrinë) nëse Franca tregohej armiqësore. Sigurisht, ai e dinte se Franca asnjëherë nuk do ta lejonte pa luftë bashkimin e Gjermanisë. Situata brenda vendit nuk ishte e sigurtë për kancelarin. Ai kishte armiq si konservatorët ashtu edhe katolikët. Por, siç kishte vepruar 200 vjet më parë armiku më i madh i kombit gjerman Kardinali Risheljë që lidhi aleancën me protestantët anti katolikë, edhe Bismarku lidhi aleancë në Gjermani me kundërshtarët më të rreptë të filozofisë së tij, liberalët. Për të arritur synimin, Bismarku e ndryshoi sa hap e mbyll sytë ngjyrën e lëkurës dhe u bë një liberal i flaktë për pesë vjet.
Më 9 mars 1870 kancelari i paraqiti mbretit Vilhelm një memorandum ku i argumentonte se ishte në të mirën e kombit që familja Hohenxolern të fitonte respektin e mbarë Evropës pasi tashmë pozicioni i Prusisë ishte shumë i favorshëm. Fitim respekti donte të thoshte luftë kundër Francës. Fillimisht, Vilhelmi refuzoi pasi vetëm ideja që të përballej me Francën i ngjallte tmerr. Por Bismarku ia kishte bërë situatën fakt të kryer pasi ishte marrë vesh me shefat e ushtrisë fon Moltken dhe fon Ron. Të tre bashkë shkuan tek mbreti dhe me gjysëm toni të kulturuar ia mbushën mendjen që ndaj çdo kërkese të Francës, Prusia t’i përgjigjej me forcë. Pas refuzimit të një kërkese franceze lidhur me Belgjikën dhe botimi i kësaj kërkese në shtypin gjerman, opinioni publik francez i tërbuar i kërkoi perandorit Napolon III t’i shpallte luftë Prusisë. Më 14 korrik 1870, këshilli i ministrave të Francës urdhëroi mobilizimin e përgjithshëm. Por, shteti francez ishte tërësisht i çoroditur. Ashtu si në rastin e Austrisë, mobilizimi ishte shumë i dobët.
Lufta u zhvillua në kufirin francez. Ushtria prusiane ishte shumë më e përgatitur se ajo franceze. Më 2 shtator 1870, trupat e marshallit të shkëlqyer Helmut fon Moltke pasi shpartalluan ushtrinë e gjeneralit MakMahon zunë rob edhe vetë perandorin Napolon III i cili kishte shkuar në betejë sipas gjurmëve të xhaxhait të tij. Por ai nuk ishte Napolon Bonaparti që dinte t’i kursente vetes një poshtërim ndërkombëtar në fushën e betejës. Kapja e perandorit nga prusianët u shoqërua me rënien e perandorisë dhe me shpalljen e Republikës III në Francë më 4 shtator 1870.
Prusia kishte triumfuar. Më 18 janar 1871, në pallatin e Versajës në Paris, Bismarku shpalli pa takt krijimin e Gjermanisë duke shpallur si perandor Vilhelmin I. Ceremonia e zhvilluar në sallën e pasqyrave ishte një ogur i zi për të ardhmen e Gjermanisë. Me këtë akt po vulosej vijimi i mëtejshëm i armiqësisë 200 vjeçare franko-gjermane. Bismarku po jetonte momentin e triumfit të tij më të madh, shpalljen e shtetit të bashkuar gjerman për herë të parë në histori. Më 26 shkurt 1871, paqja ndërmjet Francës dhe Gjermanisë u nënshkrua në të njëjtën sallë në Versajë. Reparacionet që francezët u detyruan t’i paguajnë Gjjermanisë kapën shifrën e frikshme prej 5 miliard frangash. Gjithashtu edhe Alsasë-Lorena iu dha Gjermansië së re. Më 18 prill 1871, Rajhshtagu aprovoi kushtetutën e re dhe faza e parë e karrierës së mrekulleshme të Bismarkut përfundoi. Shtetari prusian me gjenialitetin e tij kishte transformuar politikën evropiane dhe kishte bashkuar atdheun e tij brenda tetë viteve qysh kur mori postin e kancelarit prusian më 1862. Edhe një herë si në vitin 1866 kur triumfoi ndaj Austrisë ai përsëriti thirrjen e tij të papërmbajtshme në jetën e tij tepër të përmbajtur që tashmë kishte shumë më tepër vlerë dhe ishte më shumë se asnjëherë tjetër e legjitimuar:
I munda të gjithë!” (21, Po aty, f. 293)
Jeta politike e Bismarkut duket si një histori me fund të lumtur. Në shtator të vitit 1862 ai u emërua kancelar i Prusisë. Posti më i lartë që kishte mbajtur deri atëherë ishte amasador në Konfederatën e shteteve gjermane dhe në Rusi. Brenda 8 vjetësh e gjysëm ai arriti të zgjidhë nyjen gordiane dhe të bashkojë të 38-të shtetet gjermane në një shtet të vetëm. Vetëm Austria për arsye specifike kishte mbetur jashtë. Ai ia doli mbanë pa udhëhequr në fushën e betejës asnjë ushtar. Sipas shumë ekspertëve dhe profesorëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ky element konsiderohet “gjenialitet i veçantë”. Njeriu i “gjakut dhe hekurit” kishte arritur të kuptonte thelbin e asaj që shpiku vetë, Realpolitikës duke mishëruar elementët e interesit me vetëpërmbajtjen të ndërthurur me shkathtësinë e diplomacisë. Ai dominoi Gjermaninë dhe diplomacinë evropiane nga një qendër e vetme.
Kundërshtarët politikë të Bismarkut jetonin akoma me konceptet e shekullit të XVIII dhe me fillimin e shekullit XIX pasi ishin të gjithë bashkëkohës të Kongresit të Vjenës dhe normave të tij politike. Bismarku ishte një Njuton apo Darvin politik. Për të, mbijtonte vetëm më i forti, jo mundësia për të qenë i tillë. Megjithatë, nuk mund të mohohet se ai hodhi farën për tragjeditë e shekullit XX edhe pse nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më tej. Ai la një Gjermani të fortë dhe askush tjetër pas tij deri më 1945-ën nuk diti të menaxhojë forcën, aftësinë dhe ambicjen e një populli të disiplinuar. Ai ishte shumë demokratik për konservatorët, shumë autoritar për liberalët. Ai arriti të mbizotërojë të dy këto rryma të fuqishme duke u bërë herë me njërën dhe herë me tjetrën duke manipuluar në këtë mënyrë antagonizmat e tyre. Por, fraza më e famshme që ka thënë Bismarku dhe që duhet të jetë model në rrugën e çdo aspiranti për t’u marrë me politikë është:
Aftësia politike konsiston në të dëgjuarit me kujdes të hapave të Zotit në rrugën e historisë dhe të ecësh me Të [Zotin] një copë udhë”. (22, Kissinger, Henry “Otto von Bismarck, Master Statesman” (New Jork Times – 3 prill 2011).

*Drejtues i Departamentit të Shkencave Politike
Albanian University

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Connect Us

item