Lajmet e fundit

Koloneli anglez: “Si i njoha Enverin e Mehmetin gjatë Luftës”

Behar Shtylla, Enver Hoxha, Geri Dafi, David Smajli, Spiro Moisiu, Villi Mel, Andi Hends, Ramadan Çitaku dhe Dali Ndreu UET Press sjel...

Behar Shtylla, Enver Hoxha, Geri Dafi, David Smajli, Spiro Moisiu, Villi Mel, Andi Hends, Ramadan Çitaku dhe Dali Ndreu



UET Press sjell kujtimet e kolonelit anglez në Shqipëri.

“Mehmeti mburrej se kishte therur 70 robër italianë”
“Shehun e mbanin për të pamëshirshëm dhe zemërlig, s’e fshihte urrejtjen për britanikët”
“Kur nevrikosej Enver Hoxha, e humbte kontrollin e vetes”
Njohja me krerët e LANÇ-it dhe të Ballit Kombëtar.

Vitet ’43-’45 do të ishin të paharrueshme për kolonelin anglez David Smajli. Misioni ushtarak do ta hidhte në Shqipëri, në atë kënd të izoluar të Ballkanit, ku në një hapësirë aq të vogël, me shumë male, do të takonte aq shumë njerëz me karaktere e bindje të ndryshme. Kujtimet e tij nga ky mision, Smajli i ka hedhur në librin “Vitet shqiptare 1943-45”, botuar nga UET Press. Ceremonia e promovimit të librit do të mbahet sot në ambientet e hotel “Sheraton”, në orën 18:00. Përmes librit të Smajlit mund të kuptosh shumë mbi Shqipërinë e viteve 1943-45. Ai ka pasur mundësinë të takojë personalisht krerët e lëvizjes Nacionalçlirimtare, të Ballit Kombëtar e të Legalitetit dhe të përshkruajë jo vetëm karakteristikat e tyre, por edhe mendimet që kishin për njëri-tjetrin. Libri merr edhe më shumë vlera prej një shtojce fotografike që e shoqëron, ku ngjarje e personazhe janë të fiksuara edhe përmes fotografive të realizuara nga vetë Smajli. Në një fragment të shkëputur nga libri rrëfehet njohja e Smajlit me disa prej krerëve kryesorë të LANÇ-it, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koço Tashko e Petrit Dume. Gjithashtu ai tregon edhe për operacionet e përbashkëta me Ballin Kombëtar kundër gjermanëve dhe përpjekjet e forcave partizane për t’i sabotuar ato.

PJESE NGA LIBRI


Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë Sulmuese

Të nesërmen u takova me përfaqësuesin e LNÇ-së, një burrë i shkurtër, që nuk të shihte në sy dhe me sjellje të gëzuar, që nuk ishte e sinqertë. Anglishten e fliste mirë me një theks amerikan. U paraqit si Skënder Dine, por më vonë pranoi se nuk ishte emri i tij i vërtetë. Më vonë zbulova që quhej Koço Tashko. Më foli lirisht për të kaluarën e tij, duke më thënë se ishte diplomuar në Universitetin e Harvardit, se kishte qenë sekretar i Fan Nolit, si dhe sekretar i Konsullatës Shqiptare në Nju Jork dhe se e njihte zonjën Hëzllak. Në fillim shkova mirë me të, se për mua ishte kënaqësi të bisedoja në gjuhën time dhe jo në frëngjisht, gjuhë në të cilën nuk mund të shprehesha aq qartë sa në anglisht. Nganjëherë ziheshim kur kërkonte të më bënte propagandë dhe agjitacion komunist. Nuk pata kurrë besim tek ai….

Skënderi (Koço Tashko) u qep pas meje sikur të ishte hija ime dhe dy ditë më vonë shkuam në një fshat tjetër ku, siç më tha, do takoja një anëtar të Komitetit Qendror të LNÇ-së. Të nesërmen, ai arriti. Quhej dr. Ymer Dishnica, njeri i afruar, që fliste një frëngjishte të përsosur, duke qenë se kishte studiuar për mjekësi në Lion. Zeshkan, i rruar, më dha përshtypjen se ishte i aftë, i zgjuar dhe një komunist fanatik. Nuk bëri asnjë tentativë të fshihte pikëpamjet e tij, siç bënin të tjerët, dhe unë e cilësova një idealist të sinqertë.



David Smajli, Osman Gazepi dhe Billi Maclin

Maklini u kthye ca ditë më vonë dhe patëm të parën nga vizitat e shumta të Shtabit të LNÇ-së, të udhëhequr nga Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha. Mehmet Shehu ishte një burrë me shtat mesatar, zeshkan, i imët, rreth të tridhjetave që buzëqeshte vetëm për fatkeqësitë e të tjerëve. E fliste anglishten mirë, ishte i aftë dhe dituria e tij ushtarake ishte më e mirë se e udhëheqësve të tjerë partizanë. Kishte kryer studimet e mesme në Shkollën Amerikane të Tiranës dhe pastaj kishte shkuar në kolegjin ushtarak të Napolit, nga ku u përzu për aktivitet komunist. Hyri në Shkollën e Plotësimit të Tiranës dhe së andejmi vajti në Spanjë si vullnetar në Brigadën Ndërkombëtare “Garibaldi”, ku u bë zëvendës komandant i batalionit IV. Kur brigada u tërhoq në Francë në 1939-n, ai u internua për tre vjet. Pas lirimit u kthye në Shqipëri dhe u bë anëtar partie në zonën e Vlorës. Në kohën kur u takuam me të, ishte komisari i forcave partizane të atjeshme. I kishte dalë nami se ishte trim, i pamëshirshëm dhe zemërlig. Lavdërohej se ai vetë kishte therur 70 karabinierë italianë të zënë robër. Në fillim nuk shkova keq me të, se ndërmjet ushtarakësh ka diçka të përbashkët, por ai nuk kërkoi të fshihte urrejtjen për gjithçka britanike dhe marrëdhëniet tona u keqësuan. Në njërën prej mbledhjeve të Shtabit, ai bëri akuza të tërbuara kundër nesh, duke u betuar se të gjitha armët që na kishin ardhur ia kishim dhënë Ballit Kombëtar, duke mos lënë gjë për partizanët. Nxora nga çanta listën e armëve dorëzuar partizanëve e me të, bashkëlidhur edhe dëftesat përkatëse të marrjes në dorëzim. I lexova me zë të lartë përpara Shtabit, duke e nxjerrë Shehun gënjeshtar. Nuk ma fali kurrë. Më vonë, kur u duk se Brigada I qe një grumbull frikacakësh të paparë, shkëmbeva fjalët e fundit me Shehun dhe ato që i thashë ishin të rënda dhe të zhveshura nga çdo shfaqje politese. Pas luftës ai u bë Kryeministër i Shqipërisë dhe qëndroi në atë post derisa, siç thuhet, vrau veten në vitin 1981.

Enver Hoxha kishte një karakter krejt të kundërt – njeri trupmadh dhe tepër i dhjamosur, me një shtrëngim dore të dobët. Nuk ishte ushtarak, megjithëse pretendonte të ishte i tillë, ishte më i shoqërueshëm se Mehmet Shehu dhe na fliste me një frëngjishte të mirë. Ai mund të mos na ketë dashur, por këtë nuk e shfaqte. Hoxha ishte rreth të tridhjetë e pesave. Shkollën fillore e kishte kryer në Gjirokastër, liceun në Korçë dhe pastaj ishte regjistruar në Universitetin e Montpeliesë, që u detyrua ta braktiste se nuk i kaloi dot provimet. Shkoi në Paris dhe Bruksel, gjoja për të studiuar jurisprudencë, por nuk u diplomua. U kthye në Shqipëri dhe u emërua mësues i frëngjishtes në Liceun e Korçës. Ne e thërrisnim “profesor”, një titull që e kishte përvetësuar si mësues i gjuhës frënge në Lice. Në vitin 1940 hoqi dorë nga mësimdhënia dhe hapi një dyqan për shitjen e cigareve në Tiranë, dyqan që u bë bazë komuniste ku mblidheshin elementë antiqeveritarë. Pas themelimit të Partisë Komuniste, ai u bë

Sekretar i Parë i Komitetit Qendror që, ndoshta, ishte pozita që mbante kur u takuam së pari me të. Unë nuk shkova keq me Hoxhën, megjithëse në mbledhje kishte raste që nevrikosej dhe humbiste kontrollin e vetvetes. Kisha shumë qejf ta ngisja për çështje politike, dhe sa më tepër propagandë komuniste bënte në drejtimin tim, aq më imperialist dhe kapitalist i paraqitesha unë. Një herë, qëndronim bashkë përpara një harte të botës dhe më thoshte se si do dëshironte ta shihte botën pas luftës, një botë të kuqe komuniste. “Po ju, kapiten, si do ta dëshironit?”, më pyeti. “Edhe unë do të dëshiroja ta shihja botën të kuqe, por jo të kuqen tuaj, por atë të kuqe që të gjitha hartat e botës përdorin për të ngjyrosur vendet e Perandorisë Britanike”, iu përgjigja. Hoxha kishte një farë sensi humori dhe duke pasur përpara një shishe raki dhe ca meze, arrinte të tregohej miqësor. Ai u bë President i Shqipërisë pas luftës.

Kur ishim në Shtyllë, marrëdhëniet me Skënder Dinen u bënë të tendosura, pasi nënoficerët tanë na raportuan se ai mundohej t’i indoktrinonte me ideologji komuniste. Pas një zënke të fortë me Maklinin, ai u largua dhe nuk ia pamë më sytë. Në vend të tij erdhi Frederik Nosi si oficer ndërlidhës. Ai ishte nipi i Lef Nosit, mik i ngushtë i Zonjës Hëzllak dhe kishte kryer studimet në Shkollën Teknike të Tiranës, të drejtuar nga Heri Fulc, ndoshta amerikani që njihej dhe duhej nga gjithë shqiptarët. Nosi e fliste anglishten mirë dhe në shumë raste e përdornim si përkthyes, megjithëse i sjellshëm, e dinim se ishte komunist i bindur dhe spiun zyrtar i LNÇ-së pranë nesh, e që raportonte të gjitha kontaktet tona dhe aktivitetin që zhvillonim. Nexhip Vinçani më kishte dhënë një listë të çetave të tij, emrat e komandantëve, forcën dhe armët me të cilat ishin pajisur, që po i paraqes më poshtë. Nga këto çeta zgjodhëm disa që do të stërvitnim dhe pastaj do t’i pajisnim me armë. Këto çeta më vonë hynë në përbërjen e Brigadës I. Çeta e parë që u paraqit qe e Petrit Dumes, me të cilin shkova mirë. Ai ishte i ri, entuziast dhe kishte dëshirë për të mësuar. Defi, Xhonsi dhe Xhenkinsi i stërvitnin në përdorimin e minave për sabotim rrugësh, urash dhe ndërtesash. Unë i stërvitja në përdorimin e mortajave 81 mm dhe mitralozave të rëndë 20 mm dhe 47 mm. Në këtë kohë dëgjuam se italianët kishin ardhur në Voskopojë. Kështu që eca disa kilometra për të parë se ç’po ngjante, i shoqëruar nga një italian që kishte dezertuar dhe qëndronte pranë komandës sonë. Kur arritëm gjetëm se italianët i kishin vënë zjarrin Voskopojës. Ishte e pesëmbëdhjeta herë që ajo digjej gjatë historisë së saj. Italianët nuk kishin hasur ndonjë rezistencë, se partizanët që ndodheshin aty nuk kishin shtënë asnjë pushkë. Kur u takova me Vinçanin, e pyeta përse nuk kishin luftuar partizanët. Përgjigja e tij nuk ma mbushi aspak mendjen. Ishte më se e qartë se ua kishin mbathur këmbëve. I fola rëndë duke e akuzuar se ai nuk komandonte një batalion, por një turmë bashibozukësh dhe bile një turmë shumë të paaftë. Thashë se nuk duhej të kujtonte se ishte një gjeneral, por thjesht një udhëheqës guerilësh, dhe nuk ishte as i tillë. U ndamë keq.

…..


Kopertina e librit
Më 10 gusht u largova nga Shtylla për të ngritur një pusi bashkë me ballistët. Pusia qe organizuar nga Maklini dhe Safet Butka për të provuar ndër të tjera nëse Balli Kombëtar ishte i gatshëm të luftonte gjermanët dhe italianët. Frederik Nosi dhe partizanët e tjerë që ishin me ne e kundërshtuan me forcë këtë veprim dhe morën masa për ta sabotuar. Data e caktuar për pusinë ishte 12 gushti. Si Maklini dhe unë, ishim gjahtarë të mirë thëllëzash dhe dita e 12 gushtit do të ishte e përshtatshme për hapjen e stinës së gjuetisë. Ikëm nga Shtylla me dy roja dhe jugosllavët që na mbanin mitralozat e rëndë “Breda”. Pas disa orë ecjeje, arrita në fshatin Kurtes, ku gjeta një çetë të përbërë prej 200 vetash, që u rreshtuan për inspektim. Komandohej nga kapiten Qemal Burimi. Që të dy mbajtën fjalime dhe pastaj u ulëm për të hartuar planin e sulmit. Ndryshe nga komandantët partizanë që pretendonin të dinin gjithçka, Burimi ishte i gatshëm të dëgjonte dhe bile të pranonte këshillat e mia. Të nesërmen iu afruam rrugës jo larg nga fshati i djegur Barmash. Duke u kthyer arritëm në majën e një kodre dhe u takuam me një çetë prej 30 partizanësh që po na vëzhgonin. Menjëherë njoha Petrit Dumen dhe e pyeta se ç’po bënte aty. M’u përgjigj se në mbrëmje do të ngrinte një pusi te rruga.

E pyeta se ku dhe më tregoi me gisht kthesën në rrugë, ku Burimi dhe unë kishim vendosur të ngrinim pusinë tonë. Ai patjetër na kishte parë aty. E kisha të qartë se Petriti po vepronte me urdhër të LNÇ-së, në bazë të të dhënave të Frederik Nosit, për të penguar Ballin Kombëtar të ngrinte një pusi kundër gjermanëve dhe në këtë mënyrë të provohej se nuk ishin për bashkëpunim, siç pretendohej nga LNÇ-ja. Unë u zemërova dhe i thashë Dumes që ai nuk do ta ngrinte pusinë, pasi atë do ta bëja unë bashkë me kapiten Burimin dhe çetën e tij. Petriti m’u përgjigj se kishte marrë urdhër të prerë dhe do ta zbatonte. Atëherë iu ktheva me inat dhe i thashë se po të vepronte sipas urdhrit të marrë, LNÇ-ja nuk do të merrte më merrte më as armë, as të holla nga Misioni Britanik. E gjithë ndihma do t’i shkonte Ballit Kombëtar. Unë nuk kisha asnjë autoritet për të bërë një kërcënim të tillë, por nuk kishte rrugëdalje tjetër. Kërcënimi pati efektin e duhur dhe Dume me çetën e tij u larguan në drejtim të Korçës. Çfarë do përpiqej të bënte tani për të prishur planet tona? Nuk besoja se do të rrinte pa vepruar, por për sa i përket pusisë, nuk tentoi ta pengonte dhe nuk dëgjova gjë për të e as që e pamë më.

Kishim zgjedhur një vend ideal për ngritjen e pusisë, ku rruga ishte gdhendur në faqen e malit dhe kthesat vinin një pas një. Nga ana tjetër e rrugës i shkonte thikë deri poshtë në lumë. Nuk kishte mundësi shpëtimi nga asnjë anë. Çetën e vendosëm në faqen e malit nja 200 m nga rruga, por mbi të, në një grykë që na ndante nga armiku. Natën mora 10 burra me 16 mina dhe zbritën te rruga me qëllim që të vendosnim minat në dy grupe me nga 8 veta, çdo 250 m larg njëri-tjetrit, por që nuk dukeshin. Kur kishim vendosur minat e para, një Halifaks fluturoi mbi ne dhe njëri nga ballistët bërtiti – kamioni, kamioni – dhe të gjithë u larguan dhe nuk u dhe kthyen më. Kështu më takoi t’i vendosja të gjitha minat e tjera vetë dhe për këtë m’u deshën katër orë punë, por pa ndonjë pengesë. Në agim iu ngjita malit te pozicioni i çetës, i lodhur e i inatosur. Aty më priste kapiten Burimi, që më tha me keqardhje se njerëzit që komandonte nuk ishin mjaft të stërvitur, e për këtë isha dakord edhe unë. U vendosëm në pozicionet tona dhe pas pak u qetësova kur pashë se po vinte një kamion i tipit me zinxhir për tërheqjen e topave të rëndë e që po rimorkionte një top 88 mm. Disa nga të çetës kujtuan se ishte tank dhe u frikësuan. Unë drejtova aparatin fotografik dhe “Bredën” time 20 mm te pika ku kisha vendosur minat. Të gjithë mbajtëm frymën.

Kamioni i madh hasi në minë dhe u hodh në erë, mbuluar me flakë dhe tym. Zhurma e shpërthimit ushtoi nga mali në mal. Fotografova çastin kur kamioni u hodh në erë. Menjëherë hapëm zjarr kundër armikut. Gjermanët që kishin mbetur gjallë kërkonin strehim, por ne i qëlluam pa mëshirë. I thashë kapiten Burimit të dërgonin disa njerëz poshtë për të mbledhur etiketat e identifikimit dhe të shtynin topin nga rruga në lumin poshtë, megjithëse ishte i dëmtuar. Disa zbritën te rruga. Dëgjuam disa të shtëna, ndoshta vranë të plagosurit. Topi u shty nga rruga dhe ra në lumë, kurse kamionin të bërë copë-copë, nuk mundën ta lëviznin. Kishin marrë etiketat e identifikimit. Ishin vrarë 18 gjermanë, 12 brenda në kamion dhe 6 në rrugë. Ndërkohë dëgjuam motorët e kamionëve të një autokolone që po afrohej, por që vinte nga një drejtim i kundërt, nga Leskoviku. Kishim fat, se kolona do haste në grupin e dytë të minave para se të shihej se ç’kishte ngjarë më tutje. Numërova 23 kamionë, por njëkohësisht konstatova se shumica e çetës ishte larguar dhe se kishim mbetur vetëm 10 vetë.

Kamioni i parë hasi në minat. E fotografova. Kolona ndaloi. Dy gjermanë zbritën nga kabina e çdo kamioni me qëllim që të largoheshin. I qëlluam. Me dylbitë e mia pashë se 5 gjermanë ishin shtrirë në tokë te kamioni i parë, kështu fillova të qëlloj të dytin me “Bredën” time. Mori zjarr kështu edhe kamioni i tretë. Nëse çeta nuk do të ishte larguar pas aksionit të parë, do të kishim mundur të shkatërronim dhe asgjësonim të gjithë kolonën. Pas 10 minutash gjermanët u organizuan dhe filluan të qëllonin. Ne u përgjigjëm dhe pastaj u larguam. Megjithëse nuk e vlerësova shumë shpirtin luftarak të shqiptarëve, prapë se prapë isha i kënaqur me rezultatet. Kishim vrarë 23 gjermanë pa asnjë humbje. Morën etiketat e identifikimit, hodhëm në ajër një kamion me zinxhirë dhe tre kamionë të zakonshëm, shkatërruam një top 88 mm. Me njerëz më të disiplinuar, do të kishim pasur mundësi t’i zhduknim të gjithë. Kur u ktheva në Shtyllë mësova se aeroplanë të tjerë, përveç atij që kisha dëgjuar kur po ngrinim pusinë, kishin ardhur e kishin sjellë Majorin Bill Tilman, Majorin Xheri Fild, Majorin Xhjorxh Seimor dhe Majorin Piter Kemp. Bill Tilmani ishte më i moshuari dhe më i vendosuri. Ai ishte një alpinist shumë i njohur që kishte marrë pjesë në ekspedita në malin Everest, mali më i lartë i Himalajeve. Ai ishte i gjatë afërsisht sa unë, me trup të lidhur, fytyrë të mprehtë dhe mustaqe. Tha se ishte shumë i gëzuar që gjendej në Shqipëri, se kishte plot male për të ngjitur. Pas ngritjes së misionit të tij, çdo mëngjes para buke, i ngjitej malit aty pranë dhe kjo i shqetësonte shumë rojet e tij.

Follow Us

Popular Posts

item